SHQIPËRIA SHËMBULL – KOMISIONI EVROPIAN DO TË PËRFSHIJË QENDRAT E GJADRIT NË LEGJISLACION

Aktualitet

Komisioni Evropian pritet të përfshijë qendrat si e Gjadrit, që mund të kthehen në vendlindje në një projektligj që synon përshpejtimin e kthimit të azilkërkuesve të refuzuar.

Vendimi është marrë gjatë një takimi informal të liderëve të vendeve anëtare, i mbajtur më 30 janar në Varshavë.

Projektligji synon përshpejtimin e kthimit mbrapsht të emigrantëve, pritet të publikohet nga Komisioni në fund të muajit, për të nisur kthimin e tij në ligj. Komisioneri Brunner propozoi rregulla më të forta për burgimin dhe mundësinë e ngritjes së qendrave të kthimit gjatë takimit të zhvilluar.

Qendrat në fjalë propozohet të ngrihen në vende jashtë BE-së, ku mund të mbahen ata aplikantë për azil, kërkesat e të cilëve janë refuzuar nga blloku dhe që prej andej të kthehen në vendet e origjinës. Tetorin e kaluar, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për këto qendra, duke vlerësuar marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila, edhe pse e sfiduar nga një sërë vendimesh gjyqësore, mund të përcaktojë sipas saj hapat e ardhshëm të politikave evropiane për emigracionin.