Entela Kasi, Ambasadore e Kulturës Shqiptare në botë

Intervistë

monda e vogelRajmonda Mojsiu /  Entela Safeti Kasi është poete, romanciere, përkthyese dhe eseiste. Është autore e librave “Ëndërr e paemër”, “Koha e Kalit”, “Pasion dhe Krim”, “Në këtë muzg pikëllimi”. Për veprën e saj janë shprehur kritikë vendas dhe të huaj. Është vlerësuar në Finlandë nga Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve të Letërsisë, (FIT), për “Përkthim letrar dhe të drejtat e autorit” në vitin2005. Poezia e saj është përfshirë në “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” 2001 dhe 2002, si edhe nga “Festivali Ndërkombëtar i poezisë në Izmir” i organizuar nga PEN International dhe PEN Qendra e Turqisë në vitin 2007, ku është lauruar me “Kupën e Kristaltë” të këtij festivali, midis poetëve të vitit.

Është ftuar në aktivitet më të rëndësishme për letërsinë nga PEN International, dhe FIT, në Ballkan, Europë, SHBA, Azi, Afrikë, Kinë, Japoni, dhe në Korenë e Jugut. Është përkthyer në: Maqedonisht, Turqisht, Anglisht, Frëngjisht, Arabisht,etj, dhe është botuar në antologji dhe revista letrare në vende të ndryshme të botës. Ka sjellë në gjuhën shqipe romanin ‘Kujtime të Mirelës’ të Eugene Schoulgin dhe veprën e përzgjedhur të Casimiro de Britos, ‘Muzika e botës”. Ka përkthyer dhe botuar antologjinë e poezisë bashkëkohorë të autorëve PEN, “Metafora që s’fale”’, në shtëpinë botuese Serembe, Shkup.

Aktualisht është Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe anëtare e bordit ‘In search Commite’, të PEN International. Është ftuar si shkrimtare e gjuhës shqipe nga Universitete te ndryshme në botë, si: Univeristeti i Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara, Universiteti i Haifas, Izrael, Universiteti i HANKUK, Seul, Univeristeti i Maltepe, Turqi, etj. Ajo mban titullin ‘Ambasadore e Paqes’, akorduar nga Federata Botore për Paqe Universale në vitin 2013.

Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë biografinë e aktivitetit tuaj krijues. Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale që ju lëvroni në zhanre të ndryshme. Cila ka qenë eksperienca tuaj e parë me poezi, prozë, përkthim, esse…apo…?

entela e vogelMë lejoni t’ju falënderoj për vëmendjen tuaj. Kam filluar të shkruaj herët, gati në fëmijëri, që kur nisa të mësoj të lexoj dhe shkruaj shqip. Kam shkruar vargje dhe shënime nëpër fletore të ndryshme, të cilat ende janë në bibliotekën e familjes. Nëna ime i ka mbajtur të gjitha me shumë kujdes.

Isadora Duncan shkruan:Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë, megjithëse arti është “mbikëqyrës” i vështirë e i rreptë , sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithçka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?

Për mendimin tim, në çështjet e krijimit nuk ekziston gjinia! Në këtë rast, si shkrimtare, mendoj se talenti, intelekti dhe inteligjenca janë tre fakultetet bazë për të krijuar bukuri në art. Talenti dhe inteligjenca janë të lindura. Intelekti kultivohet. Mendoj se përsosmëria në art, është një lloj dashurie që i duron të gjitha sfidat….

Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë , qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?

Nuk ka persona të veçantë, të thjeshtë apo të rëndësishëm të cilët mund të ndikojnë në çështjet e krijimit. Frymëzimi është një lloj komunikimi që i takon universit përtej lëndës, është gati mistike të shpjegohet se si ndodh shkrimi i një fjale apo i mijëra fjalëve në letërsi, por burimi është gjithmonë atje, brenda qenies, në trurin e shkrimtarit.
Kur shkruani poezi, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Nëse shkruaj, nuk ka rëndësi ku jam, sepse mjedisi zhduket në çast.

Ç’farë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

Muza! Një mister. Misteri i krijimit.çfarë më shtyn mua? Ajo që lë gjurmë e shtresohet në shqisën time.

Ç’farë është dashuria për ju? Si arrini ta reflektoni kë të në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

Dashuria është vetë jeta, është durimi i pasosun për të marrë frymë . Është përjetimi më i lartë i qenies njerëzore, plotnia dhe bukuria e totalit. Gjithë universi letrar dhe mjeshtrat e artit kanë pasur qasjen ndaj kësaj teme të njerëzimit duke e dëshmuar atë në vepra të mrekullueshme, të cilat i kanë rezistuar kohës. Që në fëmijërinë e vet njerëzimi rrugëton drejt saj si në një udhëtim të pafundmë, galaksish duke përtërirë vetveten e dëshmuar tek vetvetja.

Romane, tregime, poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë ?

Kur jam përballë fletës së bardhë dhe shkruaj, në atë çast shuhet çdo lloj pasigurie, sepse është pikërisht ai momenti kur përmes ndjenjës më të lartë të krijimit sublimohesh me vetveten dhe botën, e cila hyn brenda teje prej të gjithë anëve të errëta dhe të ndritura të saj. Fjala ndjek fjalën sikur në një shtrat koralesh përmes një arkitekture të projektuar sipas mendimit të cilin e ka shtresuar shqisa pasi ka përthithur muzën. Muza është mistike, është ajo që vjen tek ti, dhe nuk je ti që ndjek atë .

“Të korrat e Krishtlindjeve”- tashmë ju ka bërë një shkrimtare të afirmuar, jo vetëm autore librash. çfarë mendoni se ka mbetur konstante? Cila ishte shtysa?

Mbetet libri! Rikthimi tek ai! Rikthim në funksion të estetikës ndaj tekstit dhe frazës, çka është edhe ngjizja fillestare e këtij romani, i cili është pjesë e një trilogjie, sepse pas ‘Të korrave’, vijnë edhe dy libra të tjerë, Haannaah K, dhe Voyage.Desha të shkruaj një rrëfim për kaosin, i cili për një shekull pushtoi brezat midis ndarjes, izolimit dhe tranzicionit, ndërsa monumenti i Lirisë akoma dhe sot, endet somnambul në ëndrrat e njerëzve të këtij mjedisi në shekullin XXI.

Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve? Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

Unë jam përpjekur t’i qasem mjedisit duke u përpjekur të sjell personazhin më të pafajshëm në historinë e letërsisë botërore, Edipin, kompleksin e tij në qendër të ngjarjeve të në shekulli, sepse kam dashur të them që asnjë shqiptar nuk e ka merituar një fatalitet të tillë tragjik. Kasnadra nga ana tjetër parandien të keqen, e parathotë vazhdimisht, madje me qëllim të caktuar dorëshkrimi i Kasandrës për gruan e parlamentit të viteve 92, në fund të librit bëhet hi, hidhet në zjarr digjet, pasi ky rrëfim është e vërteta e krimeve që janë kryer ndaj njerëzve në diktaturë, bazuar mbi një doktrinë të programuar nga zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar të kohës, krime asnjëherë të pranuara, dhe ç’është më e keqja, në tranzicion shumica e atyre që i kryen u gjend në jetën publike të vendit dhe në instancat më të larta të shtetit shqiptar. Edipi i librit tim është një njeri i zakonshëm, me fatin tragjik të Edipit të antikitetit, i cili mbetet i bukur në pafajësinë e vet, pasi të tjerë ishin ata që e hodhën në vorbullën e kaosit dhe krimit, ndaj në fund të veprës, Klea e djeg dorëshkrimin pa i treguar asgjë, sepse në të kuptuarin tim, vetë shoqëria shqiptare ka nevojë të shërohet, e kësaj here shërimi mund të vijë përmes shpëtimit nga kujtesa e mbushur me gjëma, nga trauma e saj, si mundësi e vetme për të jetuar në ekuilibër, duke besuar se dashuria, bukuria e saj, mund të shërojë njeriun, kudo qoftë ai, në çdo cep të harruar a të ndritur të botës.

Romanin “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

Romani ishte tek unë, sepse e kishte burimin tek lënda që ekzistonte në trurin tim, në mendimet e mia dhe në qasjen time kah botës, si një mënyrë për ta kuptuar gjithçka që kishte ndodhur dhe po ndodhte me ne shqiptarët në shekullin e XX dhe në kapërcim të Mileniumit.

Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?

Mendoj se nuk i përkas asnjë lëvizje të caktuar, sepse liria nuk e pranon sistemin e përkatësisë. Nëse do ti përkisja qoftë edhe lëvizjeve shoqërore të grave, do të isha në rrathë të caktuar duke e humbur kështu mardhënien me plotninë e lirisë të mendimit. Periudha në të cilën më ka takuar të shkruaj i takon ndryshimit dhe në këtë kapërcim rendesh, fuqia për ti rezistuar kohës është vetë burimi i forcës.

Kur ju shkruat romanin “ Të korrat e Krishtlindjeve”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, si shkuat ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë ;burim-rrëfim-frymëzim-kulturë ?

