Kryetari i Kuvendit z. Meta priti Ombudsmanin e Danimarkës z. Jorgen Steen Sorensen

Politika

meta-1Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Ombudsmanuin e Danimarkës z. Jorgen Steen Sorensen i cili shoqërohej prej Ambasadorit danez në Shqipëri z. Mads Sandau-Jensen. I pranishëm gjithashtu në takim ishte edhe Avokati i Popullit të Shqipërisë z. Igli Totozani.
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Danimarkës që prej themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit dhe u shpreh se Kuvendi e inkurajon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve homologe, duke theksuar se Danimarka përbën një shëmbull të demokracisë dhe të respektit të të drejtave të njeriut në botë.
Z. Meta vuri në dukje se Kuvendi dhe Avokati i Popullit si institucion i dalë nga Parlamenti janë në bashkëveprim të vazhdueshëm në interes të proceseve demokratizuese të vendit dhe në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe të drejtave të qytetarëve, veçanërisht të pakicave në nevojë.
Ombudsmani i Danimarkës z. Jorgen Steen Sorensen pasi vlerësoi zhvillimin dhe forcimin e institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri gjatë viteve të fundit, u shpreh se qëllimi i kësaj vizite në Tiranë është identifikimi i prioriteteve të tjera me qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Obmdusmanit danez dhe Avokatit të Popullit shqiptar.
Në përfundim, z. Meta u shpreh se Kuvendi e mbështet plotësisht aktivitetin e Avokatit të Popullit në ushtrimin e detyrës së tij larg interferencave politike duke nënvizuar se suksesi i punës së këtij institucione të rëndësishëm e rrit ndjeshëm besueshmërinë e Shqipërisë përballë partnerëve të saj ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, Shqipëria e çmon mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës dhe Ombdusmanit të saj.