LARGIMI I TË RINJVE ÇDO DITË NË RRITJE, JETESA E PAPËRBALLUESHME

Aktualitet

Aktivistja e Lëvizjes për Universitetin, Vjolanda Peca, thotë se të rinjtë largohen për shkak të keqqeverisjes dhe prej problematikave të shumta duke filluar nga buxheti që është i pamjaftueshëm për arsimin.

Duke folur për një emision televiziv në MCN, ajo shtoi se të rinjtë duhet të punojnë dhe të studiojnë pasi jetesa është e papërballueshme në Tiranë.

“Largimi i të rinjve është çdo ditë e më shumë në rritje, se dhe ata studentë dhe të rinj që kanë menduar se do gjendet një farë zgjidhje nuk është gjetur dhe kanë vendosur të largohen. Flas çdo ditë me studentë si aktiviste që jam dhe dëshira më e madhe e të rinjve është të largohen nga ky vend. Përderisa kjo është dëshirë më e madhe e tyre, mendoj se ky shtet ka dështuar.

Gjithë sistemi universitar është centralizuar në Tiranë, por abonoja e studentit është vetëm për studentët e Tiranës, janë lënë jashtë ata të rretheve. Studentët jetojnë me qira dhe shteti nuk i rimburson një pjesë të saj.

Përpos faktit që bursat nuk janë dhënë, studentët as nuk janë në dijeni nëse do jepet. Mbarojmë universitetin, gjithë ato vite studimi në një universitet që nuk na mëson të përshtatemi me tregun e punës. Nuk na mësojnë se si ta ndjekim rrugën për të përfituar sa më shumë të mira për shoqërinë, universiteti nuk na mëson asgjë tjetër përveç se si të marrim diplomën dhe hajde të ikim.”, tha aktivistja Peca.

Teksa Kryeministri Edi Rama prezantoi pak ditë më parë projektin për autonominë për disa spitale duke i dhënë mundësinë mjekëve të punojnë privatisht në spitalet shtetërore, Peca nuk e sheh si zgjidhjen e tyre.

“Studentët e mjekësisë u përpoqën dhe një herë t’i ndalonin me anë të kontratës, fatmirësisht nuk u bë. Nuk mendoj se si nismë është e duhura, gjithçka duhet të nisë hap pas hapi dhe t’i marrim pikat me radhë. Jo vetëm të Mjekësisë, por ka dhe shumë studentë të tjerë që kanë problemet e tyre, duhet të gjejmë zgjidhje për të gjithë dhe jo vetëm për ata që kanë protestuar.”, përfundoi Peca.