Dekriminalizimi, “revolucioni” i mercenarëve dhe populli spektator…

Kryesore Politika

astrti sot-sotAstrit Kosturi  /   Dekriminalizimi, “revolucioni” i mercenarëve të Berishës dhe populli spektator që pyet: Nuk ju rri ngushtë revolucioni zotërinj? Në këtë hark të mbyllur kohor, ku shënohet dhe fundi i një politike çerekshekullore, që gjatë gjithë kësaj kohe mbeti në kufijt e pazareve dhe interesave të ngushta, çfarë nuk po dëgjojmë!…

Të dëgjuarat dhe të padëgjuarat e kësaj kohe të pistë, vijnë si një prelud i këtij fundi të turpshëm që po shfaq politika shqiptare, me kryefjalë dekriminalizimin dhe refrenin e revolucionit demokratik paqësor të artikuluar nga ish kryeministri Berisha. Thirrje të tilla, të lëshuara prej atyre që sollën antirevolucionin dhe regresin shumëplanësh të shoqërisë shqiptare, janë dhe tallja më e hapur me popullin, duke shtuar kështu, edhe shpejtësinë e rrokullisjes së vendit drejtë greminës! Thirrjet për dekriminalizimin e politikës, në fakt kanë filluar prej debatit politik, që shoqëria shqiptare ka nisur tashmë, krahas debatit shterpë dhe sherreve të politikës e sekteve të saj, që dallohen prej pazareve e interesave të ngushta për pushtet e pasuri. Ka vite që ky reagim ka nisur si frymë refuzimi e kundërshtimi, si pakënaqësi e protestë politike, që vetëm politika 25 vjeçare nuk ka dashur t’a dëgjojë. Synimi i këtij reagimi të organizuar politik e popullor, kanë qënë ndryshimi i këtyre rregullave të “lojës politike”, që vendosën uzurpatorët e pushtetit të popullit, duke e çuar politikën në ngërrç të pazgjidhshëm dhe vendin në batak. Principe e rregulla, që kanë synuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, institucionet dhe ndërtimin e partive, për të mos e lënë pastrimin e tyre në dorën e padrejtësisë dhe pisllëkut, me emrin Drejtësi Shqiptare.

Por, politika 25 vjeçare është treguar cinike e mospërfillëse, ndaj këtyre zërave që sa vijnë e shtohen përditë, duke menduar se mund ta kalojnë “lumin” popull, me propagandë e shfaqje, me fjalë e marifete të tipit dekriminalizim të Parlamentit, përmes arrestimit të deputetëve, që deri dje ishin “ylli i karvanit” të tyre.

Pra, ky llojë dekriminimi, i përfolur kaq shumë prej atyre, që akuzojnë e shantazhojnë njëri – tjetërin është i pamundur dhe thjeshtë utopi! Në bindjen e ndërgjegjes së shëndoshë intelektuale, dekriminalizimi duhet të fillojë nga presioni politik i organizuar popullor, si një organizim me koncepte dhe ide të qarta, principe e moral ndryshe…!astrti sot 2

Sipas këtij koncepti, jemi të ndërgjegjshëm se në rradhët e politikës (partive), do të përpiqen të penetrojnë edhe sharlatanë, madje edhe kriminelë, që shpresojnë të përfitojnë e të bëhen të pathyeshëm, por kur principet e rregullat janë të qarta dhe jo favorizuese për të tillët, ata nuk do të gjejnë terrenin e duhur.Këto përpjekje të tyre, vijnë si fenomene të pashmangëshme në një shoqëri të inkriminuar e të manipuluar rëndë, prandaj, duhet organizimi politik e popullor, si një mekanizëm që ofron idealistët, moralin dhe kulturën politike, që shoqëria ka nevojë. U bënë 25 vjet plotë, që jetojmë e përjetojmë kraterin e skandaleve pafund, që riciklohen pambarimisht, siç është dhe skandali i fundit politiko–mafioz (Doshi-Meta-Rama), i cili po “mbyllet” si larje hesapesh, si gjithë skandalet që prishin imazhin e shtetit të “shqiptarëve”, por me hijet dhe gjurmët e tij, si një shërbim i vazhdimësisë së krimit politik e shtetëror, me parandjenjën e skandaleve, që do rihapen rishtas për popullin, që duhet mbajtur me “punë” e llafe!

