Një krizë humanitare mbetet e vazhdueshme në Mesdhe pasi, sipas shifrave të OKB-së, 289 fëmijë u mbytën duke u përpjekur ta kalonin atë në gjysmën e parë të 2023.
Të paktën 289 fëmijë vdiqën në gjashtë muajt e parë të 2023 duke u përpjekur të kalonin Mesdheun për të arritur në Evropë, një shifër që po rritet ndjeshëm, tha sot OKB. Ky raport është dyfishi i gjysmës së parë të vitit 2022, tha UNICEF, duke bërë thirrje për korridore të sigurta humanitare për të lejuar fëmijët të gjejnë strehim në Evropë.
“Numri i fëmijëve që vdiqën duke u përpjekur të kalonin Mesdheun për të arritur në Evropë u dyfishua në gjysmën e parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,” tha Verena Knaus, oficere e migracionit dhe zhvendosjes së UNICEF-it.
“Ne vlerësojmë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 11,600 fëmijë kaluan Mesdheun, dyfishi i numrit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, tha ajo.
Në tre muajt e parë të vitit 2023, 3,300 fëmijë që bënë këtë udhëtim – 71% e totalit – ishin të pashoqëruar ose të ndarë nga familjet e tyre, sipas UNICEF.
Kjo përqindje është tre herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Këta fëmijë duhet të dinë se nuk janë vetëm. Liderët botërorë duhet të veprojnë urgjentisht”, theksoi Knauss.
Eurodeputetët kanë kërkuar që të zhvillohet një “strategji e besueshme dhe e përhershme kërkimi dhe shpëtimi” për migrantët në Mesdhe pas mbytjes së anijes Pylos që mund të ketë lënë më shumë se 600 të vdekur.