Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) i varen shpresat e tyre te “ëndrra amerikane” duke aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe duke u renditur kështu të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për lotari. Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptareve që aplikuan për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord prej 367 mijë, sipas statistikave të Departamentit amerikan të Shtetit . Rritja e aplikimeve në Lotarinë Amerikanë ka qenë e lartë, veçanërisht pas vitit 2013 sikurse shikohet edhe nga grafiku.
Sipas analizës së Pew Research Center mbi aplikimet për Lotari Amerikane, në disa prej vendeve një pjesë e konsiderueshme e popullsisë aplikoi. Në Libi rreth 15% e qytetarëve aplikuan për programin, por edhe vende të thera të Afrikës kishin të njëjtën përqindje aplikimi. Në Sierra Leone rreth 14% e popullsisë aplikoi ndërsa në Gana vetëm 8%.
Në Europë vendet me përqindjen më të lartë që kishin aplikuar në programë ishin vendet e lindjes, ku Shqipëria mbante rekordin. Sipas të dhënave të Pee Research Center, pas Shqipërisë renditet Moldavia me 11% të popullsisë, Armenia me 9%.
Ndërsa në Azi vendet që kryesojnë janë Uzbeksitani me 7% dhe Nepali me 4%.
Gjatë 2017-s më shumë se 22.4 milionë njerëz aplikuan në të gjithë botën në programin e vizave amerikane, i cili jep rreth 50 mijë Green Cards, apo leje qëndrimi të përhershme nëpërmjet një sistemi lotarie. Numri i aplikantëve thuajse iu afrua rekordit të vitit 2016 ku në të gjithë botën aplikuan 23 milionë njerëz, kryesisht për shkak se administrata Trump tha se do ta hiqte programin.