Takimi me zyrtarin e DASH: Bojkoti nuk është zgjidhje

Kryesore Politika

“Bojkoti nuk është zgjidhje” kështu është shprehur kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë takimi që pati me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA z. Hoyt Brian Yee.

Meta i ka shprehur zyrtarit të DASH që edhe mazhoranca duhet të tregojë vulentin e saj për ti plotësuar kërkesat opozitës.

“Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit. Njëkohësisht mazhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj.” – theksoi z. Meta.

Në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit thuhet se Ilir Meta i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe vuri theksin mbi rëndësinë e thellimit të këtij partneriteti strategjik në interes të avancimit me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me procesin e integrimit evropian të vendit.

Nga ana e tij Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA  Hoyt Brian Yee e uroi Meta për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Republikës dhe vuri në dukje se SHBA do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se gjithëpërfshirja dhe dialogu konstruktiv janë vendimtare për përshpejtimin e integrimit evropian, për sundimin e ligjit, për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për legjitimitetin e institucioneve të vendit.

/Oranews.tv/