Nga Azem Parllaku/
Ndërsa në media shpallen fituesit dhe humbësit ballkanas në Berlin, fakti është krejt ndryshe.
Në Berlin fitues ishin Merkel dhe Macron, thënë ndryshe: në Samitin e Berlinit fitoi logjika e së drejtës ndërkombëtare dhe e parimeve të përcaktuara nga vetë shtetet e fuqishme që kanë menaxhuar flakët e luftës në Ballkanin Perëndimor. I përmbyllur me një darkë joformale Samiti i Berlinit, i cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’i dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perendimor, duket se pati pak rezultat, teksa prej protagonistëve ballkanas presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në përfundim të Samitit tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti “u pajtuam për të mos u pajtuar“, kurse në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas bisedimeve disa orëshe në kuadër të Samitit nuk ishte i kënaqur me “status quon”.
Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës nuk u zhbllokuan, por mbetën veçanërisht të tensionuara, pavarësisht ndërhyrjes së Gjermanisë dhe të Francës, në ndërkohë që Samiti pati angazhime të mëtejshme për të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së. Samiti i Berlinit nxori ato përfundime të njohura më herët nga njohësit e marrëdhënieve nëdrkombëtare dhe të së drejtës nëdrkombëtare: Samiti i tha jo ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mbajti qëndrimet të posaçme për shtete të veçanta lidhur me perspektivën e anëtarësimit në BE.
Dy shtete të fuqishme , dhe pas BREXIT-it të Britanisë së Madhe, më të fuiqshmet në BE, Gjermania dhe Franca, dëshmuan se së paku në nivel të qëndrimit diplomatik, kishin tejkaluar mospërputhjet lidhur me shtetet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht për perspektivën e tyre evropiane, si dhe lidhur me çështjen e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmuan se, Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit. Po kështu nga ana e saj Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut, vendim i cili mund të shtyhet deri në shtator.
Sa i përket dialogut Serbi-Kosovë, Samiti i Berlinit dëshmoi se, në rrafshin diplomatik, fitoi përcaktimi i bashkësisë ndërkombëtare mbi të cilën ishte ndërtuar paqja në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, përcaktime që kishin të bënin me parimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën, sipas të cilave kufijtë e ish-njësive të ish-federatës jugosllave konsideroheshin kufij shtetërorë dhe se ndalohej bashkimi i Kosovës me ndonjë shtet tjetër, me ndonjë union, apo pjesë të ndonjë shteti. Dhe ishte e qartë se ndryshimi eventual i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të hapte detyrimisht ndryshimin e kufijve në rajon, pra edhe mundësinë për gjakderdhje të reja.
Është kancelarja gjermane, Merkel, e cila vazhdimisht në këtë pikë ka mbajtur mbajtur qëndrim të palëkundur. Franca e Macron nga ana e saj jo rrallë ka lënë të nënkuptohet që nuk ishte kundër ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse një gjë e tillë nënkuptonte dhe mundësonte një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Samit i Berlinit ka paralajmëruar që, të lihen mënjanë gjithë ato linja, gjithë ato struktura që gjatë viteve kanë punuar në projektin për ndarje të Kosovës, dhe të rishikohet gjithë qëndrimi i shteteve të rajonit lidhur me mundësitë për një paqe të qëndrueshme, për marrëdhënie që bazohen në fqinjësi të mirë, për zhvillim ekonomik dhe për hapjen e horizonteve të reja për qytetarët e rajonit tonë.
Samiti i Berlinit rikonfirmoi më së miri se; Nëse ka një çështje për të cilën ka kaq shumë interes në botën e ditëve tona, ajo është siguria. Nisur nga rëndësia që ka garantimi i sigurisë, nuk është i rastësishëm fakti që çdo vit zhvillohen kaq shumë takime apo konferenca të niveleve më të larta politike dhe teknike në nivel global.
Në fund të fundit, ky interesim i gjithanshëm shpjegohet me bindjen se garantimi i sigurisë do të mundësonte jetën normale të njerëzve. Në një analizë më konkrete nuk është e vështirë të konstatohet se aktualisht në nivelin europian ekzistojnë rreziqe të cilat në mënyrë të shkëputur apo në bashkëveprim me njëri-tjetrin mund të minojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar por edhe tonat për të garantuar një mjedis sa më të qetë dhe të sigurtë. Këto rreziqe mund te klasifikohen si rreziqe të natyrës strukturore të brendshme të vetë Unionit, si dhe si rreziqe të jashtme kryesisht të natyrës gjeopolitike.
Tendenca që vihet re, e që në një farë mase pasqyron edhe tendosjet brenda Bashkimit Europian, është perceptimi që kanë një numër i konsiderueshëm banorësh në disa vende anëtare lidhur me kontributin dhe garancinë që ofrojnë një pjesë e vendeve brenda Unionit. Kriza ekonomike financiare që mbërtheu Greqinë dhe që kërkoi ndërhyrjen e fuqishme të institucioneve evropianë për ta shpëtuar vendin nga falimentimi, por edhe kriza italiane, ajo spanjolle e portugeze së fundmi dhe Brexit kanë ravijëzuar një perceptim që shkon në një ndarje veri-jug.
