Shtesa e pensioneve : Jo të gjithë e marrin shtesën e krizës

Sociale

Në një nga pikat e Postës Shqiptare ne kryeqytet, këta të moshuar janë në pritje për të marrë pensionin.

Bashkë me të edhe bonusin e qeverisë prej 3 mijë lekësh në muaj si kompensim për rritjen e çmimeve.

Por ndonëse është një ndihmesë, 3 mijë lekë shtesë në muaj nuk janë të mjaftueshme për pensionistët.

“Nuk na dalin, vetëm për ilaçet sa harxhime kemi”, thonë pensionistët.

Një familje që ka më shumë se një pensionist përfitues, të drejtën për të tërhequr të gjithë bonusin e kanë nëse pensionet kanë vlerë  më të ulët se 13.320 lekë. Skema është disi e komplikuar.

PËRFITOJNË TË GJITHË PENSIONISTËT QË MARRIN:

Pension Invaliditeti

Pension Familjar

Pension pleqërie me masë mujore më të ulët se 13,320 lekë

Kryefamiljarët pensionistë që përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike

Astrit Hado:  2 pensionistet ne një familje, një mund te jetë me pensionin invaliditeti dhe tjetri e ka pesionin me të ulët se 13.320 lekë sigurisht qe e marrin te dy. Por ne rast se i kane me te larta se këto ose nuk janë pensione familjare ose invaliditeti dhe njeri nga dy pensionistet merr kompensimin e energjisë elektrike atëherë vetëm  njeri ka te drejte te tërheqi bonusin, jo të dy.  Duhet të jenë të dy me masën e pensioni nen 13.320 leke ose të jenë invalid ose pension familjar.

Për të mos krijuar radhë të gjata pritjesh, Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se bonusi do të merret në të njëjtën datë me pensionin.

Por pensionisteve, te posta e rrugës se Durrësit, prej disa orësh u është thënë që të presin pasi nuk ka para.

“Kam ardhur që në orën 10:00, më tha hajde  pas një ore, pastaj më tha hajde në orën 13:00. Ne nuk kemi të sigurt pensionin, jo më bonusin”

“Erdhëm për pensionin por nuk e morëm, na tha hajde nesër mundësisht para orës  09:00.”

Kjo vonesë vjen për shkak se zyra postare është në pritje të parave, që vijnë nga banka.

Bonusi prej 3 mijë lekësh do të jepet për tre muaj, pra në total 9 mijë leke dhe afati përfundimtar për ti tërhequr është deri më 30 qershor.

Top Channel