Dr. Sulejman ABAZI / Përkundër trajtimit të anës historike të marrëdhënieve shqiptaro – greke, problemin do ta shikoja në kuadrin konkret të një reagimi dhe kundëreagimi politiko – diplomatik të autoritetit shqiptar të Mbrojtjes, pasi në raste të tilla gjakftohtësia, mencuria dhe dinjiteti institucional, duhet të fitojnë mbi arrogance e panevojëshme, e cila nuk i shkon për shtat politikës së shtetit shqiptar.
Po ju kujtoj që, nuk është kjo gjuha diplomatike e prezantimit tuaj zonja Ministre.
Pse xhanem shfaqeni kaq mediokër dhe vazhdoni akoma të prezantoheni sikur ishte Shqipëria në një kohë tjetër, kur shteti shqiptar kishte tjetër pozicion dhe një ushtri që kishte po aq tanked he avionë luftarak sa ka sot Greqia?
Harroni qe, nuk është e arësyeshme të përplaseni me të njejtën gjuhë të përdorur nga homologu juaj grek, por t’ia lini me mençuri në dorë marrëzinë e një deklarate absurd dhe ju vet të shfaqeni me dinjitet si një anëtarë e NATO-s, që nuk i acaroni këto konflikte politike, por dini të pozicionoheni saktë ndaj tyre?!
Qenia në NATO nuk u jep të drejtën të silleni me arrogancë të panevojëshme politike, edhe pse momentalisht keni të drejtë të dekaloheni kundër qëndrimit të deklaruar tashmë të homologut tuaj grek.
Cfarë nënkupton fjala bajate “satrap” në fjalorin tuaj diplomatik?!
Kush ua servir këtë mendje të shkurtër, duke marrë përsipër një përgjegjësi, që i hedh më shumë benzinë zjarrit, kur ka plotë rrugë të tjera shumë më të leverdisëshme?
Pse nuk dini të përfitoni nga kjo situatë gati qesharake të një ministri, që vetëm politikan i ekuilibruar nuk mund të quhet me qëndrime të tilla?
Pse edhe ju bëni të njejtën gjë dhe bini në nivelin e tij?
Mos vallë keni dhe ju dëshirë të vishni kostumin ushtarak të oficerit?!
Ndoshta nuk mund të lodhem pa arësye në këtë koment politik me pyetje të tjera, pasi duhet pranuar se, deri këtu e keni limitin e autoritetit tuaj ministror, si pjesë e një qeverisje që shpesh i prêt më shpejtë goja para mendjes. Do të duhet shumë kohë të kuptoni zonja Kodheli që, komshijtë nuk i zgjedh vet, por ata janë dhe do të mbeten aty dhe me ta do të duhej të vendoseshin të tjera marrëdhënie për arësye shumë më të thella, që me siguri në të ardhmen do të jenë dobiprurëse edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sot është kohë tjetër dhe jam i bindur se mesazhi juaj me këtë rast do të duhej të kishte një natyrë dhe përmbajtje krejt tjetër, që ta vendosnit në pozitë të vështirë homologun e përtejkufirit.
Megjithatë, kjo është puna juaj dhe sot për sot ju jeni në atë post, por mos harroni se në çdo rast keni përgjegjësinë e plotë kushtetuese, për të ruajtur nderin dhe dinjitetin e politikës së vendit tonë. Uroj të mos detyroheni të bëni gati ndonjë përgjigje tjetër, të detyrueshme nga reagimi juaj konformist. Nëse keni rekomandim këshilltarësh në këtë çështje, ata duhet të largohen menjëherë nga misioni i tyre pranë jush.