Kjo është një komedi shumëvjeçare e inskenuar mjeshtërisht prej pushtetit të padronëve të kësaj politike, falë besimit të verbër, të spektatorit popull. Si e tillë, kjo situatë tragji-komike, do të sjellë edhe akte të tjera në vazhdim të këtij teatri banal, nëse populi do të qëndrojë akoma spektator.

Ajo që duhet të kuptojmë, dhe më pas të reflektojmë prej kësaj situate, është fakti si janë ndërtuar partitë e pushtetit (PSPDLSI&co), që nga themelet e tyre deri tek pazaret me “besë a besë”, për interesa pushteti e pasurimi. Sepse, pikërisht prej këtij ndërtimi dhe këtyre pazaresh, erdhën vit pas viti dhe ditë pas dite, abuzimi e arbitrariteti me pushtetin, pabesia, tradhëtia e konflikti, intrigat dhe shantazhet, deri tek urrejtja e tritoli, si ushqim e argëtim për popullin spektator. Deri tani patëm kuptuar, se ky vend përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave, nuk është qeverisur, por vetëm është shkatërruar e grabitur barbarisht, ndërsa tani doli hapur se politikanët tanë të “palodhur” kanë bërë video për njëri–tjetërin si kërcënim e shantazhim, po mes tyre.Së fundmi po flet “Drejtësia” për naivët, sepse ata që janë përballur me të ndër vite, kanë mësuar se vetë ajo, është padrejtësia dhe krimi në këtë vend!

astrti sot 3Tashmë, në këtë rrugë të gjatë dhe pa krye, gjendemi të lodhur nga problematikat e shumëta, që solli tradhëtia e kësaj klase të degjeneruar politike, dhe tallja e “miqëve” të huaj, që politika “jonë” i quan partnerë ndërkombëtarë. Këta të fundit dhe propaganda e tyre e sheqerosur, na futën gjithë entuziazëm në labirinthet e një sistemi të ri e të panjohur politik, me rregulla të reja të drejtimit dhe funksionimit të ekonomisë, në këtë mënyrë të re jetese.

Tani pas plotë një çerekshekulli, na kanë mbetur si një ëndërr e keqe, shprehjet e zhargonit popullor si, “kur erdhi demokracia ….”, “kur hyri demokracia ….” apo “kur fitoi demokracia…..”, pavarësisht, se edhe sot e kësaj dite, zor se shpjegohen në përmbajtje. Ndër sloganet, që na joshën sa na morën dhe mendjen, ishin “fjala e lirë“, “respektimi i lirive dhe i të drejtave themelore”, “iniciativa dhe lëvizja e lirë”, “ekonomia e tregut të lirë”, “standarti ekonomik i vendeve të lira demokratike”, etj…, që të gjitha së bashku shpreheshin në klithmën “liri – demokraci”, pavarësisht se shumë prej partizanëve të kësaj “lirie” e “demokracie” nuk e kishin dhe ende nuk e kanë idenë ta kuptojnë, se çfarë janë as “liria” dhe as “demokracia”!!…

