Nga Stavros Dagios /
Më 6 prill 1939 mbreti i shqiptarëve Zogu i 1-rë refuzoi katër pikat e ultimatumit italian për t’i lejuar forcat ushtarake italiane të hynin në territorin kombëtar shqiptar dhe për të suprimuar Ministrinë e Jashtme. Për të qenë tërësisht objektivë, duhet të themi se kjo “Jo” e mbretit shqiptar ishte refuzimi i parë kundër ekspansionizmit italian në Ballkan, para “Jo!”-së madhështore të Ioannis Metaxas-it dhe eposit të lavdishëm grek të vitit 1940. Në mesazhin e tij drejtuar popullit shqiptar, Zogu u bënte thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të tij të rezistonin me të gjitha mjetet kundër situatës së krijuar.
Po atë ditë, Mehdi Frashëri, në një telegram drejtuar liderit fashist Benito Musolini, e paralajmëronte se shqiptarët preferonin vdekjen kundrejt poshtërimit. Ne, i thoshte në telegram, nuk kemi artileri të fuqishme, topa, aeroplanë dhe të gjitha llojet e mjeteve shkatërruese të luftës, sikundërse i keni ju, por ne kemi guximin, shpirtin e vetëmohimit dhe të këmbënguljes. Trupat fashiste do të kalojnë mbi kufomat, jo vetëm të burrave, por edhe të grave dhe fëmijëve të Shqipërisë. Por italianët më 7 prill e pushtuan Shqipërinë pa ndonjë rezistencë të përfillshme. Vetë Mehdi Frashëri kërkoi strehim politik në ambasadën turke në Tiranë, ndërsa mbreti Zog, i rënë nga froni, më 8 prill, u nis për në Korçë në strehim të përkohshëm te miku i tij Gani Kulla në fshatin Zemblak pranë kufirit greko-shqiptar ku kaloi natën e parë. Shoqërohej, veç të tjerëve, nga komandanti i qarkut të Korçës gjenerali Preng Pervizi dhe Abaz Ermenji, mësues i frëngjishtes në Korçë. Më 9 prill, në kufi, autoritetet greke çarmatosën ministrat e mbretit, grupin e tij të shoqërimit dhe të gjithë oborrtarët dhe i lejuan të hynin në territorin grek të paarmatosur dhe si individë të thjeshtë.
Një ditë më vonë, Kryeministri grek, Ioanis Metaxas, informoi mbretin shqiptar se kishte liri të plotë lëvizjeje në Greqi dhe se nuk i nënshtrohej asnjë kufizimi, por vetëm si qytetar i thjeshtë. I bëri të ditur, gjithaq, se qeveria greke nuk mund t’i rezervonte asnjë pritje zyrtare dhe se nuk i lejohej të zhvillonte aktivitet politik gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në vend. Të gjithë të shpurës së Zogut u pajisën me leje qëndrimi.
Familja mbretërore qëndroi pak kohë në Follorinë dhe Selanik dhe më 10 prill u akomodua në hotelin “Olympion Palace” në Larisë para se të nisej në portin e Volosit dhe të merrte rrugën e mërgimit: Rumani, Poloni, Letoni, Suedi, Norvegji, Belgjikë dhe më në fund në Paris. Që andej, me pushtimin gjerman, ai u detyrua të largohej nga Franca dhe të vendosej përkohësisht në Londër.
Njëri nga truprojat e mbretit, kapiteni Njazi Kore kërkoi që të kthehej në Shqipëri pasi shfaqte shenja depresioni. Zogu e porositi që të paraqitej pranë autoriteteve konsullore shqiptare në Selanik për të ndërmjetësuar në riatdhesimin e tij. Më 10 prill Njazi Kore u paraqit në Konsullatën Mbretërore Shqiptare në Selanik ku ushtronte mandatin e konsullit Vasfi Xhomo, diplomat dhe përkthyes. Kore i tha diplomatit shqiptar se vuante nga një depresion dhe mani persekutimit ndaj donte të kthehej në Shqipëri. Iu lut të ndërmjetësonte pranë autoriteteve të xhandarmerisë së qytetit që të mundësonte riatdhesimin e tij. Të nesërmen, Xhomoja, i cili ruante marrëdhënie miqësore me Zogun, e shoqëroi Njaziun në Rajonin e Xhandarmërisë për të Huajt dhe kërkoi nga Komandanti i tij Athanasios Katsaounis (ose Kotsakis) që të ndërhynte për kthimin e oficerit shqiptar në atdhe, sipas të gjitha rregullave të kalimit të kufirit. Në çastin që komandanti i xhandarmerisë plotësonte formularët, Njazi Kore “i pushtuar nga sindromi neurastenik” nxori revolen e fshehur nën rroba të mbajtur pa leje dhe qëlloi mbi të dy duke i lënë të vrarë, sipas proces-verbalit të xhandarmerisë greke të datës 11 prill 1939. Në vijim, tentoi të vriste vetën, por ndërhynë forcat e xhandarmërisë dhe e arrestuan në vend. Në hetimin paraprak, personeli konsullor deklaroi se oficeri shqiptar kishte manifestuar simptoma të manisë së persekutimit një ditë më parë, por këto shenja u nënvlerësuan dhe nuk u trajtua si i sëmurë psikik. Në vijim autori i vrasjes së dyfishtë u bart në spital ku u trajtua në ruajtje. Viktimat e varrosën në Selanik.
Kleanth Dedi, bazuar në dëshmi gojore dhe në një ditar të shkurtër (ose shënime) që paska lenë Njazi Kore tregon se autori i krimit vdiq në burgjet greke më 8 gusht 1940 në kushte misteri. Madje dhe vrasjen e konsullit shqiptar e paraqet me një version tjetër, bazuar në rrëfime verbale të cilat kanë, në çdo rast, një ngarkesë subjektive dhe pse jo arbitrare. Gjithësesi, dhe ato kanë vlerën e tyre dhe janë interesante.