Kryetari i partisë “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima i ftuar në televizionin ABC News, në një intervistë me gazetaren Juli Xhokaxhi foli në lidhje me politikat ekonomike që duhet të aplikohen në vend.
Kokëdhima tha se në Shqipëri janë bajlozët politikë, ata që ia kanë zënë frymën vendit tonë.
“Ekonomia shqiptare ka probleme të theksuara. Bajlozët politikë ia kanë marrë frymën asaj, duke mos e bërë aspak konkurruese me vendet e tjera në rajon. Ekonomia jonë duhet të jetë e lulëzuar dhe të mund të sjellë më tepër investitorë të huaj. Taksat e larta bëjnë që të huajt të frikësohen dhe të mos investojnë në vendin tonë. Këta kanë rritur taksat dhe mendojnë vetëm për veten. Dhe e thashë se këtë gjë e bëjnë vetëm bajlozët politikë që ne kemi në krye të vendit. Unë nuk flas me shpata, të kuptohemi, por me gjuhë politike. Pasuritë më të mëdha i kanë grumbulluar politikanët, ata që janë në krye të politikës. Nuk ka biznesmenë të këqij, por politika po e shkatërron biznesin. Ka biznesmenë dhe biznese që janë në lidhje të ngushtë me politikën, që ushqejnë bashkarisht korrupsionin, që kanë uzurpuar çdo gjë. Kështu, edhe këta biznese të lidhura me politikën janë bërë bajlozë. Fajin nuk e ka vetëm politika, por edhe disa biznese të lidhura me politikën e mbrapshtë. Kemi biznese të lidhura me politikën që nuk zbatojnë ligjet. Këta janë problemi më i madh i vendit. Ky grusht biznesesh, një grup monopolesh, që kanë shkatërruar ekonominë, së bashku me politikën, kanë bërë këtë vend të poshtëruar. Ne duhet të vrasim politikisht pra bajlozët politikë dhe këta biznese që punojnë ngushtë me politikën dhe nuk zbatojnë ligjet. Po nuk vramë këta, Shqipëria nuk ecën përpara. Sesi duhet t’i vrasim, për këtë bisedojmë vazhdimisht”, tha Kokëdhima.