nga Azem PARLLAKU /
“Përgjegjës jeni ju, ndaj të gjithë duhet të ikni”, kështu shpërtheu kryeministri Edi Rama në mbledhjen me drejtorët e Hipotekave, ku ka përmendur informacionet e dërguara në zyrën e tij. Ai i kritikoi ashpër duke u shprehur se raportet e tyre ishin fiktive dhe në fund u kërkoi të jepnin dorëheqjen. Më vonë mediat raportuan se, “Furtuna” e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për krerët e Hipotekave, nuk është e vetmja.
Duket se para krijimit të qeverisë së re ai ka vendosur të shkrijë një drejtori të rëndësishme të Tatimeve në gjithë Shqipërinë për shkak të rezultateve jo të kënaqshme. Rama në ndërkohë kishte kërkuar dhe ka marrë dorëheqjen e Drejtuesit të Përgjithshëm të Hetimit Tatimor, si dhe dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të hetimit tatimor në rang Republike. Duke vepruar kështu, Rama po dëshmon se është tani një kryepolitikan shumë i fuqishëm në një demokraci shumë të brishtë. Shansin e madh që i’u dha apo që e rrëmbeu po tenton t’a përdorë për të forcuar e pavarësuar institucionet që t’a mbrojnë demokracinë nga vetja e tij dhe nga pasardhësit në pushtet. Mund t’i duket pa kuptim kjo fjali Edi Ramës, po pas fitores aq të madhe në zgjedhjet e fundit, armikun më të madh tani ka vetveten e si ai edhe demokracia shqiptare.
Duke i’u referuar dëgjesave me njerëzit Rama dhe bashkëpuntorët e tij, sapo kanë nisur të kuptojnë se mes arrogancës dhe prekjes reale të halleve të qytetarëve, gjithmonë më e pëlqyer është e dyta, mbasi qytetarët minimalisht kanë nevojë t’i dëgjojë dikush. Këto ditë më shumë se kurrë po e shohim dhe po e kuptojmë se si përgjatë mandatit të parë të qeverisjes së Ramës, politikanët qenkan tallur dhe e paskan braktisur popullin.
Po shohim se si korrupsioni dhe papërgjegjshmëria qenka përhapur si infeksioni kërcënues në trupin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Përgjatë qeverisjes së shkuar politikanët dhe shërbetorët e popullit nuk paskan bërë gjë tjetër veçse, na paskan vrarë çdo ditë, teksa askush nuk paska dëgjuar.
Na paskan vrarë duke na i shitur pronat, na paskan vrarë me antenat, me mishin nga Brazili, me miellin nga Serbia, me pulat nga Argjentina, me qumështin pluhur, që pastaj bëhet kos dhe ne vrasim mendjen hahet apo pihet.
Na paskan vrarë me hashashin, me ajrin me përqindjen më të ndotur në Europë, me ujin qe vjen erë, me trafikun e çdo mëngjesi, me shëndetësi falas, me konçesione duke na djegur në spitale private. Por ç’është më e keqja na e vranë shpresën, ndaj sot jemi në toplistën e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian. Prandaj ikin shqiptarët, prej padrejtësive, prej pamundësive, prej sherreve. Ikin se ndjehen të lodhur dhe të frustuar, ndjehen pa zot, ndjehen të keqardhur dhe në ankth për të ardhmen e fëmijëve.
Nuk ulen njëherë të qetë në tryezën e thjeshtë të bukës, mbasi politikanët e lagjes më të varfër të Europës, janë bërë si fantazma të frikshme. Dhe populli i gjorë i ndjek pandërprerë, teksa poshtërohet sërish. Ikin të rinjtë mbasi rinia e tyre është vrarë me reforma në arsim për të pasuruar diplomoret buzë Lanës.
Rinia është shurdhuar nëpër call centera. Dhe të shkretët nuk ankohen, se ju duhen ato dy para për të paguar shkollën, e për të ngrënë ndonjë vakt bukë. Pse vallë qeverisja i qenka shmangur deri sot përballjes së drejtpërdrejtë me qytetarët?! Sigurisht që Rama si një njeri që ka qeverisur gjatë e ka të qartë se shoqëria është gjithnjë në konflikt me politikën, veçanërisht me politikën që rastis të qeverisë, dhe se kurrë shoqëria dhe populli nuk beson te pushteti dhe te politika.
