Nga Arben Rrozhani
Luzerni është vendi ideal që të mendosh për Shqipërinë, “Zvicrën e Ballkanit”. Sidomos pak ditë përpara ditës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Nga kodrat e ulëta të Hergisëil, duket qyteti romantik, liqeni mbushur me varka dhe anije turistike, malet dhe kodrat, gjithçka që ka Zvicra, përveç detit që nuk e ka, si Shqipëria. Kjo e fundit është shumë vite dritë pas republikës helvete, por mbi të gjitha nuk ka gjënë më të madhe, që është e shenjtë në Zvicër: votën e çdokujt. Në çdo cep të Zvicrës, gjithçka bëhet me referendum. Një muaj më parë ishte një i tillë. Zviceranët u ftuan më 21 maj 2017, që të votonin në referendumin për të shfuqizuar energjinë bërthamore dhe për ta zëvendësuar atë me energji të pastër dhe të rinovueshme.
Më shumë se 58% e qytetarëve mbështetën lëvizjen drejt “energjisë së gjelbër”, ndërsa pjesa tjetër që tha jo u nis vetëm nga kostoja që do të ketë energjia e pastër. Zvicra ka pesë centrale bërthamore, të cilat sigurojnë një të tretën e nevojave energjetike të vendit, por premton t’i zëvendësojë ato me energjinë diellore, atë të erës dhe të hidrocentraleve. Kundërshtarët bënë shumë fushatë për të mos hequr dorë nga energjia bërthamore, sepse ajo do të kushtojë shumë para, shto faktin se një vend kaq i vogël gjeografikisht do të ndikojë gati aspak në përmirësimin e kushteve në rajon. Disa madje kujtuan se një central bërthamor, në gjendje shumë të keqe, është afër kufirit, në Francë, por mbështetësit e energjisë së pastër thanë: “S’ka gjë, ne bëjmë pjesën tonë”. Një shqiptar s’mund ta kuptojë këtë, aq më tepër po të jetë politikan.
Por duhet të jesh zviceran dhe të mendosh dhe veprosh si ata. Shumëkush thotë se ajo është demokracia më e madhe në botë. Ja si e ilustron shkurtimisht një artikull i pak kohëve më parë i gazetës amerikane “Usa Today”: “ Nëse pyesni një zviceran se cili është president i tyre, ndoshta nuk do të jetë në gjendje të përgjigjet. Dhe jo sepse ata janë indiferentë ose të painformuar, por qytetarët zviceranë nuk votojnë për president. Në këtë vend të vogël alpin qytetarët zgjedhin një parlament të ri çdo katër vjet dhe parlamenti zgjedh shtatë këshilltarët nga parti të ndryshme. Ata janë krerët e shtetit.
Presidenca (e cila është kryesisht rol simbolik) rrotullohet ndërmjet atyre anëtarëve çdo vit. Por, guri i themelit të demokracisë zvicerane është organizimi i rregullt i referendumeve, në të cilin qytetarët votojnë për çdo gjë nga një qendër e re sportive në qytetin e tyre deri te politika e emigrantëve të vendit të tyre. Referendumet u japin qytetarëve barazi politike. Ato gjithashtu u lejojnë atyre të shprehin pikëpamje të ndryshme politike. Votimi është i lehtë: nuk ka nevojë të regjistroheni, çdo qytetar në çdo proces zgjedhor merr një fletë votimi që mund të kthehet me postë. Pjesëmarrja e zgjedhjeve varet kryesisht për çka votohet, por mesatarisht sillet rreth 46 për qind. Një vendim nuk është përfundimtar.
