Infermierja tërheq dëshminë në gjyqin për trafik organesh në Kosovë

Rajoni

Në rigjykimin e tre kosovarëve të akuzuar për trafikim organesh njerëzore, një infermiere që punonte në klinikën “Medicus” pranë Prishtinës mohoi një deklaratë që ajo e nënshkroi dhjetë vjet më parë në lidhje me heqjen e veshkave të pacientëve.

Mendehie Hajdari, e cila punonte si infermiere në klinikën “Medicus” deri ditën kur hetuesit e mbyllën atë në vitin 2008 nën akuzat për trafikim organesh, u paraqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës të mërkurën, por e tërhoqi deklaratën e saj të mëparshme të dhënë në polici. Ish-pronari i klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe anestezist Sokol Hajdini po rigjykohen për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar në lidhje me trafikim njerëzish pasi një vendim i Gjykatës së Lartë në Kosovë rrëzoi dënimet e tyre të mëparshme. Hajdari dha dëshmi në polici në vitin 2008, por të mërkurën në gjykatë, ajo mohoi gjithçka në deklaratë.

Prokurorja Valeria Bolici e pyeti nëse ajo e mbante mend se çfarë ndërhyrjesh kirurgjikale ata bënë përveç atyre kardiake në katin e parë, ku punonin Dervishi dhe Hajdini, por Hajdari tha se nuk e mbante mend. Prokurorja më pas e pyeti: “Di gjë nëse në katin e parë është bërë ndonjëherë transplant veshkash?” Dëshmitarja tha se ajo dinte vetëm që në çastin që doktorët u arrestuan, stafi u mor menjëherë në pyetje nga hetuesit dhe vetëm atëherë e kuptoi se po ndodhte diçka. Prokurorja e pyeti përsëri për deklaratën që ajo dha në vitin 2008, në të cilën ajo tha se ishte e përfshirë në transplantin e veshkave. “Kujtesën e kishe më të freskët atëherë apo tani, pas dhjetë vjetësh?” pyeti prokurorja. Por dëshmitarja këmbënguli se ajo s’e bëri kurrë një deklaratë të tillë.

Dëshmitarja u pyet gjithashtu për faktin se ajo në vitin 2008 citoi se dhuruesit dhe pacientët ishin nga vende të ndryshme, por ajo përsëri këmbënguli se nuk e kishte thënë kurrë diçka të tillë. Hajdari pranoi se firma në deklaratë ishte e saja, por tha se s’mbante mend ta kishte nënshkruar atë.

Gjykata e apelit fillimisht la në fuqi dënimet e të pandehurve në mars 2016, duke e dënuar Lutfi Dervishin dhe djalin e tij me nga tetë vjet burg dhe Hajdinin me pesë vjet burg.

Vendimi tha se në klinikë në vitin 2008 u kryen “transplante të shumta veshkash”.

Njerëz të varfër nga Turqia, Rusia, Moldavia dhe Kazakistani dyshohet se janë sjellë në klinikë pasi u siguruar se do të merrnin deri në 15 mijë euro për veshkat e tyre.

Prokurorja e EULEX-it në çështje tha se marrësit e transplantit, kryesisht izraelitë, paguan më shumë se 70 mijë euro për veshkat. Por pas vendimit të gjykatës së apelit, Gjykata e Lartë e Kosovës urdhëroi rigjykim të çështjesh për parregullsi proceduriale. Policia fillimisht e bastisi klinikën “Medicus” në vitin 2008 pasi një turk të cilit i kishin hequr veshkën u gjet i sëmurë rëndë në aeroportin e Prishtinës. Klinika u përmend gjithashtu në një raport të Këshillit të Europës që pretendoi se elementë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tregtuan organe të burgosurish gjatë konfliktit të vitit 1999.

Hetuesit e mbyllën klinikën në vitin 2008 dhe që atëherë ajo është shitur./BIRN/