Prej 27 vitesh grupi i këngës popullore “Lot kurbeti” mban gjallë traditën e këngës isopolifonike në Greqi. Pjesëtarët e tij, emigrantë që jetojnë prej vitesh në shtetin grek, tashmë janë bërë pjesë e aktiviteteve dhe eventeve të komunitetit shqiptar.
Artistët popullorë shprehen të emocionuar se kënga labe i tërheq të gjithë përfshirë edhe grekët, ndërsa dëshirojnë që polifonia të këndohet edhe nga të rinjtë.
“Kënaqësi që këtë vit ne jemi në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Gjithashtu me një veprimtari të larmishme në Greqi, në qarqe të ndryshme dhe prefektura, aktivitete që organizon komuniteti shqiptar në Greqi dhe jo vetëm, në Festat Kombëtare të organizuara nga Ambasada e Shqipërisë çdo vit në Athinë dhe kryesisht me komunitetin shqiptar”– tha Shezo Bushi, këngëtar popullor.
“Ndihmojmë edhe në brezat e rinj, duam që t’iu edukojmë edhe atyre këto këngët që ta mbajnë këngën labe”– tha kënëtari popullor Fatjon Grabova.
“Kudo që këndojmë gjithmonë grupi ynë dhe kënga labe mbi të gjitha bëhen të gjithë njerëzit pjesë e kësaj kënge”– shtoi më tej ai.
“Po, po edhe grekët, shumë grekë. Edhe këtu ku jemi sot na kanë takuar disa grekë që na njohin që na ndjekin, na takuan këtu dhe kanë ardhur posaçërisht për të na dëgjuar, kemi shumë njerëz”.
Në skenën e Festivalit Folklorik janë ngjitur edhe ansamble dhe grupe popullore nga Diaspora, të cilët kanë prezantuar vlerat më të arrira të folkut dhe traditës.