Presidenti Amerikan Donald Trump ka kërkuar që të shihen mundësinë për ndërhyrje ushtarake ndaj regjimit të Koresë së Veriut për të shkatërruar programin e saj bërthamor. Lajmi vjen në kohën kur Kim Jong është duke u përgatitur për një tjetër test bërthamor brenda 15 ditësh, kur edhe shënohet 105 vjetori i ditëlindjes së gjyshit të tij, Kim Il-sung, që konsiderohet si themeluesi komunist i Koresë së Veriut. Presidenti i SHBA-ve ka urdhëruar nisjen e luftë-anijes “USS Carl Vinson” drejt Gadishullit Korean, që synon shfaqjen e forcës ndaj Koresë së Veriut. Frika shtohet ndërkohë që Pheniani pritet të kryej një tjetër provë bërthamore si dhe përgatitjen e testit të raketës balistike ndërkontinentale, një lëvizje që përfshin në rrezet e veprimit Australinë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Presidenti ka kërkuar që të jemi të përgatitur për t’i dhënë atij një gamë të plotë të opsioneve për të hequr këtë kërcënim ndaj popullin amerikan dhe aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon“, ka thënë këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zt. Trump HR McMaster. Sipas tij Koreja e Veriut është angazhuar vazhdimisht në sjellje provokuese dhe se për zt.Trump, kjo “është e papranueshme dhe se ajo që duhet të ndodhë është de-nuklerarizimi i Gadishullit Korean”.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson duke ilustruar me sulmet me raketa ndaj bazave ajrore siriane, tha se Shtetet e Bashkuara janë në gatishmëri ndaj regjimeve të papërgjegjshme. “Mesazhi që çdo komb mund të marrë është; në qoftë se ju shkelni normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, në qoftë se ju bëheni kërcënim për të tjerët, në një moment ka të ngjarë që të merrni një përgjigje”, tha ai. Ai shtoi se në kushtet e Koresë së Veriut, Uashingtoni ka qenë i qartë se objektivi mbetet që Gadishulli Korean të mos ketë armë bërthamore.
Koreja e Veriut ka organizuar pesë teste bërthamore, dy prej tyre vitin e kaluar, dhe imazhet satelitore sugjerojnë se vendi i vetmuar është duke u përgatitur për testin e gjashtë. Pheniani zyrtar e konsideroi sulmin e SHBA-ve ndaj Sirisë si “akt agresioni të pafalshëm”.
Nga ana tjetër Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson kritikoi Rusinë duke thënë se ka dështuar për të parandaluar Sirinë nga kryerja e një sulmi kimik në qytetin e mbajtur nga rebelët. “Rusia kishte rënë dakord të siguronte se rezervat e armëve kimike siriane ishin shkatërruar dhe dështimi i saj bëri të mundur bëri të mundur sulmin,” tha ai. Të martën Tillerson do të udhëtojë drejt Moskës ku pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Rusia është aleatja kryesore e Sirisë, dhe ndihmoi atë të lehtësonte marrëveshjen e 2013 për shkatërrimin e armëve kimikie siriane.
Ndërkohë sulmi i dyshuar kimik në Khan Sheikhoun të mërkurën e kaluar shkaktoi 89 të vdekur. Në përgjigje SHBA lëshoi 59 raketa në bazën ajrore siriane të premten. Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë, ndërsa Rusia thotë se SHBA nuk ka dhënë asnjë evidencë se Siria ka përdorur armë kimike. Megjithatë qëndrimi i fortë dhe i menjëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë mbështetjen nga shumica e vendeve. Kjo duke e konsideruar të padrejtë sulmin e Asad ndaj popullsisë civile si dhe përdorimin e armëve kimike ndaj tyre. Pavarësisht qëndrimit të Rusisë, tashmë Assad ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes së tij.
Edhe Kina e pranon
Një sukses të vogël, Uashingtoni me Pekinin e arriti. Nga sa pohon vet shefi i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson, Kina e kupton sesa i rrezikshëm është bërë programi bërthamor i vendit të izoluar komunist dhe pranon se duhet kaluar në aksion për frenimin e tij. Komentet vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara nisën një grup goditës të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja “Carl Vinson” drejt gadishullit korean, ndërsa shtohen gjithmonë e më shumë spekulimet se Peniani po përgatit një tjetër test bërthamor. “Edhe Kina vet ka nisur ta pranojë se ky lloj programi përfaqëson një kërcënim ndaj interesave të saj. Presidenti Xi e kupton dhe kam bindjen që edhe e pranon se situata është përshkallëzuar pak si shumë e ka mbërritur një nivel kërcënimi, ku kalimi në veprim duket i domosdoshëm”, tha Rex Tillerson.
Tillerson nuk sqaroi se për çfarë veprimi mund të bëhet fjalë saktësisht, por muajin e kaluar në Seul, kryediplomati amerikan pati thënë se vendi i tij do ta marrë në konsideratë aksionin ushtarak kundër Koresë së Veriut, nëse provokohet prej saj. Një ditë më parë, këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, H.R. McMaster njoftoi se shefi i Shtëpisë së Bardhë u ka kërkuar zyrtarëve amerikanë t’i paraqesin “opsione” për të eliminuar rrezikun që paraqet militarizimi bërthamor i Penianit. McMaster e cilësoi “një veprim të mençur” vendimin për të dërguar njësinë luftarake “Carl Vinson” në mbrojtjen e interesave në Paqësorin Perëndimor.