Sulejman ABAZI / Debati “pro dhe kundër” propozimit të Qosjes për “shkëmbim territoresh” ka formuar mbështetësit dhe kundërshtuesit në mënyre apriori, pa argumente shkencore dhe pa analizuar përfitimet apo humbjet që mund të kemi në gjeopolitikën rajonale dhe me tej, në ardhmërinë e çështjes shqiptare.
Të dy opsionet duhet të jenë objekt i diskutimit serioz, për t’u rekomanduar institucioneve politike përfaqësuese shqiptare varjantin më të mirë, që mund të hap rrugën për të ardhmen e ribashkimit kombëtar.
Ajo që ka rëndësi, është të studjohen mirë këto opsione politike, në raport me zhvillimet e mundëshme në Ballkan. Dhe kjo është e mundëshme, por jo deri si tani, që vendimarrja e të ardhmes tonë është lënë në mënyrën më të mjerueshme në disa duar, që kanë dëshmuar deri antishqiptarizmin e tyre.
Të justifikosh gjithçka vetëm sipas emocioneve patriotike dhe të një patriotizmi vetëm zhurmues, pa dhënë asnjë opsion zgjidhje, nuk është aspak e drejtë.
Të dy rajonet janë shumë të rëndësishme për shqiptarët, edhe veriu i Mitrovicës edhe tre komunat në lindje. Ato kanë qenë dhe janë territore shqiptare. Por sot në kushte të lëvizjes së popullsive, vlerësimi i tyre duhet bërë politikisht me shumë kujdes.
Por midis pluseve dhe minuseve që ato kanë në krahasueshmërinë e tyre për interesa politike dhe të perspektivës, është me vend të shikojmë se si anët negative të sotme të mund të kthehen në anë positive, në kushtet kur Kosova mund të jetë më e pastër etnikisht dhe pse jo, dhe e bashkuar me Shqipërinë.
Në këto kushte të reja, për shumë arësye, ne duhet të futemi në fazën e dytë të Strategjisë Kombëtare, me fuqi më të madhe kombëtare, me zhvillim demografik dhe ekonomi më të fortë, me një treg rajonal me hapësira më të mëdha. Kjo do të bej që faktori shqiptar të kërkojë hapësira zgjerimi, jo më me lufte, por me fuqi ekonomike dhe me një popullsi të re në moshë, duke krijuar mundësinë që të arrijë gradualisht edhe ato territore dhe qendra qytetare, që sot na kanë mbetur vetëm në vlerën e tyre historike dhe gati të paarritëshme.
Të pranosh një Strategji në zgjidhjen e çështjes shqiptare, dhe ta kërkosh këtë zgjidhje brenda pak viteve, kjo është vetëvrasje.
Me të drejtë ju miqtë e mi mund të ndaleni dhe të kërkoni “3 fazat e mundëshme të Strategjisë Kombëtare”, të kërkoni sqarime.
Kjo është e drejtë, por veçoj faktin që, kur shqiptarët nga emocionet dhe entusiazmi patriotik marrosen pas “termave bombastik” të Ribashkimit Kombëtar, dhe nuk shikojnë dhe të vlerësojnë, që pas këtyre termave nuk jepen rrugëzgjidhje, atëherë nuk është e lëhtë ta ndryshosh këtë mendim. Atdhetarizmi tek në është aq i fuqishëm, sa ndonjëherë na vesh sytë përballë realitetit të hidhur dhe mungesës së rrugëve të shpëtimit.
Kjo pamaturi e sotme, do të na etiketojnë pa ngurrim si “brezin e mallkuar” që nuk arritëm t’i shpëtojmë filozofisë vrasëse të armiqve tanë dhe lejuam brenda nesh mërinë, përçarjen, urrejtjen, politizimin, duke harruar detyrimin që kemi për brezat dhe Shqipërinë.
Mund të shpjegonim shumë gjëra, pork y është thjeshtë vetëm një artikull politik, dhe këtu nuk mund të sqarohet çdo individ veç e veç, ku mjaftë prej tyre janë edhe të porositur që të krijojnë këtë zhurmë të madhe, që thellon përçarjen midis nesh dhe denigron figura kombëtare, që duhet t’i dëgjojmë sa i kemi gjallë për vizionin e tyre, jo sot për nesër, por sot e për 100 vjet në strategjinë e çështjes shqiptare.
Shqipëria e Ribashkuar dhe shteti – komb nuk bëhen me fjale, sharje e fyerje interneti, por me vizion politik të gjithëpranuar.
Nuk do të kundershtoja prerë as Qosjen, por nuk do të mbështesja tërësisht deklaratën e Majkos dhe të ndonjë tjetri, të cilët jo vetëm që janë përgjegjës për politikën shqiptare të deritanishme, por nuk janë të afte as të debatojnë dhe të japin argumente shkencore për varjantin e tyre drejt rrugëzgjidhjeve.
Ky është një problem delikat që mediatikisht kërkon ballë për ballë Qosjen dhe Majkon, në prani edhe të figurave të tjera shkencore. Vetëm kështu bëhet më e mira e mundëshme dhe jo qëndrimet statike, megallomane, dhe butaforike, ndonjëherë edhe me prapavija të errëta politike, kundër interesave shqiptare.
Ne na dhëmb për çdo pëllëmbë tokë të trojeve tona, edhe për ato që na i kanë marrë padrejtësisht dhe na i kanë ç’populluar me dhunë, por deri sa të na vijë koha të rikthehemi në lavdinë e etërve tanë të dikurshëm, brezave tanë do t’u duhet ta dëgjojnë shumë njeri tjetrin, me një paqe të qëndrueshme mbarëshqiptare dhe me fuqi kombëtare të lakmueshme.
Shkurt, me këtë që po bejmë, po vrasim më shumë njeri – tjetrin, duke u bërë pre e filozofisë vrasëse, bizantine të armiqve tanë më të tërbuar.
Uroj paqe dhe mirëkuptim midis nesh, për të bërë më të mirën e mundëshme për vendin tonë.