Zbardhet vrasja e shqiptarit 30-vjeçar në Omonia, policia arreston pesë të dyshuar

Greqi

Zbardhet nga Prokuroria e Krimeve të Sigurisë së Atikës, vrasja e viktimës 30-vjeçarit me kombësi shqiptare, e ndodhur në orët e para të 24 majit 2023 në zonën e Omonias, në qendër të Athinës.

Për këtë rast është ngritur dosje për gjashtë persona (tre afganë, dy grekë dhe një shtetas Bangladesh), pesë prej të cilëve janë identifikuar dhe arrestuar, me urdhër arresti të lëshuar ndaj tyre.

Sipas të dhënave të hetimit policor, krimi është kryer konkretisht për një mosmarrëveshje mes viktimës, teksa hynte në një hotel me një vajzë dhe një nga autorët të dyshuar për vrasje.

Dy burrat shkëmbyen fjalë të rënda dhe shpejt u përplasën. Autorit i kanë shkuar në ndihmë pesë të pandehurit e tjerë dhe 30-vjeçari ka tentuar të largohet me vrap, por ata e kanë ndjekur dhe e kanë rrahur pa mëshirë dhe e kanë goditur me thika, shkop e sende të tjera, ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë.

30-vjeçari u dërgua në spital ku më pas ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.Punonjësit e policisë morën rastin dhe arritën të identifikojnë personat e përfshirë. Hetuesit kanë lëshuar gjashtë urdhër-arreste dhe pasditen e së premtes janë lokalizuar dhe arrestuar pesë persona. Të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë Penale.

Për hetimin e rastit janë shfrytëzuar provat dhe të dhënat e mbledhura nga vendi i ngjarjes, dhe në kombinim me deklaratat e dëshmitarëve janë identifikuar të dhënat e të gjashtë personave të përfshirë në vrasje. Çështja e ngritur ndaj tyre iu dorëzua Prokurorit të Rrethit të Athinës.