Azem PARLLAKU / Acarimi i përplasjeve politike në Maqedoninë fqinje, mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një Ballkan aspak të stabilizuar. Kriza politike i ka rrënjët që në vitin 2015, kur LSDM-ja filloi të publikojë përgjimet e paligjshme që përfshinë Nikolla Gruevskin. Për këtë arsye u krijua Prokuroria Speciale Publike dhe mbështetësit e VMRO-së kaluan në akuza ndaj George Soros për konspiracion ndaj Maqedonisë. Pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2016, kriza avancoi me grindjen për koalicion kur BDI-ja vendosi që të mos bashkëpunonte më tej me VMRO-DPMNE-në dhe u përshkallëzua nga refuzimi i Gjorgje Ivanovit për t’ia dorëzuar mandatin LSDM-së, me arsyetim se kërkesat e shqiptarëve do ta “shkatërrojnë” vendin.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka akuzuar Tiranën dhe Prishtinën, për mënyrën sesi është miratuar platforma e përfaqësuesve shqiptarë të politikbërjes në shtetin të cilin ai konsiderohet si qytetari i parë. “Platforma është dokument pas zgjedhor i miratuar në një shtet të huaj në kabinet të një burrështetasi të huaj dhe me ndërmjetësim të kryeministrit të një shteti të huaj. Me këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Republikën e Maqedonisë në pozitë të nënshtrimit dhe varësisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë me të cilat do të rrezikohej karakteri unitar i shtetit.
Platforma e cenon Marrëveshjen kornizë të Ohrit, që i rregullon marrëdhëniet e bashkësive etnike me shtetin Republika e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Në kundërshtim me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, platforma është diskriminuese ndaj bashkësive të tjera etnike, sepse i jep prioritet vetëm një bashkësie etnike. Kjo platformë nga Tirana në mënyrë plotësuese e destabilizon gjendjen e brendshme politike dhe i rrit tensionet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Ivanov. Përfaqësuesit e partive shqiptare ngulmojnë se, për shkak të “paranojës” së Lëvizjes Besa për t’i besuar marrëveshjes mes njëri-tjetrit, firma e platformës u hodh në Tiranë, ajo ka respektuar kuadrin kushtetues dhe marrëveshjen e Ohrit. Më herët edhe kreu i i VMRO-DMPNE-së Nikolla Gruevski, është shprehur se platforma shqiptare është bërë në Shqipëri dhe ketë e ka konfirmuar edhe partia shqiptare në Maqedoni Lëvizja Besa.
Gruvski insiston se partitë shqiptare në Maqedoni kanë platformë politike nga Shqipëria. Platforma e partive shqiptare është jo Kushtetuese, pasi përmban kushte që i ka thurur një shtet tjetër nën mbështetjen e një kryeministri i shtetit tjetër, Edi Rama. Edhe Rusia ka reaguar ndaj krizës politike në Maqedoni. Zyrtarët dhe mediat ruse, kanë nënvizuar, se kriza politike në Maqedoni e provokuar nga ndërhyrja e jashtme në punët e brendshme të vendit po përkeqësohet. Përpjekjet, të cilat janë mbështetur në mënyrë aktive nga udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s janë duke u bërë që maqedonasit të pranojnë “platformë shqiptare” të projektuar në Tiranë në Zyrën e Kryeministrit, bazuar në hartën e të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe”, e cila ilustron pretendime territoriale të mëdha ndaj vendeve fqinje në Malin e Zi, Serbi, Maqedoni dhe Greqi.
Besimi se kjo linjë është shumë e rrezikshme dhe se ajo mund të çojë në shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë dhe destabilizimin e të gjithë Ballkanit, ka fituar terren në deklaratat politike dhe artikulimet mediatike të Moskës. Përfaqësuesit e partive politike shqiptare thonë se platforma e partive politike shqiptare në asnjë mënyrë nuk duhet parë si dokument që avancon vetëm të drejtat e shqiptarëve, por ajo garanton funksionimin e shtetit juridik dhe vendos shtetin në binarët e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Kriza dy-vjeçare politike në Maqedoni po hyn në një fazë të rrezikshme, ndërkohë që nacionalistët po akuzohen për nxitjen e tensioneve etnike në përpjekje për të penguar hetimet për korrupsion.
