Marsi, ky muaj “simbol”

1020

Marsi, ky muaj “simbol”

Azem PARLLAKU  /  Marsi mbetet muaji që ka domëthenie të veçantë për historinë e re të shqiptarëve. Në vitin 1997, imazhi i shqiptarëve në botë, u prish si kurrë ndonjëherë. Mediat e huaja kishin si temë të preferuar ndarjen Veri-Jug duke shkruar dhe madje duke e bindur publikun perëndimor se kriza në Shqipëri ishte një përplasje midis veriorëve (gegë) dhe jugorëve (toskë). Në Shqipërinë e vitit 1997, situata kishte degjeneruar pas falimentimit të skemave piramidale.

Kjo ngjarje, bashkë me zhgënjimin e madh, nxiti protestat e dhunshme në Vlorë, që do të çonin pastaj drejt shpartallimit total të shtetit. Vendi ishte copëtuar në copëza të vogla, në banda të vogla që administronin ku të mundnin dhe si të mundnin. Qeveria shpalli si program të saj 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit, zotërimin e gjendjes financiare dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira.

Këshilli i Sigurimit përmes një rezolute të posaçme, vuri në dukje se situata në Shqipëri ishte e rëndë, dhe Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) dhe Bashkimi Europian po mundoheshin të gjenin një zgjidhje paqësore për krizën. Gjithashtu shprehej shqetësimi se kriza në Shqipëri, mund të përhapej edhe në vendet fqinje, në trojet etnike shqiptare.

Rezoluta nr. 1101 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u aprovua më 28 Mars 1997, për shkak të shqetësimit në lidhje me situatën në Shqipëri. Këshilli i Sigurimit krijoi një forcë sigurie shumëkombëshe, e cila do të krijonte kushtet për ndihmë humanitare. Në fillim të Marsit 1998 ajo që do të ndodhte në Kosovë, është cilësuar si Beteja që do të përcaktojë të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës.

E njohur si, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo ngjarje tregoi gatishmërinë dhe vendosmërinë e realizimit të ëndrrës shekullore të gatuar në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Më 17 mars 1999, NATO i bëri thirrje në mënyrë ultimative qeverisë së Beogradit të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe në rast mospranimi kërcënoi me bombardime. Pasi që delegacioni jugosllav nuk hoqi dorë nga refuzimi, konferenca përfundoi më 23 mars pa asnjë rezultat. Një ditë më vonë NATO filloi sulmet ajrore. Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë.

Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë. Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO, Millosheviçi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”. Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha.

Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 800 000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoni. Në vitin 2004 më 17 mars, në Kosovë shpërtheu revolta popullore kundër UNMIK-ut. Trazirat filluan pasi që, një ditë më parë dy fëmijë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës u mbytën në lumin Ibër. Protestat në shumë qytete të Kosovës, shumë shpejt eskaluan në dhunë. Gjatë këtyre trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe, diçka e ngjashme ndodhi me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe. 19 persona, prej këtyre 12 shqiptarë humbën jetën gjatë këtyre trazirave. Pas këtyre trazirave, sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit, Kai Eide, për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë.

Në vitin 2005, Eide në raportin e tij rekomandoi se ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës Me 15 Mars të vitit 2008 Tirana u trondit nga një shpërthim i fuqishëm, i cili edhe pse ndodhi në periferi të saj, pati pasoja negative jo vetëm tek banorët e kryeqytetit, por në gjithë Shqipërinë. Në Gërdec, një fshat në afërsi të Tiranës, pranë autostradës Tiranë-Durrës, një fabrikë demontimi armësh shpërtheu, ngjarje që u mbyll me 26 viktima, 400 të plagosur e të gjymtuar dhe me 3000 banesa e biznese të shkatërruara. Ngjarja e ndodhur në fshatin Gërdec, të bashkisë së Vorës, në 15 mars 2008, është konsideruar nga qeveria shqiptare si “aksident teknologjik”.

Në Mars 2017, opozita shqiptare vazhdon të protestojë çadrën e ngritur përpara Kryeminsitrisë. Basha dhe eksponentë të tjerë të PD-së dhe aleatët kanë hyrë në çadër. Kryetari i PD-së nënvizoi se zgjedhjet e lira nuk mund të bëhen me këtë qeveri e cila “duhet shporrur” dhe kerkon qeveri teknike. “Tanimë themelet e një drejtësie të re janë vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kuvendi ka miratuar ligjet për fillimin e një revolucioni, duke nisur nga Vettingu. T’i hapim rrugë ndëshkimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve duke zbatuar Vettingun. Koha është tani dhe çdo vonesë në shërimin e drejtësisë, i kthen poltikanët që pengojnë Vettingun, në pengmarrës të Shqipërisë.