Kur shkruaja romanin në vitin 1998, me një makinë shkrimi Oliveti, në shtëpinë e prindërve në fshat, nëna ime here pas here u kthehej fletëve të mbushura me tekst, dhe gjente rastin me shumë delikatesë të më sillte në vëmendje se gjithçka i dukej e njohur, sidomos personazhet në vorbullën e ngjarjeve prej fragmenteve që lexonte. Dikur i thashë: ‘po sepse është jeta e gjithkujt, dhe në të vërtetë është jeta e gjithkujt. Kritika e përcaktoi si një roman për kaosin dhe vdekjen! Unë kisha dashur të shkruaj pikërisht këtë. Ky ishte mendimi i Profesor Ali Aliut, në leximin kritik të romanit në kohën e botimit të parë, në vitin 2003. Të njëjtin mendim shtjelluan më tutje Profesor Sadik Bejko në përcjelljen e ribotimit, të vitit 2013, po ashtu edhe Basri Capriqi, Virion Graçi, Ibrahim Kadriu dhe Ndue Gjika. Si shkrimtare besoj se ia kam arritur të shkruaj një rrëfim për kaosin dhe vdekjen në një shoqëri aksidentesh pavarësisht hapësirave gjeografike, cepave të botës në të cilën jetojmë….përkohësinë tonë fizike.

A keni menduar ndonjë herë të shkruani skenarë filmi? Në se provoni ta bëni atë , ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

Libri, letërsia është atdheu im! Kinemaja është një botë tjetër, gati e huaj. Të jesh shkrimtar do të thotë të jesh në universin e letërsisë së shkëlqyer.

Ju jeni edhe përkthyese! Casimiro de Brito nën përkthimin tuaj ishte fituesi i “Unazës Poeteka 2008”, në Shqipëri.

Kur vepra e një poeti apo shkrimtari lë gjurmë tek unë, vetëm atëherë e përkthej. Kështu ka ndodhur me përmbledhjen poetike të de Britos, “Muzika e Botës” dhe romanin “Kujtime të Mirelës” të Eugene Schoulgin. Kur përkthej një vepër letrare i afrohem tekstit me po aq dashuri sa krijuesit e tij, dhe kujdesem që të mos humbasë asgjë. Shkrimtarët që përkthej janë miqtë e mi, me të cilët bisedoj për çdo detaj të veprës së tyre, dhe i përfshij përmes një komunikimi të vazhdueshëm në procesin e rishkrimit të veprës së tyre në një gjuhë të ndryshme nga gjuha në të cilën kanë shkruar, ku gjuha e krijimit mbetet e pandryshueshme, e njëjtë. Po ashtu kam përkthyer antologjinë e poezisë me vargje të poetëve të cilët sot janë në majat e poezisë botërore, por të gjithë ata i kam njohur nga afër, kam biseduar dhe i kam takuar në festivale të poezisë në vende të ndryshme të botës.

Ju jeni Presidente e PEN Qendrës në Shqipëri dhe anëtare e Bordit “In Search Committee” të PEN International. Krijimtaria tuaj dhe aktivizimi në PEN Internacional, nënkupton aktiviteteve të ndryshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë ?

Të gjitha aktivitetet e PEN lidhen drejtpërsëdrejti me letërsinë, gjuhën, kulturën, mediat, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut. Janë konferenca, takime ndërkombëtare shkrimtarësh, kongrese, botime, promovime, festivale poezie, panaire ndërkombëtare të librit, ftesa për leksione të hapura me shkrimtarë në universitete të ndryshëm në botë,konferenca shtypi, relacione dhe deklarata për çështje të lirisë së shprehjes në ato raste dhe vende ku liria është e kërcënuar dhe jeta e autorëve rrezikohet, promovim i autorëve përmes përkthimit, krijimi i kushteve të stabilitetit për shkrimtarët të cilët kanë emergjenca civile apo janë të rrezikuar për shkak të censurës, etj. Pak a shumë këto janë aktivitetet e PEN.

Në këto aktivitete që ndodhin në vende të ndryshme të botës organizuar nga qendrat PEN nën mbështetjen e International PEN, marrin pjesë shkrimtarë aktualisht me vlera letrare të ksonsiliduara por njëkohësisht edhe intelektualë me integritet.Temat që diskutohen janë nga më të ndryshmet në varësi të problematikës dhe një axhende të përcaktuar. PEN- Qendra e Shqipërisë ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e kësaj natyre në rang ndërkombëtar dhe ka mundur të organizojë disa aktivitete të përbashkëta në Tiranë me PEN Qendrën e Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Finlandës e qendra të tjera të Evropës. Ne aderojmë automatikisht në të gjitha komitetet e PEN International, dhe në të gjitha rastet dërgojmë përfaqësuesit tanë nga Shqipëria, të cilët janë pjesëmarrës në konferenca, dhe takime të ndryshme ndërkombëtare.