Nëse ligji është miratuar, njerëzit ende mund të sfidojnë mbledhjen e 50 mijë nënshkrimeve brenda 100 ditëve. Atëherë projektligji duhet të votohet në publik. Dhe, në qoftë se nuk është e mjaftueshme, qytetarët zviceranë janë në gjendje të kërkojnë të drejtën e tyre nëpërmjet “Iniciativës popullore”. Nëse 100 mijë njerëz kërkojnë një ndryshim në kushtetutë, parlamenti është i detyruar për të diskutuar atë dhe të bëjnë një propozim për një votim publik. Është e sigurt se zviceranët i besojnë njëri-tjetrit.
Dhe pse jo? Ky sistem ka funksionuar që nga viti 1848”. Ky përshkrim i lë shqiptarët “pa tekst”, sidomos në këto ditët e fundit të fushatës zgjedhore. Është Ajo panoramë tragjike që prej 8 muajsh u thotë shqiptarëve, kryetari i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, se popullin e kanë zhveshur nga të drejtat e tij për të zgjedhur me votë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetë, kryetarë bashkish, këshilltarë, apo ndonjë përfaqësues tjetër; se ai nuk ka të drejtë të bëjë referendum, nuk pyetet për ndryshimet e Kushtetutës, nuk vendos dot për asnjë ligj apo çështje me votim të drejtpërdrejtë; nuk ka të drejtë të konkurojë për t’u zgjedhur në funksionet e larta të shtetit. Në lista vendosen vetëm njerëzit e kryetarëve.
Tregu politik është i mbyllur për konkurrencën, është treg monopolesh. Kryetarët nuk zgjedhin njerëzit që i duhen popullit, zgjedhin njerëzit që i duhen zgjatjes dhe përjetësimit të pushtetit të tyre personal. Ky është tipar karakterizues i partitokracisë shqiptare, një model unik, pa asnjë shembull tjetër të ngjashëm në botën demokratike, ku populli voton dhe kryetarët zgjedhin! Kështu siç po ndodh edhe kësaj radhe. Rreth 1.7 milionë votues shqiptarë do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri. Kandidatët janë shumica emra të njohur që kanë qenë, një ose disa mandate si të zgjedhur dhe të diskredituar.
Të tjerët janë rishtarë. Listat e deputetëve janë bërë nga kryetarët e partive. Askush nuk i pyeti zgjedhësit në i donin apo jo. Ata premtuan gjithçka këtë fushatë, si përherë, vetëm se nuk thanë që do ta bëjmë Shqipërinë, “Zvicrën e Ballkanit”. Sepse po premtojnë më tepër, çudira, për të qenë edhe katër vite të tjera sundimtarë të popullit. Historia e tyre me referendumet është edhe më tragjike.
Edi Rama, vendimin parë që mori si kryeministër në shtator 2013 ishte për të ndaluar importin e plehrave, duke zhvleftësuar edhe ato mijëra firma të mbledhur për referendum. Por tre vite më pas ai “u pendua” dhe kërkoi importin e plehrave nga Europa. Kjo demokraci infantile po u shitet shqiptarëve si pluralizëm politik dhe si një drejtë kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Nga të gjitha partitë politike.
Përveç Zgjidhjes së drejtuar nga Koço Kokëdhima, që u thotë shqiptarëve që të zgjohen dhe ta bojkotojnë regjimin e kastës që sundon vendin prej çerek shekulli, ndërsa ata që janë të detyruar të votojnë të vendosin një Z të madhe në fletën e votimit. Bojkoti dhe refuzimi që propozon Zgjidhja është një trend botëror që shpreh zhgënjimin prej klasës politike.
Në Francë, dy javë më parë, edhe partia e presidentit Macron, e përjetoi bojkotin, sepse në zgjedhjet parlamentare u arrit shifra historike prej 56 për qind e abstenimit dhe vendin do ta qeverisë një mazhorancë minoritare e liberalit Macron. Shqipërisë i duhet një shkundje e tillë, një përmbysje që do t’i rikthente popullit të drejtat e mohuara. Atëherë po, me plot gojën do të shpresonim se një ditë Shqipëria do të bëhet “Zvicra e Ballkanit”/shekulli/