Në një pjesë të konsiderueshme të njerëzve që jetojnë në këto vende është krijuar përshtypja se kemi të bëjmë me dy modele të ndryshme të drejtimit të shtetit. Nëse vendet e Evropës Qendrore, Veriore e Perëndimore kanë arritur të ndërtojnë dhe të venë në eficencë institucione shtetërore të besueshme dhe më pak të korruptueshme, e kundërta ndodh me vendet e Evropës Jugore por edhe Lindore, të cilat kanë demonstruar deficite të konsiderueshme në përmbushjen e detyrimeve si ndaj shtetasve të tyre, ashtu edhe ndaj Unionit, prandaj konsiderohen edhe si barrë për vendet e tjera. Këto deficite dhe vështirësi përkthehen në kosto financiare për buxhetin e përbashkët dhe njëkohësisht edhe në qëndrime e vlerësime negative për vendet në vështirësi.
Kjo ka krijuar një hendek në aspektin sesi banorët respektivë e shohin dhe konsiderojnë njëri-tjetrin. Paragjykimet dhe steriotipet për pjesë të ndryshme të kontinentit sigurisht që, nuk i shërbejnë sigurisë dhe integritetit të brendshëm të Bashkimit Europian. I ndërtuar duke pasur në bazë koherencën Bashkimi Evropian do të detyrohej të vuante nga shumë probleme madje të rrezikohej për të ekzistuar nëse kjo koherencë do të humbiste.
Europa është duke e përballuar me kërcënimin më të madh terrorist në 10 vitet e fundit, sipas Zyrës Evropiane të Policisë. Sulmet ndaj revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, në janar të vitit 2015 shënuan një tranzicion të një strategjie më të gjerë të terrorizmit xhihadist, në veçanti i ashtuquajturi Shteti Islamik, frikësoi vendet perëndimore nga sulmet e njëpasnjëshme terroriste që bëri në të gjithë Europën. Por, përveç tyre Bashkimi Europian është i detyruar të marrë në konsideratë edhe rolin e aktorëve të rëndësishëm gjeopolitikë siç janë Rusia dhe në një farë mase edhe Turqia,vende këto që ndodhen në kufijtë natyralë me Unionin. Rëndësia e këtyre vendeve për sigurinë e Bashkimit Europian, lidhet me faktorët siç janë numri i popullsisë dhe i madhësisë gjeografike të tyre, akcesi i tyre në burime të rëndësishme energjetike por edhe si vende transite për kalimin në Bashkimin Europian, jo vetëm të rezervave energjetike aq të nevojshme për konsumatorin dhe ekonominë, por edhe të dukurive dhe fenomeneve kërcënuese që barten nga individë e organizata të ndryshme.
Në dhjetë vitet e fundit Rusia është rikthyer fuqishëm në arenën ndërkombëtare si një aktor i rëndësishëm. Duke shfrytëzuar burimet e saj energjetike, kaq të rëndësishme për shumë vende anëtare të Unionit, ajo ka treguar se në momente të caktuara mund të luajë fort me kartën e furnizimit me energji të Evropës dhe të përpiqet që të mbrojë interesat e saj përkundrejt interesave të Bashkimit Europian në tërësi dhe të shteteve të veçanta anëtare.
Ngjarjet në Ukrainë, janë një tregues kuptimplotë se megjithë përparimet e mëdha të bëra në fushën e sigurisë, Bashkimi Europian nuk është imun ndaj kërcënimeve të reja. Ishte pikërisht përplasja për të ardhmen e Ukrainës që shpuri në konfliktin jo vetëm të brendshëm mes mbështetësve të qëndrimeve të ndryshme në Ukrainë, por edhe në divergjencat dhe këndvështrimet e ndryshme ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit nga njëra anë dhe Moskës nga ana tjetër.
Një aktor shumë i rëndësishëm rajonal si dhe me një rëndësi të veçantë gjeopolitike për interesat dhe sigurinë e Bashkimit Europian, është edhe Turqia e cila ndryshe nga Rusia, po përpiqet që të forcojë dhe stabilizojë rolin e saj përmes rritjes së volumit të tregtisë më prodhuesit lokalë duke e shtrirë atë edhe në procesin e përpunimit të mëtejshëm të mallrave.
Duke parë se perspektiva e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian nuk është shumë premtuese për shkak të qëndrimeve bllokuese të disa prej vendeve më me peshë të Unionit, Turqia nën drejtimin e Erdogan po përpiqet që të kthehet në një superfuqi jo vetëm ekonomike por edhe politike të rajonit. Një ndër kërcënimet aktuale për Bashkimin Europian, është rritja e frymës së euroskepticizmit. Vetëm një dekadë më parë shumë pak studiues mund ta kenë parashikuar se pas 10 vjetësh do të kishte një nivel kaq të lartë të skepticizmit mbi Unionin, fenomen ky që vërehet kryesisht në vendet më me influencë dhe me kontribute më të mëdha anëtare. Sigurisht që ky perceptim lidhet me faktorë të natyrave të ndryshme qofshin këto politike, ekonomike, sociale apo edhe kulturore të cilat në realitet duke ndërvepruar me njëra-tjetrën rezultojnë në rënien e entuziazmit për Europën e Bashkuar.
Fryma euroskeptike, megjithëse fillesat i ka që nga koha kur Britania drejtohej nga kryeministria konservatore Theçer, sot konsiderohet si një fenomen me mbështetje gjithnjë e në rritje. Pas Brexit dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA, në mjedisin politik Europian është shtuar mbështetja për partitë euroskeptike si, AfD në Gjermani, Fronti Kombëtar në Francë, Partia për Lirinë në Holandë, Partia e Lirë në Austri, Lega Nord në Itali, etj. Ajo që shqetëson politikën por edhe shoqërinë civile në shumë vende të Bashkimit Europian, është fakti se në këtë simfoni forcash politike me prirje euroskeptike, shpesh ndërthuren edhe elemente të ideologjisë populiste dhe ksenofobe, të cilat rrezikojnë dhe minojnë sigurinë.