Kazakistan / Qeveria jep dorëheqjen mes protestave masive pas rritjes së çmimit të gazit të lëngshëm e të naftës

Bota

Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev ka pranuar dorëheqjen e qeverisë pasi një valë protestash përfshiu vendin për shkak të rritjes së çmimit të gazit të lëngshëm e të naftës, duke çuar në përleshje me policinë.

Lëvizja drastike u njoftua të mërkurën në mëngjes, pas një nate me protesta të përshkallëzuara dhe gjithnjë e më të dhunshme në mbarë vendin. Ndërsa masa hyn në fuqi menjëherë, anëtarët e tanishëm të kabinetit do të vazhdojnë me detyrat e tyre deri në formimin e një administrate të re. Ndërkohë, kryeministër i përkohshëm është emëruar zëvendëskryeministri i parë Alihan Smailov.

Të martën në mbrëmje, presidenti Tokayev shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dhe një shtetrrethim në qytetin më të madh të Kazakistanit, Almaty, si dhe në rajonin Mangystau, pas përleshjeve midis policisë dhe demonstruesve.

Një numër fotosh dhe videosh që qarkullojnë në internet kanë treguar një numër të madh protestuesish që vandalizonin e digjnin makinat e policisë, ndërsa oficerët u panë duke përdorur granata zhurmëbërëse dhe armë të tjera jo vdekjeprurëse për të shpërndarë turmat.

Protestat kanë mbërthyer ish-republikën sovjetike për tre ditë me radhë, të ndezura nga vendimi i qeverisë për të hequr kontrollet e çmimeve të gazit të lëngshëm e të naftës, një lëvizje që pa çmimet afërsisht të dyfishoheshin. Në një përpjekje për të qetësuar kritikët, Tokayev rifuti kontrollin e çmimeve, por protesta tashmë është kthyer gjithnjë e më politike, me kërkesat e qytetarëve që kërkuan dorëheqjen e qeverisë.