Nën drejtimin Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta u zhvillua mbledhja e Sesionit të Dytë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)
Në këtë aktivitet marrin pjesë delegacione nga: Sarajeva, Sofia, Athina, Prishtina, Zagrebi, Podgorica, Shkupi, Kisinau, Bukureshti, Beogradi, Lubjana dhe Ankaraja.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shprehu kënaqësinë e këtij takimi në Tiranë që zhvillohet pas takimit të parë inaugurues të kësaj Asambleje në Bukuresht gjatë vitit të kaluar.
- Meta theksoi se Shqipëria e mori kryesimin e radhës të kësaj nisme të rëndësishme rajonale dhe veçanërisht të Asamblesë Parlamentare, me besimin e plotë se ajo përfaqëson një platformë të shkëlqyer bashkëpunimi mes vendeve dhe Bashkimit Evropian.
“Të ndërgjegjshëm se Parlamentet tona me peshën dhe autoritetin e sovranit janë në vijën e parë të proceseve integruese dhe bashkëpunuese në Evropën Juglindore, Kryesia Shqiptare mobilizoi të gjitha kapacitetet e saj për t’i dhënë jetë Asamblesë Parlamentare dhe të gjitha aspekteve të tjera të Nismës, përmes një angazhimi të cilin do t’a cilësoja si një ndërmarrje domethënëse diplomatike dhe politike rajonale për ne. Përfitoj nga rasti të falënderoj të gjitha vendet anëtare për mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit deklaroi se fokusi i Kuvendit të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet funksionimi në terren i Asamblesë Parlamentare të SEECP duke u mbështetur në solidaritetin, mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen aktive e konstruktive të të gjithë vendeve anëtare.
“Qëllimi ynë kryesor në marrjen e kryesimit të kësaj Nisme ka qenë avancimi substancial i prioriteteve tona mbi themelet e atyre çështjeve që na bashkojnë për të adresuar ato çështje që duhen zgjidhur. Jam i bindur se shtyllat tona të pronësisë rajonale, solidaritetit rajonal dhe gjithëpërfshirjes do vazhdojnë t’i shërbejnë thellimit të atij bashkëpunimi rajonal që kemi nisur, rritjes së kontakteve mes gjithë vendeve tona, konsolidimit të përpjekjeve tona në përballjen me sfidat e sigurisë, terrorizmit dhe krimit të organizuar, konkretizimit të projekteve të përbashkëta ekonomike dhe ndërlidhëse si dhe përshpejtimit të ritmit të integrimit evropian për të gjithë vendet e rajonit tonë”, tha z. Meta duke shprehur mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që luan Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC).
Në fjalën e tij, z. Ilir Meta falënderoi Parlamentin Evropian për vëmendjen e vazhdueshme ndaj kësaj nisme.
“Konstatimi ynë është se Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore po kalon një moment pozitiv që konfirmohet edhe nga progresi në shumë drejtime, veçanërisht në atë të procesit të integrimit evropian, gjë që u konfirmua edhe nga Konferenca e Berlinit. Por kriza ekonomike në kontinentin tonë dhe veçanërisht zhvillimet e fundit këtu në rajonin tonë që shpeshherë lidhen me sfidat e përbashkëta të sigurisë e të stabilitetit, na detyrojnë të jemi më vigjilentë ndaj fenomeneve negative të papunësisë dhe varfërisë, të cilat na kujtojnë nevojshmërinë e rritjes së cilësisë së proceseve demokratizuese dhe përqasjes zhvillimore për rajonin tonë”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria beson fort se puna e këtij procesi duhet përqendruar në konkretizimin e projekteve madhore ekonomike e infrastrukturore, paralel me përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e shtetit ligjor.
“Bashkëpunimi rajonal konkretizohet vetëm përmes përkushtimit real ndaj heqjes së barrierave, fuqizimit të shkëmbimeve tregtare, konsolidimit të zonave rajonale ekonomike dhe zbatimit të vërtetë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Ne duhet t’a trajtojmë rajonin tonë si një hapësirë të përbashkët për të konkurruar më denjësisht dhe në mënyrë më të suksesshme në tregjet globale. Ndaj dhe ndërveprimi dhe ndërlidhja duhet të jenë prioritete tona kryesore. Ndërlidhje përmes përforcimit të rrjetit infrastrukturor rrugor e hekurudhor dhe forcimit të lidhjeve energjetike për të ardhmen, duke kontribuar kështu edhe në sigurinë energjetike të kontinentit tonë, si një rajon me rëndësi strategjike. Ndërveprim për ato çështje imediate që na prekin të gjithëve, veçanërisht në funksion të mbrojtjes së mjedisit”, tha më tej z. Meta.
