Ministri grek i mbrojtjes: Shqipëria e Madhe, në dëm të vetë Shqipërisë

Greqi

Pas ministrit të jashtëm grek, edhe ministri i mbrojtjes i vendit fqinj, ka folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, në kohën që media greke ditët e fundit, ka rinxjerrë në skenë skenarët për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”.

Ministri i mbrojtjes, Panos Kammenos, i është referuar kësaj tema gjatë një interviste për televizionin Skai.

 “Shqipëria duhet ta kuptojë se është në interes të saj të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë. Zërat për Shqipëri të Madhe apo forcimi i grupeve ekspremiste islamiste, apo i kapadainjve që nxjerrin pretendime të ndryshme për Greqinë, funksionojnë në dëm të vetë Shqipërisë. Natyrisht, Shqipëria duhet të vijë të bisedojmë. Të flasim  edhe për të drejtat e voriepirotëve. Dhe, nëse ka interesa të Shqipërisë, mund t’i diskutojmë, por jo çështje që kanë përfunduar qysh në luftën e dytë botërore, si çështja çame”, tha ministri grek i mbrojtjes.

Ai ka thënë gjithashtu gjatë intervistës, se Greqia është në favor të mos ndryshimit të kufijve. Mirëpo ka shtuar se “nuk do t’i lemë të pambrojtura popullatat kristiane apo të lejojmë shkeljen e të drejtave  njerëzore të tyre”.

Kammenos, është kryetar i partisë së djathtë Grekët e Pavarur, aleati i vetëm i radikalëve të majtë në qeveri. Kammenos ka shprehur shqetësimin e Athinës për mundësinë e krijimit të një boshti ekstremist islamik në rajon, si dhe ka treguar se në ç’mënyrë sipas tij mund të përballohet ky rrezik:

“Garanci për perëndimin është krijimi i një boshti kristian që të mos përhapen grupet ekstremiste islamike”, ka thënë Kammenos, duke shtuar se Athina po diskuton paralelisht me izraelitët, arabët dhe libianët në jug, si dhe me bullgarët, rumunët dhe serbët në veri.