Natyrisht, u shfrytëzuan maksimalisht e mjeshtërisht, propoganda dhe skenarët e sprovuar në vënde të tjera, gabimet e bëra në të kaluarën dhe gjëndja e vështirë ekonomike që, falë edhe bllokadës nga ata që na ftonin në gjirin e tyre të ngrohtë, kishte dhënë efekte në gjithë vendin. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë, se përmbysja që ndodhi në Shqipëri, pavarësisht nga emërtimet “demokratike” që i vunë dhe i vënë, ishte agresive dhe shkatërruese. Ajo u karakterizua nga asgjësimi e grabitja vandaliste e pronës së përbashkët dhe krejt ekonomisë, nga presioni psikologjik por edhe fizik që ishte i jashtëzakonshëm. Shtresa të tëra të popullsisë, të lidhura shpirtërisht me sistemin e kaluar, u tulatën në strehën dhe hallet e tyre, nga pushteti i atyre që zotëronin rrugët dhe që gradualisht zunë zyrat e shtetit. Nuk duhet të harrojmë, se e gjithë propaganda zyrtare fliste për shëmbje këtu e çrrënjosje atje, për përdhosje e shkatërrim simbolesh historike e kombëtare, për hapje dosjesh dhe pastrim figurash.

astrti sot-4Tani, pas më shumë se dy dekadash, edhe më naivët, militantë ekstremistë të dikurshëm për përmbysjen, e kanë bërë bilancin e veprës së tyre. Vetë copëzimi i elitës politike të kohës në dhjetra parti, dëshmon më së miri se asnjera prej tyre nuk ka arritur të realizojë atë që mori përsipër në fillim të viteve 90’. 

Pas këtij çerekshekulli në “liri-demokraci”, kemi një ekonomi (dikur të fuqishme), të shkatërruar totalisht dhe të grabitur barbarisht. Qindra mijëra ton makineri moderne, të shitura për skrap nga kusarët në pushtet. Shqipëria, dikur me një industri të kompletuar e shumëdegëshe, nuk ka më asnjë vepër industriale dhe është kthyer në një treg të mallrave të pa kontrolluara të metropoleve europiane, përfshirë këtu edhe plehrat dhe lëndët e tyre toksike. Një vend ku shkatërrohen hekurudhat (që natyrisht, s’kanë mision pa ekonominë), pyjet, që shet sektorët rentabël si energjinë, telefoninë, postat, bankat, minierat, portet dhe aeroportet, që nuk u siguron shtetasve ujin e pijshëm dhe ajrin e pastër, ku vriten përditë njerëz të pafajshëm, është vështirësisht i jetueshëm për shtetasit e vet.

Një ushtri moderne dhe e fuqishme dikur, krenaria e kombit, e katandisur në disa reparte që kanë për mission të “sigurojnë paqen” atje ku e kërkojnë interesat e padronëve të huaj. Një armatim e municion modern, që jepte mesazhe sigurie e dinjiteti, që mbronte kufijtë tokësorë, hapësirën detare dhe ajrore, i katandisur gjithashtu në skrap, produkt i trafikut legal dhe ilegal. Një kulturë e lënë në mëshirë të fatit, letërsi dhe arte të braktisura, sporte elitë dhe masive të katandisura në pikë të hallit, një arsim i degjeneruar totalisht dhe i kthyer në biznes pa moral, një shërbim shëndetësor që mbjell sëmundje dhe korrupsion. Një klasë politike tërësisht e nënshtruar dhe e pangopur, në shërbim të të huajve, e gatëshme për të shitur e për të kthyer në kosh plehrash çdo pëllëmbë tokë të vendit, në interes të mbajtjes së pushtetit dhe të pasurimit familjar e klanor.  Një qeverisje, që nuk zgjidh dot plagë të tilla si papunësinë, varfërinë, gjakmarrjen, kriminalitetin, drogën, korrupsionin, amoralitetin dhe imoralitetin, pasigurinë, në kuptimin e plotë të fjalës, një qeverisje e tillë pra, le të presë sa të dojë shirita për inagurime zyrash e dhënie konçensioneh. Ajo mbetet një dështim dhe falimentim i madh!…

astrti-5Dhe më e keqja, një shoqëri në depresion (përjashtuar kabaretë e Tiranës) që, objektivisht ka humbur çdo shpresë, ka kaluar në indiferencë të plotë dhe, ose është vënë qorrazi në shërbim të interesave partiake, ose është mbyllur në strofkullën e vet, ose mendon nga mëngjesi në darkë për t’ja mbathur prej këtij vendi.

