INSTAT: Rritet numri i qytetarëve që largohen, shtohen dhe prurjet e të huajve
1.2 milionë shqiptarë kanë dalë nga vendi gjatë 2019-s
Numri i qytetarëve shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria gjatë muajve të parë të vitit 2019 ka pësuar rritje muaji pas muaji. Vetëm gjatë muajit mars kjo shifër u rrit me rreth 21 %. Më konkretisht në muajin e kaluar dolën jashtë vendit 728 mijë qytetarë, shqiptarë dhe të huaj. Këto shifra janë raportuar nga INSTAT duke dhënë theksin tek hyrje-daljet në territorin shqiptar për muajt e parë të vitit 2019.
“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit mars 2019, janë 444.828. Krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur 22,1%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit mars 2019, janë 283.989. Krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur 21,0 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në tremujorin e parë 2019, është 1,249,803 duke u rritur 12,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thekson INSTAT në raportin e saj. Gjithashtu Instituti i Statistikave ka bërë të ditur dhe shifrat për sa i përket hyrjeve në vendin tonë për këtë periudhë.
Sipas referimeve të INSTAT rritje ka pasur dhe në numrin e shtetasve që kanë hyrë në territorin shqiptar “Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin mars 2019, janë 712.983 krahasuar me mars 2018, ky tregues rezulton me rritje 17,4%. Në mars 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 283.910, krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur me 11,8%.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në tremujorin e parë 2019 është 695.027, duke u rritur kështu 4,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në mars 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, SHBA ka pasur rritjen më të madhe me 74,2%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Mbretëria e Bashkuar, me 63,8%.
Në tremujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 33,3% ndërsa uljen më të ndjeshme e kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23,8%”- thuhet në raportimin e INSTAT.