Në fjalën e tij, z. Meta u shpreh se ndërveprimi, ndërlidhja dhe heqja e barrierave i shërbejnë gjenerimit të iniciativave sipërmarrëse, krijimit të një klime më të mirë për investitorët e huaj dhe mundëson rritjen e shkëmbimeve me njëri- tjetrin, gjë që për rrjedhojë sjell një dinamizim të tregut të punës, veçanërisht për të rinjtë të cilët preken më tepër se çdo grupmoshë nga papunësia.
“Por duhet të jemi të qartë se nuk mund të ketë rritje ekonomike, as zhvillim të qëndrueshëm, e as mirëqenie reale për qytetarët tanë nëse nuk punojmë për avancimin e proceseve demokratizuese dhe forcimit institucional në vendet tona. Këtu parlamentet kanë një përgjegjësi të veçantë dhe një rol të rëndësishëm për të luajtur përmes harmonizimit të mëtejshëm të kuadrit legjislativ në përputhje me atë të bashkimit Evropian. Është detyra jonë të mbikëqyrim e të sigurohemi që lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe avancimi i perspektivës evropiane t’i shërbejnë krijimit të kushteve më të mira për gjenerimin e biznesit, punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social”, tha më tej z. Meta.
Duke shprehur besimin se funksionimi dhe forcimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP duhet të jetë një prioritet për të gjithë parlamentet tona, z. Meta siguroi të pranishmit se Kuvendi i Shqipërisë, mbetet i përkushtuar maksimalisht dhe do t’a vazhdojë angazhimin e tij në funksion të progresit dhe avancimit të dimensionit parlamentar të rajonit tonë, me qëllim zgjidhjen e atyre çështjeve imediate rajonale përmes frymës konstruktive, vullnetit politik, gjithëpërfshirjes, përqendrimit në projektet konkrete të bashkëpunimit rajonal që sjellin zgjidhje të prekshme për qytetarët.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të përmbyllë veprimtarinë e tij si kryesues i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, për vitin 2014 – 2015.
Fjalë e Sesionit Hapës nga SH.T.Z. Ilir Meta Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Të nderuar Kryetarë të Parlamenteve dhe të Delegacioneve të SEECP,
I nderuar Zv. President i Parlamentit Evropian z. Ioan Pashku,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe Organizatave Ndërkombëtare,
Zonja dhe Zotërinj.
Në emër të Kryesisë Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Kuvendit të Shqipërisë ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj së bashku me delegacionet tuaja të nderuara.
Kam nderin t’a hap këtë sesion të dytë plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe është kënaqësi që rishihemi këtu në Tiranë pas takimit të parë inaugurues të kësaj Asambleje në Bukuresht gjatë vitit të kaluar.
Shqipëria e mori kryesimin e radhës të kësaj nisme të rëndësishme rajonale dhe veçanërisht të Asamblesë Parlamentare, me besimin e plotë se ajo përfaqëson një platformë të shkëlqyer bashkëpunimi mes vendeve tona dhe mes nesh bashkërisht me Bashkimit Evropian.
Të ndërgjegjshëm se Parlamentet tona me peshën dhe autoritetin e sovranit janë në vijën e parë të proceseve integruese dhe bashkëpunuese në Evropën Juglindore, Kryesia Shqiptare mobilizoi të gjitha kapacitetet e saj për t’i dhënë jetë Asamblesë Parlamentare dhe të gjitha aspekteve të tjera të Nismës, përmes një angazhimi të cilin do t’a cilësoja si një ndërmarrje domethënëse diplomatike dhe politike rajonale për ne.
Përfitoj nga rasti të falenderoj të gjitha vendet anëtare për mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj.
Fokusi ynë si Parlament ka qenë dhe mbetet funksionimi në terren i Asamblesë Parlamentare të SEECP duke u mbështetur në solidaritetin, mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen aktive e konstruktive të të gjithë vendeve anëtare.
Qëllimi ynë kryesor në marrjen e kryesimit të kësaj Nisme ka qenë avancimi substancial i prioriteteve tona mbi themelet e atyre çështjeve që na bashkojnë për të adresuar ato çështje që duhen zgjidhur.
