KQZ i jep mandatin e deputetit Pandeli Majkos, do të zëvendësojë në Kuvend Alqi Bllakon

Politika

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin e deputetit Pandeli Majkos, i cili do të zëvendësojë në Kuvend Alqi Bllakon, pasi ky i fundit u arrestua nga SPAK.

Paraditen e sotme Majko dorëzoi në KQZ formularin e dekriminalizimit, ndërkohë që në mbledhjen e zhvilluar pasdite, kryekomisioneri Ilrijan Celibashi i dha “dritën jeshile” Majkos për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Kujtojmë se Majko në zgjedhjet parlamentare të 25 Prilloit të vitit të kaluar nuk arriti të merrte mandatin e deputetit, teksa ishte i renditur i 19-ti në listën e Partisë Socialiste në Tiranë duke marrë 8.300 vota .

Pas dorëzimit të mandatit të Bllakos, Majko ishte kandidati që kishte fituar më shumë vota personale, ndaj sipas Kodit Zgjedhor, i takon atij të jetë pjesë e Parlamentit.