Gjatë një takimi me fermerët në Manëz, kryeministri Edi Rama e ka vënë theksin tek reforma në drejtësi. Ai deklaroi se më në fund u arrit qëllimi për votimin e Vetting-ut, një arritje të cilën ai e cilësoi si historike për vendin.
“Vetting-u nuk fillonte për shkak se Partia Demokratike kishte ikur nga Parlamenti dhe natyrisht që rifillimi i jetës parlamentare dhe zhbllokimi i Vetting-ut do të fillonte nga kthimi i PD-së, që me 50 përqindëshin e vetë e kishte bllokuar procesin”, ka thënë Rama.
Kreu i qeverisë është shprehur se, “vetëm kur pallati i drejtësisë të pastrohet nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar do të fillojë drejtësia e re, para të cilës do të jenë të gjithë të barabartë e ku të gjithë do të marrin dënimin e merituar”.
“Sot Shqipëria është më e mirë se ç’ishte dje në mëngjes, është më dinjitoze në sytë e partnerëve sepse kjo që arritëm ishte një marrëveshje për shqiptarët. Një marrëveshje pas të cilës askush nuk mund të thotë jo doli kështu, jo doli ashtu”, ka thënë kryeministri Rama.