Gjermania thirrje BE-së: Hapni negociatat me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit, çdo vonesë rrezikon…

Bota

Gjermania dhe Austria u kanë bërë thirrje liderëve  të Bashkimit Evropian të përshpejtojnë hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për të shmangur rritjen e influencës së Rusisë dhe Kinës në rajonin tonë.

Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor vulnerabël dhe të hapur ndaj influencës nga një palë e tretë”, tha kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz .

Homologu austriak nga ana tjetër, Karl Nehammer, deklaroi se BE duhet të shkojë përtej fjalëve.

“Nuk na duhen vetëm fjalimet për perspektivat e mundshme evropiane, por tani duhet ta realizojmë këtë. Nëse nuk bëhen përparime të shpejta ky rajon mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës.”- tha ai.

Në Ballkanin Perëndimor vendi ynë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë si kandidatë “potencialë” ende larg anëtarësimit. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet duhet  të kishin filluar prej kohësh, por hapja e tyre ka dështuar vazhdimisht prej rezistencës së vendeve të ndryshme anëtare të BE-së. Scholz kërkoi që të fillojnë bisedimet me këto dy vende, duke ndjekur të njëjtën frymë si edhe paraardhësja e tij Angela Merkel, që është angazhuar fort prej vitesh për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.