Jam i bindur se shtyllat tona të pronësisë rajonale, solidaritetit rajonal dhe gjithëpërfshirjes do vazhdojnë t’i shërbejnë thellimit të atij bashkëpunimi rajonal që kemi nisur, rritjes së kontakteve mes gjithë vendeve tona, konsolidimit të përpjekjeve tona në përballjen me sfidat e sigurisë, terrorizmit dhe krimit të organizuar, konkretizimit të projekteve të përbashkëta ekonomike dhe ndërlidhëse si dhe përshpejtimit të ritmit të integrimit evropian për të gjithë vendet e rajonit tonë.
Këtu më lejoni të evidentoj dhe të shpreh mirënjohjen për rolin e rëndësishëm që luan Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) si dhe të falenderoj Parlamentin Evropian për vëmendjen e vazhdueshme ndaj Nismës sonë. Konstatimi ynë është se Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore po kalon një moment pozitiv që konfirmohet edhe nga progresi në shumë drejtime, veçanërisht në atë të procesit të integrimit evropian, gjë që u konfirmua edhe nga Konferenca e Berlinit. Por kriza ekonomike në kontinentin tonë dhe veçanërisht zhvillimet e fundit këtu në rajonin tonë që shpeshherë lidhen me sfidat e përbashkëta të sigurisë e të stabilitetit, na detyrojnë të jemi më vigjilentë ndaj fenomeneve negative të papunësisë dhe varfërisë, të cilat na kujtojnë nevojshmërinë e rritjes së cilësisë së proceseve demokratizuese dhe përqasjes zhvillimore për rajonin tonë. Ndaj, Shqipëria beson fort se puna e këtij procesi duhet përqendruar në konkretizimin e projekteve madhore ekonomike e infrastrukturore, paralel me përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e shtetit ligjor. Bashkëpunimi rajonal konkretizohet vetëm përmes përkushtimit real ndaj heqjes së barrierave, fuqizimit të shkëmbimeve tregtare, konsolidimit të zonave rajonale ekonomike dhe zbatimit të vërtetë të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Ne duhet t’a trajtojmë rajonin tonë si një hapësirë të përbashkët për të konkurruar më denjësisht dhe në mënyrë më të suksesshme në tregjet globale. Ndaj dhe ndërveprimi dhe ndërlidhja duhet të jenë prioritete tona kryesore. Ndërlidhje përmes përforcimit të rrjetit infrastrukturor rrugor e hekurudhor dhe forcimit të lidhjeve energjitike për të ardhmen, duke kontribuar kështu edhe në sigurinë energjitike të kontinentit tonë, si një rajon me rëndësi strategjike. Nderveprim për ato çështje imediate që na prekin të gjithëve, veçanërisht në funksion të mbrojtjes së mjedisit. Ndërveprimi, ndërlidhja dhe heqja e barrierave i shërbejnë gjenerimit të iniciativave sipërmarrëse, krijimit të një klime më të mirë për investitorët e huaj e na mundëson që të shkëmbejmë më shumë me njëri-tjetrin, gjë që për rrjedhojë sjell një dinamizim të tregut të punës, veçanërisht për të rinjtë tanë të cilët preken më tepër se çdo grupmoshë nga papunësia. Por duhet të jemi të qartë se nuk mund të ketë rritje ekonomike, as zhvillim të qëndrueshëm, e as mirëqenie reale për qytetarët tanë nëse nuk punojmë për avancimin e proceseve demokratizuese dhe forcimit institucional në vendet tona.
Këtu parlamentet kanë një përgjegjësi të veçantë dhe një rol të rëndësishëm për të luajtur përmes harmonizimit të mëtejshëm të kuadrit legjislativ në përputhje me atë të bashkimit Evropian. Është detyra jonë të mbikqyrim e të sigurohemi që lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe avancimi i perspektivës evropiane t’i shërbejnë krijimit të kushteve më të mira për gjenerimin e biznesit, punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social. Ndaj besoj se jemi të gjithë dakort se funksionimi dhe forcimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP duhet të jetë një prioritet për të gjithë parlamentet tona. Më lejoni t’ju siguroj se Kuvendi i Shqipërisë, mbetet i përkushtuar maksimalisht dhe do t’a vazhdojë angazhimin e tij në funksion të progresit dhe avancimit të dimensionit parlamentar të rajonit tonë, me qëllim zgjidhjen e atyre çështjeve imediate rajonale përmes frymës konstruktive, vullnetit politik, gjithëpërfshirjes, përqendrimit në projektet konkrete të bashkëpunimit rajonal që sjellin zgjidhje të prekshme për qytetarët që ne përfaqësojmë këtu sot.
Ju falënderoj shumë që keni ardhur në Tiranë dhe ju uroj suksese gjatë punimeve të Sesionit të Dytë të Asamblesë sonë Parlamentare.