Meta : Kushdo që do vërë dorë mbi votën e lirë, nuk do dekretohet as për kryeministër dhe as për ministër

Foto e Ditës Kryesore Politika

Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta dhe ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi të martën se më 25 qershor do të votohet për një ndryshim historik për 20 vitet që vijnë dhe jo për tu kthyer 20 vite pas.

Por, Meta paralajmëroi se kushdo që mund të vërë dorë mbi votën e lirë nuk do të ketë dekret as për kryeministër dhe as për ministra, pasi dekretet do te vijnë vetëm nga një proces i ndershëm zgjedhor.

“Paralajmëroj dhe lajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, sic po punohet, mbi votën e lirë, se nuk do të ketë dekrete as për kryeministër dhe as për ministër. Dekretet do të vijnë vetëm nga një proces i ndershëm zgjedhor, proces që e vendos populli shqiptar. LSI nga sot e deri më 26 qershor do te jetë këtu për të mbrojtur vendin kundër oligarkisë, që kërkon të largojë të rinjtë”, deklaroi Meta gjatë një konference për shtyp nga selia e LSI-së.

Kriza, vijoi ai, vjen nga prekja e zgjedhjeve dhe askush nuk do të tolerohet nëse mund të prekë zgjedhjet.

Ka filluar monitorimi i punonjësve të policisë, tha ai, për ndalimin e akteve si veprimi ndaj Elez Gjozës. “Përgjegjësit e ndërmarrjeve të drogës, të gjithë janë në monitorim ‘non stop’ dhe nuk do t’i shpëtojë asgjë. Askush të mos e provokojë popullin dhe qytetarët se do të përballet me vendosmërinë e rinisë së Shqipërisë për t’i dhënë fund kësaj politike kriminale që luan me votën dhe të ardhmen e vendit, u shpreh Presidenti i zgjedhur.

Meta përsëriti se LSI në Tiranë është forcë e parë, por për mua kryesore, tha ai, është që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të qetë dhe që askush të mos guxojë t’i kundërvihet atyre.

Ky, shtoi ai, nuk është një paralajmërim nga njerëz që dinë të gënjejnë dhe të mashtrojnë. Vendi sot ka nevojë të shkojë në një proces të qetë dhe demokratik zgjedhor.

Gjithashtu, ish-kreu i LSI-së i bëri thirrje Ministrit të Brendshëm që të mbajë nën kontroll drejtimin e policisë së Shtetit pasi kjo nuk ka ndodhur deri tani.

“Për këtë çështje do të informoj zyrtarisht edhe trupin diplomatik që të evitojmë një krizë të zgjedhjeve. Për fat të mirë evituam zgjedhjet pa opozitën, sic ishte dëshira e Ramës, por nuk mund të lejojmë zgjedhje pa standarde.

Konferenca për shtyp e Ilir Metës pasoi një takim mes tij dhe kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi. “LSI dhe PDIU do të jenë në një bashkëpunim shumë të ngushtë për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha ai.

Meta akuzoi kryetarët e dy partive të mëdha, PS dhe PD, duke e cilësuar bashkëpunimin mes tyre “aleancë e errët”.

“Ka një aleancë të errët mes dy individëve për të manipuluar shqiptarët në favor të oligarkisë. Kjo është një aleancë që synon t’u imponohet shqiptarëve përmes fiksimeve, manipulimeve, keqpërdorimit të policisë, që drejtohet nga përgjegjësi kryesor i përhapjes së drogës”, deklaroi Ilir Meta.

Ne përgjigje  të pyetjes se gazetareve, ish-kreu i LSI-së deklaroi se Parti Demokratike nuk ka shanse që këtë herë të dalë mes partive të mëdha.

“Luli ka nisur një garë me PDIU-në për vendin e tretë. Ai është i treti në disa qarqe dhe rrezikon të mbetet i katërti në shumë qarqe të Shqipërisë”, tha Meta./atsh/