Pas skandalit me konsullen e Milanos, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, është pranë një skandali tjetër. Portali “Eurasia Review” në një analizë për Shqipërinë, shkruan se kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati lobon kundër aleatit Ilir Meta në SHBA.
Autori i shkrimit, Peter Tase shkruan se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati ka ndërmarrë një seri fushatash jashtë vendit për “të njollosur reputacionin e mirë dhe në rritje tek ndërkombëtarët të Ilir Metës”.
“Gjatë vizitës aktuale në Uashington, Bushati nuk pushoi së njollosuri imazhin e zotit Meta si politikan dhe si një arritës i vërtetë marrëveshjesh. Gjatë takimeve me kongresmenët Eliot Engel dhe Ed Royce, me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, përfshi Victoria Nuland, Bushati u fokusua në rritjen e popullaritetit për Ramën dhe kërcënimin e reputacionit ndërkombëtar të zotit Meta.
Fokusi kryesor i administratës së Ramës janë bërë shpifjet dhe denigrimi i lidershipit të mirëmaturuar të Ilir Metës dhe partisë së tij. Në fakt, Meta po shfaqet si një lider i vërtetë i socialistëve shqiptarë dhe një avokat autentik i klasës së mesme dhe një mbështetës i lehtësimit të taksave për biznesin e vogël”, thuhet në shkrim.
Nëse kjo akuzë do të vërtetohet atëherë, ministri Bushati do të jetë pranë një skandali tjetër. Pasi është një situatë e rëndë, kur kryediplomati i vendit merr një fushatë denigruese ndaj një aleati qeveritar.