Koço Kokëdhima: Rruga e Kombit, qeveria dhe PD tradhtojnë popullin

Opinion Politika

Turp! Nga Miloti deri në Kukës qeveria ka rreshtuar policinë. Forcat speciale janë vendosur në çdo karburant, si dhe në hyrje e në dalje të tunelit të Kalimashit. Çfarë ka ndodhur? As kur Serbia sulmoi UÇK-në në Malin  e Pashtrikut, nuk ka pasur kaq shumë të mobilizuar.

Shteti është vendosur kundër popullit të vet. Kërkojnë të frikësojnë popullin që të mos protestojë për tarifën e Rrugës së Kombit.

Nga sot, ata më shumë se pjesa e tjetër e popullit, këtej dhe matanë kufirit, duhet të kalojnë me pagesë. Qeveria e PD-së e përdhosi e para ëndrrën tonë të bashkimit kombëtar që mundësoi kjo vepër. Zyrtarët e lartë të saj, vodhën për xhepat e tyre të paktën 200 deri në 300 milionë euro nga buxheti duke e lënë të papërfunduar këtë vepër, që edhe kështu, deri tani ka marrë afro 1,3 miliard euro. Kontratën për ndërtimin e saj Saliu dhe Basha ua dhanë miqve të tyre amerikanë dhe turq pa tender, pa projekt dhe pa çmim tavan! Qeveria e sotme u kërkon atyre që do të udhëtojnë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas të paguajnë nga 5 euro. Përmes tarifave direkte dhe taksave, populli do paguajë 400 milionë euro në 30 vite.

Partia “Zgjidhja” e kishte paralajmëruar se kjo opozitë do ta tradhtonte popullin, do ta linte të gjakosej dhe burgosej, dhe në krahun tjetër do të vazhdonte pazaret me maxhorancën. Qeveria dhe opozita së bashku i kanë bërë presion këshilltarëve, të zgjedhurve të PD-së, kuksianëve të thjeshtë, që të mos bëjnë zë, të mos protestojnë, të pranojnë në heshtje tarifën e korrupsionit. PS dhe PD, janë në një bashkëpunim e marrëveshje, bëjnë sikur zihen, por janë në  mbrojtje të interesave korruptive të përbashkëta. Ku janë deputetët e Kukësit? Pse fshihen si struci?

Partia “Zgjidhja” i kërkon opinionit të ndërgjegjësohet. Iu bëjmë thirrje qytetarëve të mendojnë pak, se këto flirte të opozitës me qeverinë për të ligjëruar korrupsionin, kanë reflektim shumë më të gjerë se sa ato miliona që na vidhen tek ai tra që u vendos sot në Kalimash. Ndikimi do të jetë ekonomik, direkt në numrin e turistëve që vijnë nga Kosova dhe në çmimet e tregtisë mes dy vendeve. Nga ana tjetër, marrëveshja PD-PS synon nënshtrimin, dekurajimin dhe shtypjen e popullit, duke i lënë njerëzve të pashpresë vetëm një rrugë, largimin nga vendi. Nga ana tjetër, ky tra i korrupsionit, i vendosur në Kukës këtë kohë të trazuar, kur diskutohen fatet e Kosovës, kufijtë e saj, është një dhuratë për Serbinë dhe armiqtë e kombit, që na duan të ndarë.

Partia “Zgjidhja” iu bën thirrje forcave të policisë të kryejnë detyrën kushtetuese dhe të mos e pengojnë popullin e Kukësit të ushtrojë të drejtën e grumbullimit dhe të protestës. Partia “Zgjidhja” iu bën thirrje këshilltarëve të Kukësit, të sillen si përfaqësues të qytetarëve dhe të mos pranojnë urdhra e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Rezistoni dhe mos u frikësoni! Bashkimi i dy partive të vjetra në afera korruptive vetëm sa do të shpejtojë fundin e tyre politik.