Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare.
Të dy personalitetet kanë folur për të ardhmen e shqiptarëve. Kadare ka theksuar edhe njëherë në këtë takim se shqiptarët e kanë të ardhmen e tyre natyrale në Europë. “Në themele të natyrshëm, shqiptarët janë europianë. Populli shqiptar dhe shtetet shqiptare duhet të ecin vetëm në rrugën e Europës së Bashkuar”, tha Kadare. Ai shtoi se etnia shqiptare aktualisht është e favorizuara e fatit në Ballkan, shkruan “Koha.net”.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vlerësuar si të drejta qëndrimet e mbajtura nga ana e Kadaresë. Thaçi tha se Kadare përmes penës së tij ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në pavarësimin e shtetit. “Kadare ka shkruar që në vitet nëntëdhjetë në shtypin francez kryesisht për çështjen madhore të Kosovës, duke dhënë kontribut të paçmuar në pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan”, ka thënë Thaçi. Gjithashtu, kreu i shtetit të Kosovës ka vlerësuar përkrahjen që Ismail Kadare i ka dhënë delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.
Duke i uruar shëndet, Hashim Thaçi tha në fund se shpreson që Kadare të jetë ndonjë ditë edhe laurent i çmimit “Nobel” për letërsinë.