Pas zyrtarizimit të “divorcit” me Kombëtaren shqiptare, Xhani De Biazi ka treguar edhe në mediat e vendlindjes së tij etapat që sollën këtë fund të aventurës së tij me kuqezinjtë. Në emisionin “Tutti Convocati” në “Radio 24”, ish-tekniku i kuqezinjve ka treguar për sakrificat që i është dashur të bëjë në Kombëtare, si e përjetoi eksperiencën mes shqiptarëve për të cilët nuk ka munguar një paralelizëm edhe me kinezët.
Sa qëndrove atje? Të kemi parë duke qarë dje…
Le të themi se është pak të thuash që dje isha shumë i emocionuar. Janë 5 vite e gjysmë jetë, bashkë me shumë persona të tjerë dhe është diç- ka e bukur të kesh bërë diçka në një vend, ku askush nuk mund ta hipotetizonte se do ta arrinim atë që kisha menduar që te miqësorja e parë me Gjeorgjinë. Ajo ishte eksperienca e parë dhe mendoj se nga aty filluam udhëtimin e gjatë.
Një trajner e ndien kur është koha për t’u larguar, nuk është çështje kontratash.
Po, po. Është çështje ndjesish, se ti mund t’i thuash të njëjtat gjëra të njëjtit grup që ia ke thënë edhe vitin më parë dhe nuk kanë të njëjtën tërheqje. Duke mos pasur mundësinë të ndryshosh shumë lojtarë, duke menduar që të konfirmosh pjesën më të madhe të grupit, nuk mendoj se mund të kisha tërheqjen e viteve të mëparshme.
A u pendove që nuk u largove pas Europianit?
E kemi përjetuar mirë atë, edhe si protagonistë. Edhe në “Velodrom” ne humbëm me Francën, pasi kishim qenë afër golit duke goditur shtyllën dhe ata nuk bënë asgjë deri në minutën e 89. Pas Europianit shpresoja që edhe ne të kishim mundësinë të merrnim një shtysë dhe të fitonim forcë të re nga ana cilësore. Por, në fakt, nuk e pashë këtë ndryshim ritmi që prisja dhe kjo është paksa gjëja që më la një shije të keqe, pasi këto djem u kënaqën me atë objektiv, sado i rëndësishëm të ishte, por ishte vetëm një objektiv.
A e ke ndjesinë që pas Europianit dikush e humbi kontaktin me realitetin për pritshmërinë me një grup, ku janë Spanja me Italinë?
Në mënyrë të pandërgjegjshme askush nuk do ta pranojë, por është fjalimi i parë që i kam bërë ekipit, që ne i mendojmë të njëjtat gjëra por nuk i bëjmë më. Me atë zjarr, vendosmërinë që kishim kur arritëm një objektiv që ishte diçka e pamendueshme në vigjilje. Sot mendojmë se jemi lojtarë të afirmuar. Mendoj se ata ndihen të ngopur nga një këndvështrim, edhe pse në ndeshjen e fundit me Izraelin më treguan gjëra të ndryshme, por nuk mund të ndryshoj ndjesitë e momentit.
Ajo që më ka shqetësuar ishte fakti që në miqësoren e 10 ditëve më parë, në miqësoren kundër Luksemburgut, po fitonim 1-0 dhe duhej ta stërfitonim, por e humbëm 2-1. Mendoj se një skuadër si Shqipëria nuk mund të mos e këtë si rregull kryesor të jetë e përqendruar që nga minuta e parë deri te e fundit.
A e vendosët atë natë?
Po, atë natë e vendosa që do të largohesha nga skuadra.
Sa larg është futbolli i vendeve si Shqipëria nga ai i vendeve të mëdha, pasi surprizat e Europianit të kaluar janë thuajse të gjitha jashtë Botërorit?
Jeton gjithmonë me diskutimin e emocioneve, motivimit. Gjendesh në një realitet që nuk kishe arritur ndonjëherë dhe jep jo 100%, por 150%. Janë realitete të ndryshme si Islanda që ka një projekt teknik të vlefshëm, edhe pse me një popullsi të vogël. Ata kanë lojtarë që arrijnë të shprehen mirë në kampionate të ndryshme.
Problemin kryesor ne e kemi te futbolli i bazës, te futbolli në Shqipëri. Kemi 3 milionë banorë, por kemi edhe 5-6 milionë të shpërndarë nëpër botë, them tani se jemi më shumë se kinezët, pasi gjej shqiptarë në çdo cep të botës. Është mundësia të punosh, por duhet planifikuar puna e bazës që nevojitet.
A do të jetë e ardhmja në Serinë A, mos duhej bërë kjo lëvizje dy muaj më parë?
Absolutisht jo, nuk kam ambicie për ndonjë kthim në Itali. Nëse do të ishte e mundur do të dëshiroja të qëndroja jashtë, në ndonjë realitet tjetër, federatë apo klub, ku të më jepet mundësia, një projekt ku unë jam në qendër dhe jo që pas dy humbjeve të më kthejnë në shtëpi. Absolutisht nuk mendoj të marr pjesë një realitet të tillë.
Kështu ishte në 5 vite e gjysmë te Shqipëria….
Të kesh letër të bardhë dhe mundësinë për të marrë lojtarët që ti i ndien më të përshtatshëm për mënyrën se si e interpreton futbollin, jo vetëm në aspektin teknik por edhe nga pikëpamja e bujarisë ndaj shokut të skuadrës, të krijosh një skuadër të vërtetë ku secili ka një funksion specifik dhe ku secili brenda saj nxjerr në pah aftësitë që ka.
Skuadra duhet të të vendosë në kushtet për të shprehur 110%. Shpesh unë kam sakrifikuar pseudolojtarë, më të aftë se të tjerët sipas opinionit të përgjithshëm, por nuk është kështu. Është shpirti i skuadrës që ka rëndësi, ai të çon më larg. Me skuadrën fiton, me individin fiton një ndeshje me raste.
SURPRIZA
Një emigrant shqiptar falënderon De Biazin
Një emigrant shqiptar me emrin Artan ka falënderuar De Biazin në emisionin radiofonik për kontributin e tij, duke i treguar se djemtë e tij të vegjël luanin futboll dhe ishin bërë tifozë të çmendur dhe krenarë falë arritjeve të viteve të fundit të kuqezinjve.
“Tanin, kështu i themi ne, e falënderoj sepse kjo është ajo që mendojnë pjesa më e madhe në Shqipëri. Gjëja më e bukur është se ne jemi vlerësuar se kemi treguar përkushtim dhe seriozitet. Nuk shkuam për të kaluar kohën, deshëm të çuditnim dhe ia dolëm me disa djem që kanë cilësi”, tha De Biazi./ panoramasport/