 Vendi i braktisur nga inteligjenca. Kolektiviteti, solidariteti dhe uniteti i dikurshëm ja ka lënë vendin egoizmit, individualizmit dhe meskinitetit.  Këtë moral mbjell sot ky sistem dhe kjo mënyrë jetese, sepse kështu, “secili në punë të vet”, “secili pas pronës së vet të vogël”, “secili në luftë për të siguruar një copë prone të pamerituar”, është klima dhe terreni ku elita politike mund të livadhisë kollaj, mund të grabisë pa telashe, mund të shesë e të blejë çfarëdo e këdo. Sistemi i rendjes pas pronës private dhe interesit të ngushtë personal, në një vend të varfër si ky i yni, ka shkatërruar moralin e shoqërisë dhe të individit, deri në atë shkallë saqë vret vëllai vëllanë, i biri të anë, gruaja burrin dhe anasjelltas, e plot mënxyra të tjera, të pa dëgjuara e përjetuara më parë.

I ndërgjegjshëm se ky sistem pjell krimin e organizuar dhe ordiner, shteti e ka mbushur vendin me burgje, për të cilët Europa kërkon standarte. Vetëm për nivelin ekonomik dhe varfërinë e shqiptarëve, Europa nuk ve kushte dhe nuk kërkon standarte!!…

“Liria” dhe “demokracia” ishin ëndrra të braktisura dhe të destinuara të dështonin njëherë e mirë, pikërisht nga mosnjohja e kuptimit të tyre. Asnjëherë nuk u shjeguan në këto vite se cilat ishin liritë dhe të drejtat themelore që fituam. Po të pyesësh sot, 99 % e shqiptarëve nuk e dinë se cilat janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, duke u kufizuar në të drejtën e fjalës dhe lirinë e lëvizjes që, në fakt, nuk janë të drejta dhe liri themelore. Ky sistem dhe ky pushtet, në realitet, duke na dhënë ca të drejta dytësore, sikurse të drejtën e fjalës p.sh, nuk na garanton në fakt asnjë të drejtë e liri themelore si: të drejtën për të jetuar, të drejtën për të punuar, të drejtën për të pushuar e për t’u qetësuar nga streset dhe skenat e përditëshme të krimit politik, të drejtën për tu mjekuar, arsimuar e strehuar, të drejtën për të qenë të barabartë para ligjit. E megjithatë, secili bën vlerësimin e tij, madje edhe një sërë ambasadorësh të Amerikës kanë deklaruar se “Shqipëria është në buzë të greminës”, ndërsa Berisha, aleatët dhe pushteti i tij i bënin jehonë sukseseve të mëdha, projektit të Shqipërisë dixhitale, model për Europën!!… Kurse Europa, me njërën dorë fsheh talljen nën buzë dhe me tjetrën grabit pasuritë e këtij vendi.

astriti-6E pra, këto janë shkaqet që sjellin domosdoshmërinë e revolucionit demokratik paqësor, që çuditërisht e thërrasin mëkatarët, ata që i shkaktuan këto vuajtje e dëme të pallogartshme vendit dhe shqiptarëve. Por, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa “politika shqiptare” është kaq e aftë të ndjejë e parandjejë zemërimin popullor, siç ndjejnë minjtë e ambareve detin e trazur. Për këtë arsye, politika nxiton të mbysë reagimin e nisur popullor, dhe të vjedhë kauzën e një populli, që me vështërsi po del prej ëndërrimeve të një gjumi të thellë. Prandaj, do të doja të pyesja, edhe pse nuk ka nevojë për përgjigje: A nuk ju rri ngushtë revolucioni, zotërinj politikanë?!

