Situata e krijuar me maturantët ka sjellë reagime të ashpra të politikanëve shqiptarë.
Nuk janë vetëm deputetët e PD-së ata që bëjnë thirrje për protesta të forta ndaj institucioneve, por edhe deputetë që janë pjesë e koalicionit qeverisës të Partisë Socialiste. Deputetja e PDIU, Mesila Doda shkruan në Facebook se maturantët dhe prindërit e tyre kanë të drejtë dhe detyrim të thyejnë të gjitha portat e shtetit. Ajo shprehet se nëse do të ishte prindi i një maturanti, që i është hequr mundësia e studimit, do të qëndronte para portave të institucioneve derisa t’i njihej e drejta e studimit. Aleatja e PS bën thirrje që dhe deputetët e tjerë të shprehen për këtë situatë derisa institucionet të japin përgjigje. Deklarata e Dodës vjen në kohën kur Ministria e Arsimit është vënë në qendër të kritikave për sistemin e konkurrimit të maturantëve për vitin e ri akademik në universitete.
Postimi i deputetes Mesila Doda në Facebook:
“Maturantet dhe prindrit e tyre kane gjithe te drejten, me falni detyrimin, te thyejne gjithe portat e shtetit shqiptar dhe jo te durojne pergjigjet cinike te arroganteve te ngrefosur. Nuk di çdo bëja po te isha prind i nje femije qe ka derdhur djerse dhe sot gjendet i pashprese, por di qe vetem ata mund ta zgjidhin kte lemsh injorance e ligesie bashke. Rrini para ministrise, para parlamentit, para kryeministrise derisa te merrni studimet qe meritoni dhe mos u dorzoni. Sejcili parlamentar duhet te shprehet pa dallim perkatesie politike, se me se pari jane prinder dhe nuk mund te mbyllin syte para kesaj padrejtesie qe derrmon realisht e shpirterisht nje brez te tere te rinjsh”.