Ambasadorja Hajdaraga: 50 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Greqi

Politika

Të nderuar miq !

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë u rivendosën në datën 6 maj 1971, pasi të dy vendet ranë dakort mbi një komunikatë të përbashkët, të propozuar nga pala shqiptare, e cila u publikua njëkohësisht në kryeqytetet e të dy vendeve.

Por marrëdhëniet tona me Greqinë janë shumë më të hershme. Ato janë marrëdhënie të veçanta mes fqinjësh, me lidhje të forta historike dhe njerëzore. Ky përvjetor i gjen marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel shumë të mirë bashkëpunimi, në një partneritet të ngushtë, si dy fqinjë të mirë dhe partnerë strategjikë, si anëtarë të NATO-s dhe me një vizion të përbashkët Evropian, së bashku në shumë organizata ndërkombëtare dhe nisma rajonale, në shërbim të interesave të dy vendeve dhe popujve tanë, të stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë, dhe më gjerë.

Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e saj të menjëherëshme në periudhën post-tërmetit të nëntorit 2019 dhe për përballjen me pandeminë Covid-19. Greqia ka mbështetur, dhe mbështet fort Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, sot, kur Shqipëria synon mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare 2021.

Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë shumë dimensionale, ato ndërthuren në fusha dhe sektorë të shumtë. Gjithashtu, komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri përbëjnë një vlerë të shtuar në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Marredhëniet dypalëshe kanë hyrë, tashmë, në një fazë të re dialogu për adresimin, me frymë konstruktive, edhe të çështjeve që kërkojnë zgjidhje mes dy vendeve tona.

Në këtë përvjetor që është njëkohësisht edhe një moment reflektimi mbi të kaluarën, të sotmen, dhe për më tepër mbi të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-greke, ne konfirmojmë vullnetin dhe angazhimin tonë për forcimin e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, zhvillimin dinamik të bashkëpunimit të gjithë-anëshëm, thellimin e dialogut dypalësh dhe të bashkëpunimit për të gjitha çështjet dhe sfidat në raportet bilaterale dhe ato globale aktuale.

Me urimet më të mira për marrëdhëniet Shqiptaro-Greke në këtë përvjetor!

Luela Hajdaraga

Ambasadore