Më në fund, i madh e i vogël po e kupton, se punëdhënësi i vërtetë është populli, ndërsa politikanët të punësuarit e tij. Se, pikërisht për këtë mision historik, popullit i duhet jo vetëm të njoh politikën, por dhe jetë aktiv në politikë, që politikanët të zbresin për t’u ribërë njerëz e pastaj qytetarë. Nga sa u tha më sipër, ne nuk ngurrojmë të shprehim publikisht se vendit nuk i duhen institucione si godina teatri, qofshin edhe moderne, por zgjidhje politike më parë, siç veprohet kudo në botë, kur shoqëritë e atyre vendeve kuptojnë ngecjen e sistemit. Një çerekshekulli qe i mjaftueshëm, për të mos shpresuar më tek fjalët e ofertat e “reja”, tek premtimet e mashtrimet për pushtetin e disa njerëzve. Nuk mund të shpresojmë më, se plagët e kësaj shoqërie do të mbyllen brenda këtij sistemi, që hyjnizon si të shenjtë pronën private, konçensionet dhe privatizimin total të resurseve tona kombëtare. Për ne e shenjtë është vetëm prona e gjithë shoqërisë, ajo që ushqen e kultivon barazinë, kolektivitetin, solidaritetin dhe kohezionin brenda saj.Vlerën e shoqërizimit të pronës e njeh mirë dhe e vlerëson edhe pakica miliardere, madje ajo, duke përzgjedhur me shumë kujdes, duke zbukuruar e rumbullakosur terminologjinë e propogandën, udhëheq me mjete paqësore apo të dhunshme, proçese globale shoqërizimi.

Problemi është se këto proçese zhvillohen brenda klasës së saj, pra, parrullën e dikurshme: “proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” ajo e ka zëvëndësuar me sloganin e freskët: “borgjezë të të gjitha vendeve, bashkohuni!”

Oligarkëve u duhet të bashkohen si klasë, për të mbrojtur e përjetësuar pushtetin e saj kurse masat e gjëra punonjëse ushqehen prej saj me parrulla kundër kolektivizimit, me fetishizimin e pronës private, të individualizmit, të copëzimit, të iniciativës së lirë, iniciativë kjo që e ka hapin aq sa e lejojnë monopolet dhe që asnjëherë nuk e ka shansin të barazohet me ta.

Pasuria kombëtare ose i do dhënë e do vënë në shërbim të popullit, ose privatëve miliarderë. Në rastin e vendit tonë, të dyja partitë janë në të njëjtën rrugë, ku dhe socializmi i PS-së, është një maskë e keqe dhe e neveritëshme.Duke i parë fenomenet dhe zhvillimet me këtë sy e këtë vlerësim, nuk do të thotë se ne jemi kundër pluralizmit dhe kundër pjesëmarrjes në proçese elektorale. Kujt më shumë se sa të voglit, të shtypurit dhe të nëpërkëmburit do t’i interesonte pluralizmi, barazia para ligjit, barazia dhe konkurenca e ndershme në gara elektorale, e drejta për të folur e për t’u dëgjuar?! Pluralizmi pra, së pari i shërben atij që është në minorancë, i shërben të voglit që dëshiron e përpiqet të bëhet i madh, duke konkuruar me të mëdhenjtë, të cilët nuk u bënë të mëdhenj nga vepra e tyre në shërbim të popullit por lindën të mëdhenj falë makinacioneve të zhvillimeve historike, manipulimeve e skenarëve të asaj politike globale që propogandon pluralizmin, si barazi vlerash e konkurimi. Në cilin vend të botës, i vogli mund të bëhet i madh falë konkurencës së ndershme, përjashto ndonjë vend në krizë, që manipulohet e suportohet nga faktorë ndërkombëtarë?!

A mund të pretendohet se përjetojmë një sistem pluralist kur të gjitha forcat politike kanë një program dhe operojnë brenda sistemit?! Ku konsiston pluralizmi përderisa të gjitha forcat politike kanë të njejtat objektiva politike dhe ekonomike standarte dhe që ndeshen me njera tjetrën vetëm për t’i mbushur mëndjen elektoratit se cila është më e ndershme dhe më e përkushtuar për popullin.

