Në një kohë që UKT u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin e pijshëm, por ta përdorin atë me kursim për sa kohë temperaturat janë rritur ndjeshëm dhe muajt e fundit nuk ka pasur reshje shiu, e njëjta situatë shfaqet edhe në Itali dhe në disa vende të tjera të Europës.
Thatësira në Itali duket se ka prekur nivele alarmante e duket se kjo gjendje shkon më tej, duke parë edhe krizën hidrike me të cilën po përballet i gjithë gadishulli. Pas kërkesës drejtuar qeverisë për shpalljen e gjendjes së emergjencës, gjendje e cila u bë edhe më kritike ditët e shkuara nga Emilia Toskana, Veneto dhe Sardenja, Këshilli i Ministrave ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në provincat e Parmës dhe Piaçencës.
Për t’i bërë ballë thatësirës nëpër fusha dhe për të garantuar ujë të pijshëm në të gjithë rajonin, u organizua një takim me përfaqësues të konsorciumit, shoqatat e agrikultorëve dhe menxhues të shërbimit hidrik.
Kritike është gjendja edhe në Toskanë. Thatësira në Itali ka prekur kryesisht pellgun ujor dhe Alpet perëndimore, si edhe liqenin e Bracciano-s, në Lazio dhe Sardenjën, thotë në një deklaratë Ministria e Mjedisit. Në Italinë Qendrore, “situatë më problematike paraqitet sigurisht në Romë dhe komunat përreth, që lidhet kryesisht me situatën në liqenin e Bracciano-s, niveli i të cilit, në fund të majit ishte +5 cm mbi zero. Në Sardenjë, “viti i kaluar rezulton të ketë qenë viti më i thatë, nga vëzhgimet e kryera që nga viti 1922”.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Romës Virginia Raggi ka lëshuar një urdhëresë e cila kufizon përdorimin e ujit për të ujitur kopshte e bahçe, mbushjen e pishinave, larjen e automjeteve. Urdhëresa do të jetë në fuqi deri në shtator, në të gjithë territorin e Romës kryeqytet. Kjo nismë lejon përdorimin e ujit të pijshëm për përdorim shtëpiak e sanitar, përfshirë edhe shërbimet publike që kanë të bëjnë me higjienën urbane. Strukturat përkatëse do të kryejnë kontrolle për të verifikuar respektimin e kësaj urdhërese.
Temperaturat e larta dhe mungesa e shirave kanë krijuar një situatë problematike në shumë vende të Europës, duke i detyruar qeveritë qendrore dhe ato vendore në këto vende që të marrin masa të forta për kursimin e ujit.
/Oranews.tv