Populli vëzhgon, vigjëlon e vepron si antipolitikë dhe në rastin më të parë të dëbon nga pushteti. Domosdoshmëria e përballjes në debat e kriticizmi konstruktiv është një fuqi morale dhe intelektuale e pazëvendësushme, që kërkon guximin qytetar, profesionalizëm dhe intelektualë të vërtetë.
Në të kundërt retorikat në distancë, batutat dhe populizmi luftën politike e kthen nga luftë ndaj ideve në luftë ndaj njerëzve. Rama po na tregon hapur se batutat dhe populizmi paskan qenë filozofia e qeverisjes së kaluar të tij, ndryshe ngjarjet nuk do të ishin të tilla siç po i shohim.
Sipas sjelljeve të fundit të Ramës qeveria e ardhshme do të mbajë mbi kokë shumë problematika, por mbi të gjitha i duhet të pastrojë pjesën e ligë të administratës dhe segmentet super të korruptuara të prokurorisë dhe gjykatave. Ne duam një administratë më të përgjegjshme e më të njerëzishme që vjen vetëm duke përjashtuar e ndëshkuar abuzuesit brenda saj.
Duke bërë disa njerëz shembull mund të fillojë, prej frikës a turpit, në mos prej frymëzimit, që të ndryshojë edhe mentaliteti mbizotërues. Vendin e presin reforma të thella si dhe ballafaqim me sfida politike të natyrave të ndryshme. Po trashëgojmë një gjendje të rëndë të vendit në shumë dimensione, me ekonomi të dobët, tension politik, borxh publik të jashtëm, shkallë të lartëtë varfërisë dhe mbi të gjitha vendin me popull të stresuar dhe skajshmërisht të lodhur dhe të zhgënjyer nga klasa politike.
Shqiptarët jo vetëm janë të zhgënjyer dhe tradhtuar nga klasa politike, por edhe të frikësuar. Frika po e ha shpirtin e demokracisë. Pavarësisht se nga disa këndvështrime konsiderohet ndjenjë apo teknikë që mund të na mbrojë nga rreziku, ajo në të vërtetë prodhon shkatërrim për lirinë dhe dinjitetin e njerëzve dhe të shoqërive.
Frika, sipas teorisë politike, e ha shpirtin e demokracisë, u’a mohon individëve zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe e dobëson fuqinë për përfaqësim politik në institucione. Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për një sistem drejtësie dhe kërkese llogarie që funksionon.
Nuk ka nevojë kurrësesi për një kryeministër që na është ulur në mes popullit dhe po na i zgjidh hallet. Për abuzime si ato që po denoncon dhe ndëshkon Rama, duhet të veprojë jo “i pari i shtetit” por hallkat e ulëta të kontrollit të administratës dhe sistemit juridik. Ndërmjet qytetarit të thjeshtë dhe kryeministrit duhet të ketë dhjetëra, në mos qindra mekanizma pushteti që duhet të funksionojnë për të vendosur rregull e drejtësi në administratë.
Nëse puna vjen që duhet ta zgjidhë kryeministri atëherë sistemi ka dështuar dhe përgjegjës për sistemin është vetë ai që po merr meritën për përjashtimet. Sipas kësaj logjike eliminimi i rëndësisë së hallkave të shtetit e pushtetit për të krijuar lidhjen direkte personale ndërmjet kreut të shtetit dhe popullit është përkufizimi i çdo diktature.
Akuzat publike në sy të tij, Rama po i shfrytëzon me mjeshtëri, në ndërkohë që mungon versioni mbrojtës. Nuk ka dëgjim të palës së akuzuar. Nuk ka pafajësi deri në provim të fajësisë. Nuk dihet nëse vetë shkarkimi është uzurpim i detyrës sepse nuk ka ndërhyrje apo opinion nga ministri apo drejtuesi përkatës që mund t’i takojë me ligj të bëjë shkarkimin. Dhe më keq ende nuk ka një opozitë në rolin e saj.
Kështu, PD dhe LSI i kanë hapur luftë njëra-tjetrës për të treguar se kush është opozitë. Basha dhe Kryemadhi po akuzojnë njëri-tjetrin, duke u munduar të nxjerrin partinë e tyre si opozitën reale në mbrojtje të qytetarëve. Kështu që, në mungesë të një mbrojtjeje publike, i akuzuari është automatikisht fajtor, dhe nënshtrimi ndaj kryeministrit zëvendëson frikën nga ligji.