Prof. Dr Arben Malaj: Dështimi i Ballave nuk mund të fshihet pas pseudo-nacionalizmit

Politika

Shefi i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, sipas një televizioni oborrtar të PS-së, paskësh vendosur të kërkojë krijimin e një komisioni hetimor mbi “të ashtuquajturat burgje të UÇK-së në Shqipëri”.

Dr.Arben Malaj ka reaguar në lidhje me këtë duke theksuar se dështimi i Ballave nuk mund të fshihet pas pseudo-nacionalizmit.

Ja reagimi i plotë i Arben  Malaj :

 Iniciativa ligjore e Ballave është juridikisht e pavlerë, politikisht e dëmshme, moralisht e turpshme. Dështimi i Ballave nuk mund të fshihet pas pseudo-nacionalizmit i cili në historinë politike qindra vjeçare konsiderohet streha e fundit e maskarenjve apo e patriotizmit dylekësh, siç shkruan gazetari Robelli.

Kjo iniciativë është juridikisht e pavlerë – sepse nuk e ndihmon aspak mbrojtjen e UÇK-së dhe liderëve të saj. Disa prej tyre e kanë kaluar disa herë si të pafajshëm gjykatën e Hagës.Çfarë prove kundër serbëve dhe pro Thaçit, Jakupit, Hajredinajt, Limajt, Veselit, Selimit, dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së do të provojë Komisioni Balla?

Përballë dështimit në menaxhimin e ekonomisë dhe të pademisë ky komision ka vetëm një synim te pistè individual apo partiak.Vendosja e përfitimeve abuzive individuale dhe partiake duke dëmtur çështjen kombëtare është tipar i liderëve të dështuar, arrogantë dhe të verbuar nga pushteti absolut, për ruajtjen e të cilit shesin edhe atdheun e tyre.

Kjo iniciativë është politikisht e turpshme sepse e deformon debatin publik në mbrojtje të UÇK-së në luftë ndër-partiake në Shqipëri.

Shikoni politikën serbe se sa unike është kundër shqiptarëve, bile ka në krye të saj bashkëpunëtorë aktiv të Millosheviçit, që vranë, persekutuan dhe përdhunuan popullsinë civile të Kosovës.

A do të sjellë komisioni Balla prova kundër Vuçiç dhe Daçiç apo “kundër” liderit të opozitës shqiptare?

Kjo iniciativë është e turpshme për socialistët të cilët kanë gurë themeli në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke filluar me takimin e Nanos me Richard Holbrooke në Crans Montana,me pritjen vëllazërore të tyre ku u gjenda në Has të Kukësit si kryetar i Grupit Parlamentar të PS sëbashku me Presidentin Meidani dhe disa deputetë nga të gjitha forcat politikedhe në veçanti menaxhimi i shkëlqyer i krizës së refugjatëve Kosovarë nga qeveria Majko, edhe nën kushtet e akuzave shpifëse të PD-së si opozita e atëhershme.

Por mbi të gjitha historia e pritjes së vëllezërve kosovarë do të mbetet një moment vlerësimi i ndjenjave vëllazërore në një krizë të përmasave që edhe vende shumë të fuqishme do ta kishin të vështirë ta menaxhonin në atë fuqinè e bujarise dhe dashurise shqiptare.Shqiptarët ishin të varfër vetëm materialisht por të pasur në shpirtin dhe sakrificën e tyre për ti lehtësuar dhimbjet vellezèrve nga Kosova.

Ky komision do të mbetet një turp moral e politik jo vetëm i Ballës por edhe i iniciuesve të saj e mbështetësve në Kuvendin e Shqipërisë. Vetëm individë karrieristë të sëmurë mund të shërbejnë me kaq zell kundër UÇK-së, kundër liderëve të saj në Hagë dhe kundër vëllazërisë midis shqiptarëve, ku inatet apo perfitimet individuale janë gjëja e fundit që ju duhen shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë në përballjet edhe gjyqësore.

Ditë të mbarë!

Arbeni