Emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar: S’ka dëshmi për shqiptarët në rrezik dhe që kanë nevojë për azil

Aktualitet

Shifrat e publikuara ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme angleze Home Office tregojnë se nga një total prej 160,000 aplikimesh për azil, 15% e tyre ose 24,747 i përkasin shqiptarëve.

Megjithatë provat se shqiptarët janë në rrezik në vendin e tyre dhe kanë nevojë për azil në Mbretërinë e Bashkuar janë të pakëta, thotë një komision deputetësh.

Shtetasve shqiptarë nuk duhet t’u jepet azil në mënyrë rutinore, tha komisioni përzgjedhës i Punëve të Brendshme. Një total prej 51% të kërkesave për azil nga shqiptarët u pranuan fillimisht në 6 mujorin e parë të vitit të kaluar. Disa që bënin kërkesa për azil, veçanërisht gratë, pasi pretendonin se ishin trafikuar dhe kanë nevojë për mbrojtje, thanë deputetët.

Qeveria deklaroi se po punonte me Shqipërinë për të ndaluar migrimin e paligjshëm, mesazh ky që pason bumin e emigrantëve shqiptarë drejtuar Britanisë së Madhe vitin e kaluar nëpërmjet kalimeve me varka të vogla.

Në një raport të botuar të hënën, komiteti ndërpartiak theksoi se emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar nuk kishin gjasa të kishin nevojë për azil. Raporti citoi shifra që tregojnë se 51% e rasteve shqiptare u pranuan fillimisht në gjysmën e parë të 2022 – shumica e këtyre pretenduesve mbërritën me tragete ose avionë dhe jo me varka të vogla.

Komiteti tha se nëntë vende, përfshirë Gjermaninë, nuk kishin pranuar asnjë kërkesë për azil nga Shqipëria gjatë asaj periudhe. Ai i bëri thirrje Zyrës së Brendshme të shpjegonte pse shkalla e pranimit të Mbretërisë së Bashkuar ishte kaq e lartë, veçanërisht në krahasim me vendet e tjera.

Raporti theksoi gjithashtu se shifrat tregojnë që në vitin 2022, më shumë se 1/4 e 45,755 personave që kaluan Kanalin me varka të vogla erdhën nga Shqipëria “dhe shumica kërkuan azil”, raporton BBC.

Ai shtoi se numri i shqiptarëve që mbërrinin në Britaninë e Madhe nga kjo rrugë kishte shkuar nga 800 në 2021 dhe 12,301 në 2022.

“Shqipëria është një vend i sigurt”, thanë deputetët. “Nuk është në luftë dhe është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nuk ka asnjë bazë të qartë që Mbretëria e Bashkuar të pranojë në mënyrë rutinore mijëra kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë, konstaton komiteti.”

Raporti sugjeroi se faktorët nxitës për njerëzit që vinin në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria përfshinin kryesisht mundësi më të mira pune dhe paga më të larta. Mirëpo, deputetët theksuan gjithashtu se kishte “raste të padiskutueshme të trafikimit të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Sipas tyre, duhet bërë më shumë për të mbështetur viktimat shqiptare të kontrabandës së njerëzve – veçanërisht grave. Deputetja laburiste Dame Diana Johnson, kryetarja e komitetit, tha se kishte pasur “një rritje të konsiderueshme të papritur të kërkesave për azil nga një vend në dukje paqësor”.

Johnson tha se “ndërsa është e rëndësishme që të bëhen pyetje dhe të nxirren mësime, është e qartë se tabloja e emigracionit nuk është statike dhe do të vazhdojë të evoluojë”. Deputetët rekomanduan që qeveria të promovojë vizat e punës sezonale në bujqësi dhe ndërtim për t’u dhënë më shumë shqiptarëve mundësinë të vijnë në Britani të Madhe pa bërë kalime të paautorizuara në Kanal.

Ata gjithashtu thanë se duhet të vendosen masat e duhura mbrojtëse përpara se çdo viktimë e trafikimit të kthehej në Shqipëri dhe rekomandoi që Mbretëria e Bashkuar të mbajë lidhje të forta me qeverinë e vendit.

Laburistja Dame Diana tha se: “Ndryshimet në emigracion do të rëndojnë në mënyrë të pashmangshme çdo sistem, por qeveria duhet të bëjë shumë më tepër për të siguruar që mund t’i trajtojë më mirë këto strese.”

Diana tha gjithashtu se ishte e rëndësishme që “Mbretëria e Bashkuar të përmirësojë qasjen e saj të përgjithshme ndaj azilit”.

Javën e kaluar kryeministri Rishi Sunak tha nga Kent se plani i tij për të trajtuar migracionin po përparon, por ka “punë për të bërë”. Sunak tha se një marrëveshje me Shqipërinë për kthimin e emigrantëve kishte çuar në kthimin e 1,800 personave dhe kjo kishte një efekt parandalues.

Një zëdhënës i Home Office tha se “përparësia e kësaj qeverie është ndalimi i anijeve”.

“Vitin e kaluar, 28% e atyre që mbërritën me varkë të vogël në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria – një vend i sigurt evropian dhe aleat i NATO-s – duke vendosur tendosje të mëtejshme në sistemin tonë të azilit”- vazhdoi ai.

“Ne kemi punuar ngushtë me qeverinë shqiptare për të përçarë bandat kriminale dhe për të penguar migrimin e paligjshëm. Në pesë muajt deri në fund të majit, mbërritjet e anijeve të vogla shqiptare janë ulur 90% krahasuar me vitin e kaluar dhe kemi kthyer 1800 migrantë të paligjshëm dhe kriminelë të huaj. Kthimi në Shqipëri Falë ndryshimeve në sistemin tonë të azilit, ne kemi kaluar nga pranimi i 1 në 5 kërkesa për azil shqiptar në vetëm 1 në 50, në përputhje me vendet e tjera evropiane.

Ne do ta shqyrtojmë me kujdes raportin dhe do të përgjigjemi në kohën e duhur.”