Koha është tani dhe shumica parlamentare është gati duke i hapur rrugë Vettingut. Opozita, PD, nuk mund të fshihet në çadrën e luftës për pushtet duke braktisur detyrën e saj kushtetuese përpara qytetarëve, zgjedhësve, të cilët mund të mos duan drejtësinë, por duan Shqipërinë Europiane”, u shpreh Rama këtë të Dielë. Marsin opozita e konsideron dhe si, si një teatër shëtitës çadrat e Vettingut, të ngritura nga socialistët për të mbledhur firmat e qytetarëve për të shpëtuar reformën në Drejtësi.

Debati më i rëndësishëm politik në Tiranë në ditët e fundit është përqëndruar tek reforma në drejtësi, veçanërisht tek seanca e jashtëzakonshme parlamentare e 6 Marsit, kur do të votohet ngritja e Komisioneve ad-hock që zgjedh anëtarët e institucioneve të vettingut. Ambasadori i SHBA Donald Lu thotë se, “SHBA dhe unë personalisht ndajmë disa nga synime e protestës aktuale, thirrjen për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bllokuar apo bojkotuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore apo zbatimi i reformës në drejtësi.

Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e majta dhe e djathta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete për të çuar përpara zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve. Mendoj se çadra mund të jetë pozitive nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i parlamentit apo prishja e zgjedhjeve”. Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare Maqedonia ndodhet buzë greminës. Nacionalistët e VMRO-DPMNE refuzojnë ta lënë pushtetin.

Kemi hyrë në muajin e paparashikuar, gjatë së cilit shumë protagonistë politikë në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup janë të interesuar të ndezin zjarrin dhe sakrifikojnë edhe njerëz. Në vend se të ruajë unitarizmin dhe sovranitetin, me të cilat e shpjegoi vendimin e tij, presidenti i Maqedonisë Ivanov po hodh benzinë në nacionalizëm dhe tensionet ndëretnike në këtë vend, ku mbështetësit e ish-kryeministrit Nikola Gruevski e kanë përkrahur vendimin e Ivanovit, ndërsa vetë Gruevski me manipulime se Maqedonisë tani i kërcënohet federalizimi u ka bërë thirrje ithtarëve të tij të dalin në rrugë duke u përpjekur që kështu të pengojë largimin e tij nga pushteti dhe skena politike.

Rusia së fundmi reagoi edhe ndaj krizës politike në Maqedoni. “Vëmë re me shqetësim se kriza politike në Maqedoni e provokuar nga ndërhyrja e jashtme në punët e brendshme të vendit po përkeqësohet. Përpjekjet, të cilat janë mbështetur në mënyrë aktive nga udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s janë duke u bërë për që maqedonasit të pranojnë “platformë shqiptare” të projektuar në Tiranë në Zyrën e Kryeministrit, bazuar në hartën e të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe”, e cila ilustron pretendime territoriale të mëdha ndaj vendeve fqinje në Malin e Zi, Serbi, Maqedoni dhe Greqi.

Shqetësim të veçantë përbën përfshirja e autoriteteve të Kosovës, vend i cili ka shpallur pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Ne besojmë se kjo linjë është shumë e rrezikshme dhe ajo mund të çojë në shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë dhe destabilizimin e të gjithë Ballkanit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian do të shqyrtojë sot me, 6 Mars situatën në Ballkanin Perëndimor, pas raportimit të shefes së diplomacisë evropiane Federika Mogherini pas vizitës së saj në rajon. Këshilli pritet t’i miratojë konkluzionet të cilat do të jenë bazë për raportin të cilin liderët e 28 vendeve anëtare do ta miratojnë për Ballkanin Perëndimor, në samitin që do të mbahet më 9 dhe 10 mars, në Bruksel. Mogherini ka deklaruar se ky rajon ballafaqohet me tensione politike, me kriza institucionale, me vështirësi të mëdh sociale e ekonomike, si edhe me probleme e vështirësi në sundimin e ligji dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sipas saj, Ballkani Perëndimor rrezikon të shndërrohet në një fushë shahu për lojërat e mëdha të gjeopolitikave globale.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: