Zjarret në Ballkan

Aktualitet

Temperaturat e larta dhe zjarret kanë përfshirë të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor.

Qeveria e Maqedonisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në territorin e komunave të Makedonski Brod dhe Çashkë, ku prej disa ditësh ka zjarre aktive. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski njëherësh edhe kryetar i komitetit udhëheqës për koordinim dhe menaxhim me kriza deklaroi se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjase 10 ditë.

Vatrat e shumta të zjarrit kanë shkatërruar banesa dhe kanë lënë me qindra pa energji elektrike. Shkupi ka marrë ndihmë nga Turqia dhe Bullgaria për t’u përballur me zjarret e shumta në pyjet e vendit. Sipas policisë, një person ka humbur jetën si pasojë e zjarreve, ndërsa shumë të tjerë presin urdhrat e evakuimit nëse flakët do ti afrohen banesave të tyre. Situatë e ngjashme është edhe në Greqi ku flakët i janë afruar rrezikshëm zonave të banuara të Athinës. Dhjetëra shtëpia u evakuuan në dy komunitet në Lagonisi, pasi zjarret shkrumbuan disa banesa dhe makina. Temperaturat mbi 35 gradë dhe erërat e forta e kanë bërë të vështirë punën e zjarrfikësve, të cilët sidoqoftë kanë mundur të vënë nën kontroll disa vatra zjarri dhe janë shprehur optimistë për të tjerat që mbeten. Autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin Cythira, për shkak të zjarreve që po vazhdojnë aty prej tri ditësh dhe rrezikojnë qendra të banuara. Për tri ditë janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme me pemë, ndërsa disa prej zonave ishin të pyllëzuara sërish pas zjarreve shkatërrimtare në ishull, para 10 viteve. Ishulli Cythira, në juglindje të Peloponezit, është një nga zonat më turistike të vendit. Në gatishmëri për mundësinë e zjarreve mbeten Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, megjithëse deri tani këto vende e kanë shmangur fatin e fqinjëve të tyre jugore. Matanë Adriatikut, edhe Italia është përballur me pjesën e saj të zjarreve, që deri tani në gadishullin e Apenineve kanë qënë të kufizuara dhe autoritetet kanë mundur që ti mbajnë nën kontroll./rtsh/