Federica Mogherini lëshoi një ultimatum ndaj presidentit Ivanov që deri të hënën e kaluar të mandatojë Zoran Zaev për të formuar qeverinë, gjë e cila nuk po ndodh ende, teksa grupi “Për një Maqedoni të Bashkuar”, njoftoi këtë të hënë, se do të vazhdojë të organizojë protesta masive në Shkup dhe qytete të tjera në mbarë vendin kundër formimit të koalicionit. Pas këtij grupi dhe deklarimeve të tilla qëndron Gruevski, ai që e nxiti krizën në momentin kur e kuptoi se po humbiste pushtetin, e kjo do ta linte të ekspozuar ndaj hetimeve të Prokurorisë Speciale. Mijëra maqedonas po thirren në protesta kundër formimit të një qeverie koalicioni mes tre partive shqiptare dhe social demokratëve. Presidenti Gjorge Ivanov po mban anën e protestuesve dhe deri tani ka refuzuar t’i japë dritën e jeshile një qeverie koalicioni, që çon në opozitë partinë kryesore nacionaliste. Socialdemokratët thonë se presidenti Ivanov po nxit grindjet etnike. Ata argumentojnë se ai po e përdor situatën për të mos i dhënë mandatin e formimit të qeverisë udhëheqësit të tyre Zoran Zaev, pasi Presidenti Ivanov dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski tremben se, socialdemokratët do të hapnin hetimet rreth përgjimeve të paligjshme politike dhe akuzave për korrupsion, të cilat nuk i janë ndarë qeverisë së VMRO qysh nga viti 2015. Duket se për të shmangur burgosjen e miqve të tij, Ivanov po derdh benzinë mbi përplasjet etnike mbi një çështje të parëndësishme si përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni konsiderojnë se rruga e vetme për dalje nga ngërçi politik është mbledhja e Parlamentit dhe formimi i Qeverisë së re, ndërsa Zaev ka paralajmëruar se llogaritë e gabuara në përplasjet e tanishme mund t’i “vënë zjarrin vendit”. Ish-kryeministri Gruevski, ende shpreson se, pas fitores të Trump, do të konsiderohen ankesat për atë që e sheh si mbështetje e SHBA-së për forcat e opozitës. Zyrtarët e VMRO DPMNE shpresojnë se presidenca e Trump do të sjellë një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së ndaj Maqedonisë. Gjatë kohëve të fundit ata kanë kanë kritikuar administratën Obama, si dhe organizatat joqeveritare të financuara nga miliarderi amerikan George Soros për atë që e quajnë komplot kundër Maqedonisë dhe qeverisë maqedonase.
Ndërkohë, kjo klimë në Maqedoni është një nxitës për moralin me objektiva në politikën e brendshme, me synimin e gjallërimit të mbështetësve të VMRO DPMNE në një kohë kur partia është përballur me skandale korrupsioni dhe nuk mundi dot, të krijojë qeverinë pas zgjedhjeve të fundit. Por; Do të jenë qytetarët e Maqedonisë ata që, duhet të kuptojnë se organizimi i protestave kundër gjuhës shqipe bëhet për politikë ditore dhe pas protestave fshihen qëllime të tjera, që të destabilizohet Maqedonia për ta shpëtuar veten?! Në rastin e Maqedonisë, Rusia po shpreh se i mbron VMRO-DPMNE-në, pasi shpreson që qeverisja nga ky spektër i politikës maqedonase, mbrohen interesat ruse në Maqedoni si dhe realizohen planet ruse në përgjithësi në Ballkan. Përfshirja e Rusisë në situatën politike të Maqedonisë, përbën një temë sfiduese kërkimore, nga njëra anë, dhe një proces emocionues të hetimit për të zgjeruar të kuptuarit e politikës botërore nga ana tjetër.
Një ndikim dhe implikim i tillë, është një kërcënim që mund të rezultojë në një shkelje të paqes dhe sigurisë rajonale. Bazuar në taktikat e nxitjes së konflikteve që ka realizuar Moska deri më sot, Maqedonia plotëson kushtet ideale për të krijuar një vatër të re destabilizimi në rajon. E nëse kjo mund të ndodhë, shqiptarët duhet të jenë unik rreth objektivave strategjike të shtruara në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë. Krahas unitetit të nevojshëm vigjilenca është e domosdoshme, sepse të gjithë ata që kanë interes që në Maqedoni të ndizen gjakrat, çojnë ujin në mullirin e WMRO-së, e cila është forca politike përfaqësuese e urrejtjes ndërnacionale, dhe tashmë e mbështetur hapur nga Moska zyrtare. Do të kishim dashur që shqiptarët të mos përfshihen në eskalimin e situatës, sepse realisht kjo krizë në Maqedoni është krizë politike dhe jo ndëretnike. VMRO-DPMNE tanimë po jep sinjale se mund të ketë trazira, nëse shkon në opozitë, ndaj në skenarët e protestave përfshirja e shqiptarëve si pjesë e problemit është e pashmangshme. Social demokratët e Zoran Zaevit, bëjnë thirrje VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit që të mos pengojë transferimin e qetë të pushtetit dhe të pranojë faktin se do të shkojë në opozitë. Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja, thotë se do ta mbështesë Zaevin ta formojë Qeverinë e re, në qoftë se ai e hedh poshtë platformën e partive politike shqiptare.