Edhe pse koha për dialog nuk pret, kryeministri dhe kreu i opozitës vazhdojnë avazin e vjetër duke lëshuar në distancë deklarata me të njëjtën retorikë. Njësoj si në tre ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka përsëritur vetveten duke thënë se është i gatshëm të dialogojë pa kushte dhe se për këtë po priste prej 3 ditësh një përgjigje nga Basha, por duke mos bërë asnjë hap para. “Lulëzim sot 3 ditë që pres vendin, orën për të nisur dialogun pa kushte! Gjejmë zgjidhje votojmë Vetting-un shkojmë në zgjedhje. Mos ki frikë!”. Ky është statusi që ka shkruar dje kryeministri Rama në rrjetet sociale, që është përsëritur shumë herë prej tij këto ditë. Nga ana tjetër, dhe kreu demokrat ka kopjuar kryeministrin duke i kthyer Ramës deklaratën që këto tre ditë e ka thënë në çdo dalje të tij: Kemi vënë në dispozicion negociatorin nëse me të vërtetë Rama do dialog. Dialog për zgjidhjen e krizës politike përmes formimit të një qeverie teknike.
Duke qenë se nisja e dialogut është temë që gjithnjë e më shumë duket e pamundur, dy drejtuesit kanë menduar që ti japin kolorit replikave të mërzitshme duke futur pjesë të fjalorit të tyre dhe batutën që takimi të bëhet në çadër. Duke iu përgjigjur dëshirës së Ramës që të vijë në çadër, Basha thotë: Unë them të vijë në çadër pasi të ketë firmosur dorëheqjen. Nga ana e tij Rama, që nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, zgjodhi një banor të Cakranit për t’ia bërë ftesën Bashës edhe më origjinale. “Thuaji si demokrat, ‘të lutëm kryetar, takoju, bisedoni bashkë se ja, ky po më prek dhe nuk po më ndodh gjë’. Atë s’e prek farë unë me dorë”, tha Rama në një takim me qytetarët. Por kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha publikoi një mesazh që identifikonte banorin e Cakranit si babain e trafikantit dhe kultivuesit më të madh të hashashit në Cakran. Sipas Bashës, Edi Rama po sillet njësoj si Ramiz Alia në ditët e fundit të regjimit, por vullnetarët e Enverit i ka zëvendësuar me vullnetarët e hashashit. Ndërkohë që kryeministri Rama i kërkon ndjesë personit në fjalë për reagimin e “anormal”, siç shprehet ai, nga kreu i PD, Lulzim Basha. “Sot isha në Cakran të Fierit, ku ndër të tjerë pata edhe një dialog me zotërinë në videon bashkëngjitur.
Jam sinqerisht shumë i keqardhur për të, sepse për shkak të këtij momenti njerëzisht miqësor komunikimi që mund ta shihni vetë, u sulmua egërsisht (madje familjarisht) nga Lulëzim Basha si kriminel e si trafikant i shitur tek krimi! I kërkoj shumë ndjesë zotërisë për fjalorin anormal të kryetarit të PD-së dhe i lutem atij e familjes së tij të mos e marrin seriozisht Lulëzim Bashën që mesa duket e ka humbur fare busullën”, shkruan Rama në Facebook. Pak orë më vonë, kryeministri Edi Rama në një takim me të rinjtë në Apolloni foli sërish se kush do qeveri “teknike” apo “besimi”, ndërsa nuk ka kursyer dhe thumbat për aleatin e tij, Ilir Meta. Sipas kreut të qeverisë debati që ka ngritur në fokus opozita prej kohësh nuk ka lidhje me zgjedhësit. Ndër të tjera ai tha se votimi në 18 qershor ka lidhje me Shqipërinë që duan shqiptarët. “Zemrën nuk ia çajmë dot njëri-tjetrit, por kush do të shtyhen zgjedhjet të ngrejë dorën? Kush do qeveri teknike? 1,2,3, po qeveri besimi? Debati për qeveri teknike, besimi shtyrje zgjedhjesh e me radhë, është një debat që s’ka lidhje me arsyet pse zgjedhjet duhet të realizohen dhe pse duhet votuar”, theksoi ai.