Instituti Ndërkombëtar me qendër në Stokholm në raportin vjetor mbi‘Gjendjen Globale të Demokracisë 2025: Demokracia në Lëvizje’, zbulon thellësinë dhe gjerësinë e sfidave me të cilat përballet qeverisja demokratike në mbarë botën, përfshirë edhe vendin tonë, Shqipërinë, në vitin që lamë pas, 2024.
Duke u mbështetur në të dhënat më të fundit nga Indekset e Gjendjes Globale të Demokracisë, raporti dokumenton një trend shqetësues: më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të vlerësuara, kanë rënë në të paktën një aspekt kyç të performancës demokratike gjatë pesë viteve të fundit.
Raporti i siguruar dhe nga Syi.Net, tregon se si Shqipëria ka një performancë të ulët në treguesit, e Përfaqësimit, të Drejtat, Sundimi i Ligjit dhe Pjesëmarrja – katër shtyllat e demokracisë – të cilat janë nën presion, me rënie të paprecedentë në pavarësinë gjyqësore, lirinë e shtypit dhe integritetin zgjedhor.
Kështu Shqipëria, rezulton e rankuar në vendin e 71 në nivel global, sa i përket mungesës së përfaqësimit, pas vendeve të tilla si, Ekuadori, Sri Lanka, Bullgaria, Rumania, Nepali, Namibia, Senegali, Republika Dominikane, ndërsa më lart vendit tonë, janë vende të rajonit si Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Sa i përket respektimit të të drejtave, edhe në këtë fushë, Shqipëria lë shumë për të dëshiruar, duke u renditur e 48 në nivel global, duke humbur një pikë renditje nga raporti i mëparshëm.
Në këtë renditje, Shqipëria është pas vendeve si: Mali I Zi, Argjentina, Armenia.
Lidhur me Sundimin e Ligjit, Shqipëria, ka një renditje të ulët, duke u rankuar e 74 në nivel global, me vende që janë të rankuara shumë më lart se vendi jonë, të tilla si: Sllovakia, Argjentina, Maldivet, Sri Lanka, Kuvajti, Bullgaria, Moldavia, Hungaria, Mongolia, Malajzia, Panamaja, Kosova dhe madje Serbia, e cila është vënë në shënjestër të popullit, për shkak të korruopsionit dhe mungesës së respektimit të të drejtave të njeriut, duke bërë që të ketë protesta masive në vend.
Lidhur me rankimin në nivel global mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet elektorale, Shqipëria ka një rënie drastike, mes 173 vendeve, duke u pozicionuar në vendin e 82, duke ia kaluar kështu edhe shtete të tjera si: Filipinet, Libani, Nepal, Nigeria, Maldivet, Togo, Armenia, Honduras, Maqedonia e Veriut dhe Namibia.
Faktorët që kanë ndikuar më së shumti në performancën kaq të ulët të Shqipërisë në nivel global, mbetet besueshmëria te zgjedhjet, e cila është në nivel mesatar, një parlament efektiv, i cili sërish mbetet në nivelet mesatare, parti politike jo shumë të lira, demokracia lokale, që gjithashtu lë për të dëshiruar, aksesi në drejtësi, liritë civile, barazia politike, gjithashtu në nivele mesatare, mungesë bashkëpunimi për të luftuar korrupsionin, e cila është në nivelin të më ulët të mundshëm, e ndjekur nga mungesa e një drejtësie të pavarur dhe pjesëmarrje e ulët në proceset zgjedhore.
Këto boshllëqe matjeje janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin e politikave në zhvillim të migracionit. Për shembull, qeveritë evropiane janë drejtuar gjithnjë e më shumë drejt metodave të tilla, si kontraktimi i menaxhimit të migracionit. Qendrat e migracionit të financuara nga Italia në Shqipëri kanë ngritur shqetësime për të drejtat e njeriut dhe kanë nxitur tensione midis Qeverisë së Italisë dhe gjyqësorit.
Raporti gjithashtu shqyrton implikimet e thella të migrimit global për demokracinë dhe institucionet demokratike. Me 304 milionë njerëz që jetojnë tani jashtë vendit të tyre të lindjes, çështjet e përkatësisë, të drejtave dhe pjesëmarrjes janë më urgjente se kurrë. Duke u përqendruar në dimensionet teknike, ligjore dhe institucionale të të drejtave të votimit për qytetarët jashtë vendit, ai tregon se si votimi gjithëpërfshirës jashtë vendit mund të forcojë qëndrueshmërinë demokratike – por gjithashtu paralajmëron se pjesëmarrja mbetet e ulët dhe politikat, shpesh të pamjaftueshme.
Edhe demokracitë me performancë të lartë nuk janë imune, pasi peizazhet politike në ndryshim dhe institucionet në dobësim sfidojnë supozimet e vjetra në lidhje me qëndrueshmërinë demokratike./ SYRI.NET.