Pluralizmi në asnjë mënyrë nuk mund të kuptohet e pranohet si konkurencë vlerash apo sfilatash individuale apo ekipore. Prandaj ne mendojmë se Pluralizmi, aq shumë i trumbetuar si një fitore e madhe e “demokracisë”, është një farsë, është një mashtrim i madh, është një cinizëm dhe pafytyrësi e madhe e borgjezisë dhe sistemit të ngritur prej saj. Asnjë forcë politike që, sipas kornizave të pluralizmit, do të konkuronte me parime e program ndryshe nga ai i sistemit aktual, nuk do të mund të ishte e barabartë në garë. Ajo do të luftohej me metoda “demokratike” për t’u asgjësuar që në embrion, siç ka ndodhur e ndodh kudo. Kjo është arsyeja që ne nuk besojmë e shpresojmë se ky farë pseudopluralizmi do të na krijojë hapësira të ndershme konkurimi alternativash, mediatike apo elektorale.

Të fortët, që së fundmi po vetëdeklarohen dhe të inkriminuar, miratojnë e zbatojnë ligje që u shërbejnë atyre dhe jo të vegjëlve, pavarësisht se nga idetë që përcjellin janë edhe më të fuqishëm. Ndërsa ne, nga ana jonë, nuk kemi hyrë në politikë për t’i shërbyer njërës forcë politike kundër tjetrës.

Të dyja na luftojnë njëllojë dhe dëshirojnë po njëllojë të na asgjësojnë politikisht dhe organizativisht. Megjithatë besojmë se e reja, progresivja, lind e vogël dhe do rritet e kalitet mes vështirësive e pengesave që i krijon e vjetra. Kështu i shohim gjërat në planin strategjik.

LDSH (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve) do të vazhdojë edhe në të ardhmen të ketë qëndrimet dhe pozicionet e saj për çështjet e rëndësishme të vendit, pa shpërfilluar hallet dhe problemet e “vogla” të njerëzve të thjeshtë. Mbështetur në këto qëndrime dhe në Programin Politik, ajo pret mbështetjen popullore, pret edhe mbushjen e rradhëve të saj me aktivistë të moralshëm dhe idealistë. Historia dëshmon se jo vetëm qeveri e pushtete, por janë shembur edhe të gjitha perandoritë, që dukeshin të pavdekshme në shekuj, kur popujt ngrihen dhe marrin në dorën e vet fatin e tyre. Dhe ne do të punojmë të ndërgjegjësojmë popullin për forcën e vet dhe për faktin se të gjitha të drejtat e pasuritë i takojnë atij.

astrti fundNë këtë gjendje amullie, ku partitë kryesore nuk janë në gjendje t’i paraqiten elektoratit me programe dhe qëndrime të mirpërcaktuara për çdo aspekt në statuset e tyre, uzurpimin dhe manipulimin e vullnetit popullor ato e kryejnë nëpërmjet ligjeve elektorale të krijuara nga vetë ato për të zaptuar panoramën politike të vendit. Mungesa e programeve dhe e vizioneve për të ardhmen në programet e partive, ka bërë që lufta politike ndërmjet këtyre forcave të shndërrohet në luftë ndaj personash… a thua se e keqja kryesore është Berisha apo Rama dhe se nëse do fitonte tjetëri gjithçka do ndryshonte si për magji.

Nëpërmjet ligjit elektoral në Shqipëri, popullit i lejohet që të zgjedhë vetëm të keqen më të vogël pa patur mundësi që të shprehë preferenca ndryshe nga ato që kanë vënë partitë në listat e tyre. Politika shqiptare e ka mbushur kupën, prandaj, duhet frymëzuar reagimi politik e popullor jashtë formacioneve (PSPDLSI&co)!

*Kryetar i “Levizja per Drejtesi e Shqiptareve”