Ish ministri bën analizën: Kjo është situata ideale për Edi Ramën, kurse PD dhe LSI…

Politika

Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani me anë të një statusi në rrjetet sociale analizon të situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Sipas Manjanit, situatën më të favorshme pas këtyre zgjedhjeve e ka Partia Socialiste, pas 75 mandateve që mori në këto zgjedhje. Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike janë në një situatë të paqartë dhe duhet të sqarojnë pozicionin e tyre, por deri sa kjo të ndodhë, favorizohet Edi Rama.

Statusi i plotë

Paqartësi…
PS është e vetmja parti qartësisht fituese. Përveç 74 mandateve nën siglën e vet, ka edhe një mandat nën siglën e PDIU ( të paktën deri tani) me vete. Pra 75 mandate të sigurta, të mjaftueshme për të ngritur e mbajtur në këmbë qeverinë.

Partitë e tjera ende nuk i dimë se ku saktësisht janë! Kjo ka krijuar një kaos që ose ushqen shpresa ose i vret ato. Konspiracioni bën punën e tij! Çdo kush ka prirje të besojë çdo gjë!

Situatë ideale kjo për një politikan si Rama që të sundojë i qetë!

PD, tashmë e zhytur në një cikël normal politik ripërtëritje është paqartësia kryesore e sistemit politik (përveç fatit të saj politik). PD zyrtare pas humbjes ngriu dhe ashtu e ngrirë nuk ka përgjigje as për pozitën e saj politike ( është apo jo në opozitë) e as për fatin e marrëveshjes së majit që çoroditi sistemin politik në favor të sundimtarit të vetëm. Ndërkohë PD bashkëqeveris ende me PS e LSI.

Pa i sqaruar këto momente PD kaosi do vazhdojë dhe shpresa do vijojë të vritet.

LSI nxitoi e para të deklarohet në opozitë. Pozicion politik i qartë në deklarim, por ende kaotik në dy aspekte: së pari në raport me qeverinë aktuale, ku LSI ka ende 4 ministra; dhe së dyti në marrëdhenie më pushtetin vendor, ku LSI bashkëqeveris me PS.

Sqarimi sa me shpejt i këtyre momenteve do sqaronte çdo paqartësi në statusin e saj politik në vijim.

PDIU ka një situatë edhe më të paqartë. Kjo sepse para zgjedhjeve është deklaruar se do jetë më cilëndo qeveri në funksion të çështjes çame. Pas zgjedhjeve, të paktë një deputet ka deklaruar se është me PS. Gjasat janë që të tre deputetët e saj të rrjeshtohen me qeverinë. Ndërkohë partia zyrtare është në betejë me PS, jo pa të drejtë! Pra kaos edhe këtu.