Bushati : “Rusia s’mund të jetë kurrsesi alternativë e besueshme në rajon”

1239

 

Ministri Ditmir Bushati deklaron se Rusia nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi alternativë e besueshme për askend në rajon.

Në një intervistë për “Koha Ditore” Bushati analizoi rolin dhe ndikimin e saj në rajon

Pyetje: Deklaratat e vendeve të treta(Rusisë) në lidhje me zhvillimet në Maqedoni, e jo vetëm, kanë qenë pothuajse më të shpeshta sesa ato të BE-së dhe SHBA-së. Gjithashtu, Rusia është shprehur ashpër edhe mbi rrezikun e krijimit të  “Shqipërisë së Madhe” dhe kundër lirimit të Haradinaj. A po mundohet të pozicionohet Rusia si një alternativë e BE-së dhe SHBA-së në rajon?

Ditmir Bushati: Roli, aktiviteti dhe ndikimi i Rusisë në rajon vlen të analizohet me kujdes. Në realitet, Rusia nuk ka qenë asnjëherë shumë larg rajonit kjo edhe për shkak të lidhjeve të ndryshme historike, politike, ekonomike, tregtare, ushtarake e shpirtërore që ka me vende të veçanta. Por, shkalla e implikimit të saj në rajon këto dy vitet e fundit është e pazakontë. Dua të theksoj se ne duam të kemi marrëdhënie normale me Rusinë dhe jemi të gatshëm të eksplorojmë fushat me interes. Por, kemi ndërkohë jo pak gjera që na ndajnë.

Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në rajon, shprehet hapur kundër veprimtarisë së Bashkimit Evropian me vendet tona dhe po mundohet përmes mjeteve të saj të propagandës të promovojë vlera, parime e ide që shkojnë në drejtim të kundërt me ato që ka zgjedhur rajoni. Rusia ka bërë në pak muaj më shumë deklarata publike mbi ngjarjet në Maqedoni sesa gjatë dy dekadave të kaluara. Ajo vazhdon të ketë një qendrim aktiv e hapur kundërshtues ndaj Kosovës. Hetimet mbi planin e dështuar për të krijuar kaos dhe destabilizuar Malin e Zi i ka cuar autoritetet e atij vendi të drejtojnë gishtin drejt Moskës.

Rusia nuk humbet më asnjë rast për të vënë në dukje se çdo vështirësi që hasin vendet e rajonit e ka origjinën tek ndërhyrja nga jashtë e Bashkimit Evropian.

Në këtë këndvështrim, influenca e saj nuk mund të jetë pozitive dhe e mirëpritur. Prandaj, edhe bashkimi i saj vazhdimisht me zërat që flasin për Shqipërinë e Madhe duhet parë në këtë kontekst.

Ne mendojmë se Rusia nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi alternativë e besueshme për askend në rajon. Ne nuk besojmë se ndokush në rajon është aq naiv sa të joshet nga e ashtuquajtura ofertë ruse përkundrejt asaj që ofron procesi euroatlantik. Në çdo rrethanë, kjo nuk ështe e nuk do të jetë ndonjëherë zgjedhja jonë.

Por, një gjë duhet pasur mirë parasysh: aktorët e tretë, cilëtdo qofshin, do të shfrytëzojnë çdo hapësirë të lirë veprimi që do t’u mundësojnë magësitë e gabimet tona të brendshme si dhe mungesa e vëmendjes, tërheqja apo mefshtësia e BE-së dhe e patnerëve të tjerë. Prandaj është e shumë e rëndësishmë që projekti evropian të jetë më dinamik, më konkret dhe i shpjetë e më rezultativ. Komisioneri Hahn ka plotësisht të drejtë kur thotë se BE-ja duhet të eksportojë më shumë stabilitet që të mos importojë paqendrueshmëri nga Ballkani Përendimor. Është shumë e rëndësishme që kjo të përkthehet qartë në realitet dhe ne jemi të gatshëm dhe totalisht të angazhuar në këtë rrugë./oranews/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: