Banka Botërore: 32.5% e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit

Emigracioni Kryesore

Çereku i popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit

Edhe pse gjithmonë për këtë çështje ka pasur debate, veçanërisht sa herë që vendi gjendej në prag zgjedhjesh, sipas të dhënave të publikuara nga faqja zyrtare e analizave të emigracionit në botë “Peoplemov”, rreth 32.5 për qind e shqiptarëve jetojnë në emigracion.

Në raportin e fundit të emigracionit thuhet se popullsia brenda Shqipërisë është 2.986.952 shtetas, ndërsa 1.438.451 shqiptarë të tjerë jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Censusi i vitit 2011 regjistroi 2.821.977 shtetas shqiptarë që jetojnë brenda vendit, shifër kjo që lëviz me rreth 164 mijë banorë nga të dhënat e “Peoplemov”. Regjistrimi i popullsisë, ndërkaq, nuk paraqiti asnjë të dhënë lidhur me numrin e shqiptarëve që jetojnë në emigracion; siç evidentohet nga ky raport. Të dhënat e Censusit 2011 treguan një zvogëlim të popullsisë shqiptare me 7.7% gjatë 10 viteve të fundit, duke supozuar se një nga shkaqet kryesore është emigrimi në shkallë të gjerë dhe ulja e lindshmërisë.

Sipas “Peoplemov”, pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë si emigrantë në Greqi, rreth 676.846 të tillë. Pas Greqisë, një tjetër vend i preferuar për të jetuar nga shqiptarët është Italia, ku numërohen 522.647 emigrantë nga Shqipëria. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh jetojnë në disa shtete të tjera, si: Maqedoni, ShBA, Gjermani, Kanada, Turqi, Britani e Madhe, Francë dhe Australi.

Gjithashtu, në këtë raport publikohen dhe shtetësitë e emigrantëve të huaj që jetojnë në Shqipëri. Edhe në këtë të dhënë, në vend të parë qëndron Greqia, me 80 778 shtetas grekë që jetojnë në vendin tonë. Më pas renditen Maqedonia, Republika Çeke, Izraeli, Italia dhe Rusia.

Të gjithë këta shtetas të huaj që jetojnë në Shqipëri përbëjnë rreth 2.98 për qind të popullsisë. Shifrat e nxjerra nga faqja zyrtare e analizave të emigracionit në botë “Peoplemov”, bazohen në të dhënat e Bankës Botërore për migrimin dhe remitancat, gjatë viteve 2010 dhe 2011, si dhe në të dhënat e popullsisë botërore sipas Censusit Ndërkombëtar të ShBA.

Emigracioni i paligjshëm u rrit ndjeshëm gjatë viteve të mëvonshme. Emigracioni pësoi një ulje gjatë viteve 1992-1996. Arsyeja ishte atribut i përmirësimit të stabilitetit politik dhe situatës social-ekonomike. Në fund të vitit 1996 numri i shtetasve shqiptarë që jetonin jashtë vendit arriti në 350 mijë vetë.

Fluksi i emigracionit u bë më masiv në vitin 1997, si pasojë e rënies së skemave piramidale dhe kaosit politik që shoqëroi këtë ngjarje. Ky fenomen ka vijuar edhe përgjatë viteve 2000, pasi të dhënat flasin për një rritje të numrit të emigrantëve shqiptarë drejt vendeve të tjera./mapo/