Arben RROZHANI / Kryeministri dhe kryetari i PS-së u përkujdes dy ditë më parë që të publikonte në një media proqeveritare akuzat dhe urdhëresat e tij përpara 50 anëtarëve të shtabit të elektoral të Qarkut të Vlorës, ku është edhe deputet prej qershorit 2013. Ajo çfarë është publikuar dhe që është reale në strukturat dhe jetën e degës së PS-së është pritur me gëzim nga socialistët vlonjatë, të cilët, prej disa muajsh kanë parë me dhimbje se si njëra prej degëve më me peshë dhe më vitale të PS-së të bjerë në pikiatë nga lartësia ku ishte ngjitur tre vitet e shkuara, kur nisi reformimi i saj nga ish-deputeti Koço Kokëdhima. Të gjitha problemet qëndrojnë, nga punësimet e njerëzve pa shkollë, pasiviteti i socialistëve të punësuar, distancimi nga anëtarët e thjeshtë, mungesa e një anëtarësie të evidentuar, largimi në masë i simpatizantëve të majtë në zonën gri të të paangazhuarve, injorimi i kërkesave dhe halleve të grupeve të interesit etj. Ka dhe shumë të tjera që janë rikthyer si gangrena që paralizon partinë, por problem është se kush është fajtori. Sipas kronikës proqeveritare, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi nuk dinë gjë pse baza e PS-së është katandisur në këtë derexhe, duke hequr përgjegjësinë nga vetja për t’ua faturuar atë drejtuesve të degës së PS-së në Vlorë, të cilët, bashkë, burra dhe gra, nuk bëjnë asnjë punë, por merren vetëm me thashetheme dhe intriga, duke përndjekur ata që kanë patur mendime ndryshe.
Në fakt duhet të ishte një “mea culpa” e kryetarit dhe e njerëzve afër tij, për rrënimin në pak muaj të një pune 3-vjeçare për të ringritur një parti të orientuar nga udhëheqja që të funksionojë si magazinë votash vetëm pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare dhe vendore dhe të “mbyllë qepenat”, pas numërimit të votave.
Rasti i Vlorës duhet të jetë një shembull për t’u marrë në analizë dhe për të nxjerrë mësime të vlefshme për PS-në. Më 19 mars 2016, përpara delegatëve të Kongresit të PS-së, Gramoz Ruçi, edhe pse pa e etiketuar me emër do të sulmonte reformën e drejtuar nga Kokëdhima në PS-në e rajonit Vlorë-Gjirokastër, edhe pse ajo kishte nisur implementimin me vendim të selisë rozë: “Unë jam për unifikim dhe zbatim të unifikuar në të gjithë territorin dhe jo për të ashtuquajturin projekt pilot në emër të ashtuquajturës reformë në parti për të krijuar një çorganizim të organizuar që dëmton frymën dhe veprimin politik”. Kokëdhima iu përgjigj me shifra, kur deklaroi se para nisjes së reformës në Vlorë dhe në Gjirokastër ishin 6 mijë anëtarë në PS, ndërsa pas reformës ishin 16 mijë më shumë, duke shtuar 200 organizata socialiste. “Kjo reformë nuk ishte e përsosur, ishte thjesht madhështore”-deklaronte Kokëdhima përpara anëtarëve të Kongresit të PS-së.
Çfarë ndodhi realisht në bazë? Ardit Xhafaj, anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe banor i Selenicës, shprehej tetorin e shkuar se reforma ishte gjithëpërfshirëse, me socialistët “e rinj” dhe “të vjetër”. Shumica dërmuese e ish-drejtuesve ishin kundër funksionimit të partisë, përveçse për interesat e tyre dhe ata pranonin që të shtoheshin votues, por jo anëtarë partie, pasi nuk donin të kishte as debat e as zgjedhje brenda strukturave, kërkonin votë për PS-në në zgjedhje, por jo anëtarësi të përfshirë në vendimmarrje e në mirëqeverisje. Sipas Xhafajt u desh që të behej “reforma e Koços”, që të shkelej në çdo cep territori dhe të flitej me çdo socialist të bashkisë Selenicë. Nuk u zgjidhën të gjitha hallet, por u shkel bari që kishte mbuluar rrugët nëpër të cilat kishte kohë që nuk kishte kaluar njëri, që nga zgjedhjet e fundit. U pranuan të gjithë që dëshironin të ishin anëtarë të PS-së; u krijua nga një OS për çdo QV, u shkrinë “ OS-të me anëtarë vetëm në letër ose vetëm nga një familje dhe u pasuruan organizatat me prurje cilësore dhe sasiore…
Ndërprerja e reformës së nisur nga Kokëdhima vetëm sa e ktheu gjendjen e degës së PS-së tre vite pas, sepse ato probleme që “zbuloi” Rama në degën e Vlorës, pak ditë më parë, Kokëdhima i renditi më 23 dhjetor 2016, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, ku deklaroi se para se të niste reformën struktura politike ishte e mbuluar nga fiktiviteti, e marrë peng nga një grusht njerëzish, me organizata socialiste pa anëtarë dhe me kryetarë të përjetshëm, që nuk zgjidheshin, por e kishin OS-në si pronë private; se asnjë profesionist dhe zyrtar nuk kishte partia, se asnjë raport nuk prodhohej, nuk kishte regjistra e rekorde të antarësisë dhe as baza të dhënash të tjera. Një strukturë politike e shpartalluar, që nuk garantonte asnjë standard e të drejtë statutore në zbatim. “Unë udhëhoqa një punë shumë të madhe, të bërë së bashku me kolegët e mi, ku u angazhuan me mijëra vetë. E hapëm dhe tre-katër fishuam partinë. Të rinjtë vërshuan si kurrë më parë. Anëtarësuam 16 mijë djem e vajza. U ngrit struktura rajonale dhe u trainuan shumë njerëz që prodhonin raporte çdo ditë. Përpunuam e trajtuam 20 deri në 30 mijë komunikime në muaj me qytetarët. Njerëzit e pëlqenin këtë. Kudo flitej për Partinë Socialiste”-shprehej Kokëdhima, krenar se kishte krijuar një mjedis demokratik në parti dhe ishin zhdukur sekserët e emërimeve, kullotave, hipotekave, ALUIZNI-t, shërbimeve, emërimeve me pagesë, nepotike, me diploma false dhe pa meritë. Por me largimin e tij nga drejtimi, pasi Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit, në maj 2016, në qarkun e Vlorës u shpërbënë institucionet e reformës, u mbyll struktura rajonale, u hoqën drejtuesit me arsim të vërtetë dhe integritet dhe u vendosen drejtorë pa arsim e me diploma të blera, u rikthye arroganca në institucione, paraja në emërime dhe në shërbimet shtetërore. Dramën më të rëndë do ta përjetonin përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e afërt të Kokëdhimës në Vlorë, të rinj dhe të reja idealistë që besuan të ‘Rilindja” dhe te e ardhmja e tyre në Shqipëri. Nertila Selimaj ishte kthyer nga Italia për të ndërtuar jetën në vendlindje, por u pushua nga puna dhe u shkarkua nga funksioni në parti si dhe dhjetra të tjerë, edhe pse është anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Pak ditë më parë vajza nga Vlora, mori edhe nënshtetësinë italiane dhe atje e ftuan që të punonte në komunë, por ajo sajoi një “ofertë” në Milano për t’u rikthyer në Shqipëri, sepse kërkon të kontribuojë për vendin e vet dhe jo në emigracion si 1.5 milionë shqiptarë. Ajo si dhe dhjetra të rinj të tjerë vlonjatë tashmë janë kontribues te Lëvizja “Zgjidhja”, e cila ka nisur prej muajsh takimet me socialistët e thjeshtë që janë harruar nga qeverisja e Edi Ramës dhe që nuk begenisen nga drejtuesit e degëve të PS-së në bazë. Synimi i tyre është demokratizimi i PS-së nga poshtë dhe me ligj. Qindra socialistë apo pa parti kanë firmosur deri më sor nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua”, e cila ka për qëllim që t’u heqë pushtetin abuziv kryetarëve dhe tju a kthejë atë qytetarëve, që kandidatët për deputetë, këshilltarë apo kryetarë bashkish t’i zgjedhë anëtarësia e partisë dhe që çdo qytetar të ketë të drejtë dhe mundësi që të konkurojë. Lëvizja “Zgjidhja” e drejtuar nga Kokëdhima rikthen atë projekt që nisi dhe u ndërpre gati një vit më parë, jo nga baza e partisë në Vlorë apo Gjirokastër, sepse ajo e përqafoi, por nga partia e udhëheqjes e cila ndjeu frikën e humbjes së pushtetit absolut ndaj anëtarëve të partisë. “Mea culpa” e vërtetë e Ramës do të ishte pranimi i kësaj lëvizjeje, për të reformuar tashmë, jo vetëm PS-në në rajonin Vlorë-Gjirokastër, por në të gjithë Shqipërinë, ku janë të njëjtat probleme si në Vlorë, dhe ku përgjegjësi nuk duhet kërkuar te kryetari e degës, por te vetja dhe ekipi pranë vetes në Tiranë, prej aty nga është deleguar dhe drejtuar partia e udhëheqjes, por jo e socialistëve të thjeshtë.