Javën e ardhshme do të rikthehet në fuqi plani për transferimin e emigrantëve në dy qendrat e mbyllura të ngritura nga qeveria Meloni në veri të Shqipërisë .
Shtypi italian më 2 nëntor, raporton se javën e ardhshme do të nisë sërish procesi i transferimit të emigrantëve në dy qendrat e mbyllura që qeveria Meloni ka krijuar në veri të Shqipërisë. Me gjasë të hënën, anija e marinës italiane Libra pritet të niset në jug të Lampedusës, në ujërat territoriale ndërkombëtare, për të marrë emigrantët.
Nëse azilkërkuesit vlerësohen se janë nga vende të sigurta sipas ligjit italian, ata do të transferohen në qendrat e mbyllura italiane në Gjadër dhe Shengjin. Sipas gazetës La Repubblica, zyrtarët e ministrisë së brendshme italiane thanë se do të bëhet një përpjekje për të transportuar “të paktën 60 deri në 70 emigrantë”.