Dalin emrat e qeverisë së re Rama, ja 17 ministrat…

Aktualitet

Duket se ende pa u certifikuar zyrtarisht rezultati final i zgjedhjeve të 25 qershorit, ku fitues dhe forcë e parë u rëndit Partia Socialiste, kryeministri Edi Rama ka nisur menjëherë nga puna për organizimin e strukturës bazë të qeverisë, kabinetin e ri.

Nga këto zgjedhje Partia Socialiste arriti të marrë plot 74 vende në Parlamentin e ri, duke shpallur Edi Ramën tashmë “timonierin” e vetëm që do të qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme, ndërsa përballë do të ketë një opozitë dyngjyrëshe, siç e cilësoi edhe vetë kryeministri në fjalimin e tij të parë, në festën e PS në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, pak ditë më parë.

Megjithatë, duket se Rama ka nisur menjëherë nga puna për ndërtimin e listës së re ministrore. Pas listave të publikuara dje në media, një tjetër listë e çuditshme po qarkullon orët e fundit mes analistësh dhe në pamje të parë vihen re lëvizje të forta të figurave qendrore socialiste në dikasteret drejtuese.

Kështu, ministrat e 4-vjeçarit të kaluar janë sërish pjesë e listës, por jo në pozicionet e mëparshme, ndërsa i vetmi që gëzon postin e mëparshëm është vetëm Edi Rama-kryeministër.

Kështu, Lindita Nikolla, ish-ministre e Arsimit, e cila u shkarkua pas marrëveshjes së 17 majit me Lulzim Bashën, mesa duket do të vijë “më e egër”. Ajo është renditur si drejtuesja e ardhshme e ministrisë së Mbrojtjes. Këtë post e mbajti deri në fund të mandatit Mimi Kodheli, e cila mesa duket këtë mandat do të “ngrihet” në detyrë për ta parë si numrin dy të qeverisë, në postin e zv.kryeministres. Kujtojmë se Mimi Kodheli ishte kandidate në qarkun e Kukësit, e cila edhe pse me një fushatë shumë të vështirë për PS-në, sërish  arriti të sigurojë mandatin e deputetes. Qarku i Kukësit dhe ai i Shkodrës, ishin të vetmit që o dhanë fitoren PD në zgjedhjet e 25 qershorit.

Po ashtu,  një tjetër kapërcim interesant është edhe lëvizja e Ditmir Bushatit nga ministria e Punëve të Jashtme në atë të Drejtësisë, ashtu si edhe Damian Gjiknuri, i cili nga ministria e Energjitikës “hidhet” tashmë të ajo e Transporteve, të cilin e qeveriste ministri i LSI, Sokol Dervishaj.

E njëjta situatë edhe me ish-ministrin e Çeshtjeve Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili kalon te ministria e Kulturës, ndërsa Mirela Kumbaro duket se “nuk i ka bërë vend vetes” në këtë mandat të dytë, pasi ajo është përjashtuar nga kjo listë që po përflitet në rang analistësh.

Një tjetër surprizë, është ministri e Mjedisit. Duket se Lefter Koka i LSI do të ketë një pasardhës nga shtabet e rinisë socialiste, Eljo Hyska. Ndonëse renditej i 20-ti në listën e qarkut të Tiranës  dhe nuk arriti të marrë mandatin e deputetit, mesa duket Rama ka menduar diçka më të mirë për të, postin e ministrit të Mjedisit.

Në listë renditen 17 emrat e mundshëm me emrat surprizë të kabinetit të ri, megjithatë nuk është ende zyrtare.

LISTA E PLOTË E KABINETIT “RAMA 2”

Edi Rama             Kryeminister

Mimi Kodheli        zv. Kryeminister

Fatmir Xhafaj       Minister i Brendshem

Evis Kushi           Minister i Jashtem

Lindita Nikolla     Minister i Mbrojtjes

Olta Xhacka        Minister i Integrimit

Ditmir Bushati     Minister i Drejtesise

Dhimo Kote        Minister i Bujqesise

Damian Gjiknuri Minister i Transporteve

Eduard Shalsi    Minister i Reformave

Ilir Pendavinji     Minister i Shendetesise

Arben Ahmetaj   Minister i Financave

Niko Peleshi       Minister i Ekonomise dhe Turizmit

Almira Xhembulla Minister i Arsimit

Ardian Cela         Minister i Energjise

Blendi Klosi       Minister i Kultures

Besnik Baraj      Minister i Ceshtjeve Sociale dhe Rinise

Eljo Hysko        Minister i Mjedisit

/Newsbomb/