Zgjedhjet, ethet dhe triumfi i premtimeve boshe!

Opinion

zgjedhjet 1-1Doc. FANE STEFAN TARIFA  / A është për t’u habitur me deklarimet e bujëshme nga njera anë apo edhe me nxirjen skandaloze nga ana tjetër ? Eshtë më se normale që në fushatë zgjedhjesh të premtohet se ato vjelin dëshirat e njerëzve, pështjellojnë ëndrrat, nxisin shpresat e fjetura, zbukurojnë me lule shumëngjyrëshe realitetin, dhe e parasojnë të ardhmen si një dritë lumturie!

Dhe me një mendim të fjetur njomëzak apo të sapolindur të besohet, apo edhe të ëndërrohet, se kjo lumturi do të vijë dhe tashmë të marrim lugën dhe të hamë vetëm mjaltë, se ajo lugë do jetë prej floriri që po na i dhurojnë këta politikanë kaq shumë të dashur, bile dhe të përvuajtur.

Aq shumë na mallëngjejnë këta politikanë me premtimet e tyre sa që na vret ndërgjegja për ato thërrime që disponojmë, prandaj fillojmë të mendojmë, të meditojmë dhe pa zë të shprehemi: O njerëz! Shihni sa të devotshëm janë këta politikanë, sa të zellshëm janë për popullin, aq sa duhet që ne të kursejmë sa të mundemi për ta, se ata na dashkan aq shumë sa edhe gjumin nuk e bëjnë rehat, sa oreksi u ështe prishur dhe mbase edhe disa ndihma duhen mbledhur për ta. Se ata mendojne vetëm për popullin, prandaj edhe janë varfëruar kaq shumë.

Janë “Ata” që i zgjedh partia (Në fakt vetëm kryetari i partisë, se emri i partisë është vetëm formal), ata të pagabueshmit që kontribuojnë ndaj atij njëshit (kryetarit) dhe ata me të gjitha makinacionet duhet të fitojnë, se njerëzit e pakënaqur s’dinë ç’të bëjnë, se shpresat janë aq shumë të vrara, sa është humbur besimi ndaj kujtdo. Dhe edhe ata që mund të jenë pakëz më të drejtë kanë mbas shpine thikën e të mëdhenjëve, që me kodin zgjedhor që kanë bërë, i kanë deleguar vartësve murin e pengesave për të vegjëlit, firmat mbështetëse si modus mohimi ndaj tyre!

zgjedhjet 2-2

Edhe pala tjetër, megjithëse është në fakt më e majtë se e majta që aktualisht ka kaluar në ekstremin e djathtë, synon hapet të përdor spektrin e kritizerit ekstrem për çdo gjë, bile duke nxirë edhe më shumë se ç’duhet realitetin.

Që ka frymë kritike mirë bën dhe kjo është frymëmarrje për demokracinë, por çdo gjë e kaluar në ekstrem del nga objektiviteti. Sa më konstruktive të jetë kritika, sa më e moderuar dhe nxitëse, sa më e motivuar dhe në shërbim të interesave të masave të gjëra punonjëse, aq edhe më e pranueshme, më e kuptueshme dhe më reale ajo do të tingëlloje.

A nanurisën njerëzit në lumin e premtimeve? Premtimet kanë qenë dhe mbeten gjithnjë fasade, por realiteti është një anë tjetër e asaj medaljeje që ofrohet. Le të urojmë që njerëzit të mos motivohen nga përkatësitë partiake dhe nga një lloj bindjeje ideologjike, por të motivohen nga personat që kandidojnë, nga vlerat e tyre, nga nderi, virtytet dhe aftësitë e tyre kulturore e profesionale.

Le të shpresojmë që ata, të mëdhenjtë, që kanë manipuluar vazhdimisht zgjedhjet, të tregohen pakëz më të matur me parrullen që:Ju votoni, por ne i numërojmë !