Plani i Sunak, emigrantët që kapen do dëbohen: Po jep rezultat. I përgjigjet Rama: Propagandë!

Aktualitet

Kur gjithçka u duk se u “vu në vijë”, sërish ka probleme lidhur me çështjen e emigrantëve shqiptarë në Angli.

Sot, kryeministri i Britanisë së Madhe , Rishi Sunak tha të hënën se plani i tij për të ndaluar migracionin e paligjshëm po jep rezultate.

Sunak tha se pas marrëveshjes me qeverinë shqiptare për të ndaluar emigracionin e paligjshëm, në gjashtë muajt e fundit, është bërë i mundur kthimi i 1800 migrantëve shqiptarë, ndërsa numri i atyre që përpiqen të hyjnë me anije në Britani ka rënë në mënyrë drastike. Po ashtu, ai i bëri thirrje parlamentit britanik që të miratojë projekligjnin e ri për ndalimin e migracionit të paligjshëm.

Përgjigjia i erdhi nga kryeministri Edi Rama, në një prononcim për mediat britanike.

Edi Rama për prestigjiozen “Telegraph”, akuzoi qeverinë britanike për propagandë politike. Sipas tij, është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike, madje shtoi se përdorimi i shqiptarëve si “kokë turku”, është diçka e ulët. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë kundërpërgjigje nga Sunak.

Aktualisht një ekip prej 400 punonjësish është ngritur për të shqyrtuar në kohë 17,000 kërkesa për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të refuzohen. Ndërkohë që një projektligj pritet që të kalojë në Parlament.

Sipas projektligjit çdo emigranti që hyn në mënyrë të paligjshme në Britani i ndalohet të kërkojë azil dhe autoriteteve u jepet e drejta që t’i ndalojnë dhe t’i dëbojnë. Pasi të dëbohen atyre nuk do t’u lejohet më kurrë që të shkelin në Britani.

Qeveria britanike thotë se projektligji do të frenojë përpjekjet e dhjetra mijëra njerëzve për të kaluar kanalin e La Mashnit me varka të vogla me shpresën se do të hyjnë në Britani. Por kriktikët nuk e kanë pritur mirë, madje e kanë cilësuar paketën ligjore të qeverisë britanike të pazbatueshme, ndërsa ka patur gjithashtu akuza se është në shkelje të ligjit ndërkombëtar.